Albspirit

Media/News/Publishing

Hetimet ndaj CEZ, Nuel Kalaj i përgjigjet Taulant Ballës për Shkëlzen Berishën

Nuel Kalaj mohon çdo lidhje me djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzenin. Duke folur për gazetën “Panorama”, personi i akuzuar nga kryetari i Komisionit Hetimor, Taulant Balla, si sekser i Shkëlzen Berishës për ardhjen e kompanisë CEZ në Shqipëri, Kalaj u jep përgjigje të gjitha pretendimeve të ngritura rreth përfshirjes së tij në çështjen CEZ.
Ai shprehet se është kontraktuar nga kompania CEZ për të mbledhur informacione lidhur me fizibilitetin e tregut energjetik shqiptar për investime.
Kalaj shprehet se nuk ka asnjë lidhje me Shkëlzen Berishën, ndërsa me ish-kryeministrin Berisha është takuar si pjesë e delegacionit të kompanisë çeke, kur ata kanë ardhur në Tiranë.
Në lidhje me kompaninë CEZ, Kalaj shprehet se ka bashkëpunuar në përputhje me ligjet e Shqipërisë dhe Çekisë ku kjo kompani ushtron aktivitetin e saj.
Nga ky bashkëpunim me kompaninë çeke, Kalaj nuk mohon se ka nxjerrë fitime të ligjshme, duke paguar dhe taksa për to. Ai u përgjigjet dhe akuzave për tërheqje të parave cash nga bankat.
“Paratë i kam tërhequr nga banka për qëllime investimi në drejtime të tjera”, shprehet Kalaj për gazetën “Panorama”.

Komisioni parlamentar ju akuzon ju si sekserin e qeverisë Berisha, që “lidhi martesën” me kompaninë CEZ. Çfarë lidhjesh keni ju me çekët dhe kompaninë CEZ?
Bashkëpunimin me CEZin e kam pasur të bazuar mbi marrëdhënie kontraktuale dhe ligjore. Nuk jam sekser i askujt, por kam punuar për të sjellë CEZ-in në Shqipëri dhe për këtë kam realizuar fitimet e mia në mënyrë të rregullt dhe të ndershme duke paguar taksat.

Ju akuzoheni se në llogaritë tuaja bankare janë mbi 7 milionë euro, të cilat janë tërhequr në 2009-n në cash nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëri, pak para zgjedhjeve. E mohoni një akuzë të tillë?
Paratë i kam tërhequr nga banka për qëllime investimi në drejtime të tjera.

Çfarë ju lidh me Shkëlzen Berishën dhe a jeni takuar ju me ish-kryeministrin Berisha në lidhje me çështjen CEZ?
Me Shkëlzen Berishën nuk kam asnjë lidhje. Nuk i kam premtuar askujt organizimin e takimeve me të. Me ish-kryeministrin Berisha jam takuar si pjesë e delegacionit të CEZ-it, kur ata kanë ardhur në Tiranë. E gjithë veprimtaria ime ka qenë në përputhje me ligjet e Shqipërisë dhe të Çekisë ku zhvillon aktivitetin e saj kompania CEZ.

Me çfarë statusi keni negociuar për ardhjen e CEZit në Shqipëri?
Nuk kam negociuar, por kam pasur një kontratë për të mbledhur informacionet e nevojshme për nevojat që kjo kompani kishte në Shqipëri.

Please follow and like us: