Procedura/ Si merret hipoteka për pallatet që kanë shkelur lejet e ndërtimit
Shumë shpejt rreth 30 mijë familje në të gjithë vendin që kanë blerë shtëpi në pallate ku është shkelur leja e ndërtimit nga pronarët do të pajisen me hipotekën e shtëpive. Në procesin e legalizimit do të përfshihen 1.320 pallate në të gjithë vendin, 700 prej të cilave janë në Tiranë.
Këshilli i Ministrave miratoi dje projektvendimin “Për përcaktimin e rregullave të legalizimit të objekteve me leje ndërtimi, në të cilat janë kryer shtesa anësore ose në lartësi ose ndryshime të funksionit të hapësirave dhe të objekteve shumëkatëshe pa leje, të destinuara për kalimin e së drejtës së pronësisë apo qiradhënien”.
Ky projektvendim u hartua nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe ALUIZNI, në zbatim të neneve 36 dhe 43/1 të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar. Për të sqaruar këtë projektvendim dhe se si do të procedohet me pajisjen e qytetarëve me hipotekat e shtëpive ka qenë sot i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, kreu i ALUZINI-t, Artan Lame.
Ai sqaroi se si qytetarët do të mund të përfitojnë nga ky vendim i qeverisë dhe si do të shkohet në mbledhjen e dokumenteve. Lame tha se do të ketë edhe një ‘penalizim’ për ndërtuesit që nuk plotësojnë dokumentacionin ose nuk ndjek procedurën për të cilën do të ketë një afat.
“Deri në 2013 nuk u mor njeri më këto. Duke qenë pallate me shumë banorë, nuk dilte gjë nga ata dhe ishin stivosur aty. Kjo stivë u shtua edhe nga 2014 e këtej sepse ne duhet të bënim skedimin e tyre. U gjendëm para 2 rrugëve ose do merremi me secilin objekt ose do i kategorizonim në grupe. Nuk mund t’i linim më. Unë e kam ndjekur me shumë kujdes përveç Facebook tim, përveç institucionit të ALUIZN-it, kam ndjekur reagimet e njerëzve dhe pa diskutim pyetja kryesore e qyt është çfarë do bëjmë ne tani.
Qytetarët nuk duhet të bëjnë asgjë. Nuk ka letra fare për të bërë qytetari, pasi shumica e dosjeve janë tek ne. Do ta ndjekë ALUIZNI.
Marrim shembullin e një pallati 8-10 kate që është bërë me leje ndërtimi por ka bërë edhe një shtesë, një kat pa leje dhe tani nuk hipotekohet dot. Ndërtuesi i ka marrë lekët nga qytetarët por këta të fundit nuk e kanë marrë hipotekën. Ndërtuesi nuk e ndjek më procesin, vijnë qytetarët.
Ne i drejtohemi prapë subjektit dhe i themi ke kaq kohë të ndjekësh procedurën dhe të plotësosh dokumentacionin. Në qoftë se subjekti është i interesuar do i sjellë apo do i plotësojë. Subjekti që nuk është i interesuar nuk e ndjek më çështjen.
Pas mbylljes së këtij afati, ALUIZNI emeton një dokument ku thotë që subjekti nuk është më interesuar. ALUIZNI përllogarit detyrimet që ka subjekti dhe ja çon Drejtorisë së Tatimeve dhe mbyll çështjen me shtetin dhe thërret qytetarët, hajdeni të plotësojmë. Me një ndërtues të përgjegjshëm, pasi ai plotëson dokumentet dhe i ndan ai hipotekat. Kjo është prapë njëra kategori, ato me leje ndërtime”, tha Lame.
Ai u shpreh se pas kësaj kategorie vijnë pallatet e ndërtuara pa leje nga ndërtuesit dhe më pas ndërtimet e vetë qytetarëve. “Janë pafund pallate pa leje ndërtimi për arsye subjektive apo edhe për arsye objektive.
Ne do fillojmë nga subjekti dhe nëse ai nuk është i interesuar llogariten detyrimet dhe vijohet me qytetarët. Pastaj kategoria tjetër është e qytetarëve që kanë ndërtuar pa leje, procedura e njëjtë”, sqaroi ai.