Albspirit

Media/News/Publishing

Koço Kokëdhima: Ky shtet nuk di të bëjë asnjë punë, veç tenderave e koncesioneve korruptive

Koço Kokëdhima, ish-deputeti i përjashtuar edhe nga strukturat drejtuese të PS-së, ka vijuar denoncimin e politikave të shtetit. Duke pranuar përkeqësimin e kushteve social-ekonomike në këto 3 – 4 vitet e fundit , Kokëdhima ka shpjeguar në një intervistë për TV “Apollon” në Fier, se, “kemi shumë vështirësi, sepse kemi një sistem politik të kalbur. Nuk kemi barazi, nuk kemi konkurrencë. Kaluan 25 vite dhe çdo vit bëhet më keq se një vit më parë për nivelin e lirive të konkurrencës dhe demokracisë së tregut. Sot punët në këtë vend nuk i fitojnë njerëzit e zotë, por klientët e pushtetit. Është vetëm një grusht politikanësh i lumtur në këtë vend dhe një grusht biznesesh që janë klientë të këtyre politikanëve. Nuk ka barazi gare, nuk ka barazi konkurrence. Nuk po flas këtu për koston që duhet të paguash për të marrë një punë…”.
Për Koço Kokëdhimën, ky shtet është i falimentuar dhe nuk di të bëjë asnjë punë, veç të japë tendera e koncesione korruptive dhe të manipuluar.
“Ky është një shtet i falimentuar, i mbushur me tutkunë që nuk mbajnë dot një arë tokë nën ujë dhe që nuk kullojnë dot një gjë. Që i kalbën fshatarët në mjerimin dhe varfërinë e tyre. Që nuk ndihmojnë dot askënd. Një shtet që di të bëjë vetëm tendera të manipuluar, që s’di të bëjë asnjë punë, që nuk pastron dot një rrugë nga dëbora, që nuk hedh dot një kamion me kripë. Një shtet që nuk zhvillon dot në mënyrë fituese një ndërmarrje. Një shtet që nuk bën dot fitim as në ujësjellës. Një shtet që vidhet dhe grabitet kudo. Një shtet që bën koncesionet më të paimagjinueshme. Një shtet që bën koncesione nga të cilat çdo shtet tjetër fiton, vetëm ne nuk fitojmë dot. Pse? Sepse ne kemi tutkunë të korruptuar që mendojnë vetëm për xhepin e tyre”, denoncoi Kokëdhima.
Më tej ai i mëshoi edhe idesë së reformimit të PS-së, duke ja hequr nga dora mundësinë e zgjedhjes dhe përzgjedhjes prej kryetarit të kandidatëve për deputetë e kryetarë bashkish, apo edhe për strukturat drejtuese të partisë dhe duke ja lënë në dorë këtë zgjedhje, vendimmarrjes së anëtarësisë së partisë.

Please follow and like us: