Albspirit

Media/News/Publishing

Serbia po i jep fqinjëve lajme të këqija

Dejan Anastasijeviç

Në gazetari, java mes Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri quhet “java e errët”, për shkak të mungesës së përzgjithshme të lajmeve mes dy pushimeve të mëdha.

Në Serbi, ku na pëlqen t’i bëjmë gjërat paksa ndryshe, java e errët është mes Vitit të Ri dhe Krishtlindjeve Ortodokse, që i bie në 7 janar. Por java e këtij viti ishte gjithçka veçse e errët, teksa zyrtarët kryesorë serbë e përdorën atë për të ofenduar ose të paktën zemëruar pesë nga tetë vendet fqinje të kufirit me Serbinë.

Ministri i jashtëm Ivica Daçiç hodhi i pari kunja ndaj Maqedonisë dhe Malit të Zi, dy fqinjëve më të vegjël që kanë njohur pavarësinë e Kosovës në 2007.

“Ishim të që tradhtuam mikun grek dhe njohëm Maqedoninë nën emrin e vet kushtetues,” tha Daçiç në intervistën e Vitit të Ri me Agjencinë e Lajmeve Beta, duke iu referuar një mosmarrëveshjeje prej dekadash mes Greqisë dhe Maqedonisë mbi emrin e ish-republikës jugosllave.

Ai shtoi se Mali i Zi vazhdimisht kishte votuar kundër interesave jetësore të Serbisë kurdo që Kosova ishte në axhendë – dhe kërcënoi hakmarrje.

“Mezi po pres që diçka e rëndësishme të vijë për Maqedoninë dhe Malin e Zi dhe atëherë do të shihni se si do të votojë Serbia,” tha ai.

Bosnja dhe Hercegovina ishin në radhë. Presidenti Tomislav Nikoliç pritej të bënte një vizitë në Sarajevë në shkurt për herë të parë në pozicionin zyrtar, në një lëvizje për të shtensionuar marrëdhëniet mes dy vendeve.

Vizita tani me gjasa do të anullohet për shkak të vendimit të Nikoliç për të marrë pjesë në festimin polemik të Ditës Kombëtare në Republika Srpska, entiteti rebel serb në Bosnje.

Gjykata kushtetuese boshnjake e ka quajtur festimin si të paligjshëm dhe shihet gjerësisht si një lëvizje drejt shkëputjes; siç pritej, vendimi i Nikoliç për të marrë pjesë shkaktoi zemërim në Sarajevë.

“Nuk do të toleroj shantazhin,” tha Nikoliç, duke i qëndruar vendimit për të marrë pjesë pavarësisht gjithçkaje.

Më pas fokusi u kthye në Kroaci, ku një tjetër festim u kthye në hatërmbetje për shkak të fjalëve ofenduese nga një i ftuar serb.

Festa tradicionale e para-Krishtlindjeve e organizuar nga Këshilli Kombëtar Serb për Sigurinë, SNV, organi përfaqësues i minoritetit serb në Kroaci, supozohej të shënonte një fillim të ri në marrëdhëniet serbo-kroate; për herë të parë në disa vite, kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç, ishte i pranishëm.

Ai dhe lideri i SNV Milorad Pupovaç mbajtën fjalime të këndshme rreth nevojës për të hedhur pas krahëve mosmarrëveshjet e vjetra dhe për të ecur përpara drejt një kapitulli të ri.

Por pastaj Vladimir Bozoviç, i dërguari i kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç, papritur filloi një fjalim të ashpër kundër Plenkoviç dhe qeverisë së tij, duke i akuzuar ata se po shtypin pakicën serbe, dhe shtoi një kërcënim të maskuar.

“Shteti nënë i Serbisë qëndron gati për t’i mbrojtur ata [serbët] me çdo mjet të nevojshëm,” tha Bozoviç, duke nxitur një tjetër raund grindjesh mes Beogradit dhe Zagrebit.

Kosova ishte e fundit. Një ditë përpara Krishtlindjeve Ortodokse, autoritetet serbe deklaruan se synonin të kërkonin ekstradimin e e Ramush Haradinaj, ish-komandantit të luftëtarëve dhe ish-kryeministrit të Kosovës.

Haradinaj u arrestua disa ditë më parë në Francë, bazuar te një mandatarresti Interpoli të lëshuar nga Serbia më shumë se një dekadë më parë dhe Beogradi do ta nxjerrë atë në gjyq për krime lufte pavarësisht faktit se gjykata e Hagës e ka liruar atë dy herë.

Arrestimi dhe kërkesa për ekstradim shkaktoi zemërim në Kosovë, ku Haradinaj shihet kryesisht si hero lufte dhe Prishtina lajmëroi se mund të përgjigjet duke lëshuar mandatarreste të ngjashme kundër zyrtarëve të lartë serbë, disa prej të cilëve ishin përfshirë në luftën 1998-1999 në Kosovë.

Deri më tani vetëm Bullgarisë, Rumanisë dhe Hungarisë i janë kursyer provokimet gjatë javës së errët të Serbisë.

Nuk ka shpjegim logjik për këtë politikë të jashtme ofensive të paprecedentë dhe sigurisht që s’ka as përfitime të dukshme për Beogradin, por mund të shkaktohet dëm.

Maqedonia dhe Mali i Zi me siguri nuk do të anulojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga frika e kërcënimeve të Daçiç dhe serbët në Kroaci me siguri nuk do të trajtohen më mirë pas shpërthimit të Bozoviç në Zagreb.

Synimi i Nikoliç për të marrë pjesë në ceremoninë e Republikës Srpska ka shkaktuar tashmë shqetësime në Bruksel dhe mund të ngadalësojë bisedimet e Serbisë për pranimin në BE.

Çfarëdo që të vendosë Franca të bëjë me Haradinaj, procesi i sponsorizuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës do të jetë i vështirë.

Një gjë është e qartë: politika e Serbisë, si e brendshme dhe e jashtme, po bëhet gjithnjë e më e parregullt përpara zgjedhjeve presidenciale dhe me gjasa atyre parlamentare në maj.

Është gjithashtu interesante që kryeministri Vuçiç, zakonisht një elokuent nuk ka folur për opinionin e tij për këto zhvillime, dhe s’ka gjasa të flasë. Në vend të kësaj, ai planifikon të qëndrojë larg Serbisë për shumicën e janarit,  në një vizitë të gjatë në Indi dhe pastaj Zvicër.

Kjo mund të jetë për shkak se fuqia e tij kontrolluese ndaj koalicionit qeverisës dhe partisë së tij, nuk është aq e fortë sa dukej. Askush nuk e di se çfarë do të sjellë 2017-a, por me siguri nuk do të jetë një vit pa zhvillime.

Dhe, meqë ra fjala, Viti i Ri serb, që festohet zakonisht më 13 janar, i bie të premten këtë vit.

Please follow and like us: