Sekretari i Shtetit i zgjedhur nga Trump
“Rusia është një kërcënim, NATO alarmohet me të drejtë”
Qëndrimi i presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump mund të jetë miqësor ndaj Rusisë, por ndryshe duket ai i stafit të zgjedhur nga vetë republikani. Reks Tillerson, i nominuar në postin e Sekretarit të Shtetit, gjatë marrjes në pyetje në Senatin e Komitetit të Mardhënieve të Jashtme ka akuzuar ashpër Moskën.
“Rusia sot është një kërcënim, por nuk është e paparashikueshme në avancimin e interesava të veta. Ka pushtuar Ukrainën, përfshirë aneksimin e Krimesë si dhe ka mbështetur forcat Siriane që kanë shkelur brutalisht ligjet e luftës”, u shpreh Tillerson.
Disa zyrtarë amerikanë ishin alarmuar fillimisht me nominimin e tij, duke parë që Tillerson ka pasur mardhënie shumë të mira me Presidentin rus, Vladimir Putin. Por ky i fundit duke u përballur me pyetje shumë të vështira ka lënë të kuptohet se nuk do të jetë aq miqësor me Kremlinin.
“Aleatët tanë në NATO alarmohen me të drejtë me rifuqizimin e Rusisë. Por kjo ka ndodhur në mungesën e lidershipit të Amerikës duke lënë një derë të hapur dhe duke dërguar sinjale të padëshiruara”, nënvizoi Sekretari i Shtetit i nominuar nga Trump.
Gjithashtu Tillerson është pyetur në lidhje me sulmet kibernetike. 64-vjeçari e cilësoi “supozim të drejtë” faktin që Putin qëndron pas hakimeve në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara. Këtë deklaratë Tillerson e bëri pas një presioni të madh nga senatori Marko Rubio për të pranuar rolin e Presidentit rus në sulmet kibernetike. Më tej senatori i Floridas e akuzoi Putin për krime lufte për shkak të mbështetjes ndaj presidentit të Sirisë, Bashar Al Assad dhe për bombardimet në Aleppo. Por multimilioneri nga Teksasi tha se nuk do e përshkruante Presidentin e Rusisë si një kriminel lufte. Tillerson nënvizoi se për të dalë në një përfundim më të qartë për Putin duhet analizuar dhe mbledhur më shumë informacion.
Please follow and like us: