Sot jam solidar me Armand Shkullakun
Ilir Babaramo
Frangaj largoi nga drejtimi i ABC News Armand Shkullakun, një nga gazetarët më të vjetër shqiptarë dhe një nga dy- tre garantët e krijimit të perandorisë së tij mediatike. Shkullaku është i vetmi koleg me të cilin jam kacafytur publikisht të paktën dy herë, por kjo sot nuk ka pikë vlere. Sot është një ditë e trishtë për median shqiptare. Besoj të njëjtën ndjesi kanë të gjithë ata kolegë që 20 e ca vjet më parë nisën aventurën e ngritjes së medias shqiptare, në kohën që thuajse gjithë gazetarët e periudhës së komunizmit morën vendimin më të ndershëm të jetës së tyre për të hequr dorë nga ky profesion.
Konflikti im i parë me Shkullakun ka ndodhur në vjeshtën e vitit 1996. Pas zgjedhjeve të vjedhura të 26 majit opozita shqiptare ishte shpartalluar me keq se PD e sotme. E vetmja hapësirë që nuk kontrollonte Berisha ishte gazeta “Koha Jonë” dhe 100 m katrorë të kioskës së Fidelit, ku mblidhej çdo ditë një turmë e vogël, laragane dhe kaotike. Berisha kishte arritur të fuste përçarjen kudo, në çdo parti, sindikatë dhe gazetë. Ishte më keq se Putini i sotëm. Sfida jetike e tij ishte vetëm “Koha jonë”. Dhe aty arriti të krijojë diversion.
Në vizitën që zhvilloi në Kinë përfshiu në delegacion kryeredaktorin e gazetës sonë. Aty është vendosur kontakti i parë i Sandrit me doktorin. Pas kthimit të Sandrit nga Kina u shkarkua Blushi nga shef i redaksisë politike. Konflikti i Frangajt me Nikollën, që bujarisht i kishte dhuruar 40 % të aksioneve, u bë tërësisht publik. Për të bllokuar daljen e “Koha Jonë” , Frangaj i çon letër shtypshkronjës që të mos printojë gazetën. Gazeta e vetme kritike ndaj Berishës ngeli tre ditë pa dalë dhe konfliktin mes drejtorit dhe kryeredaktorit të saj e zgjidhi Ambasada Amerikane. U pagua borxhi në shtypshkronjë, ndërkohë Sandri me klanin e vet u largua, ndër ata të paktë dhe Shkullaku.
Nuk pata as më të voglën dilemë të zgjidhja të bashkohesha me Lesin dhe Blushin, zgjedhja që u shoqërua me grindje e romuze që kanë zgjatur deri sot me palën tjetër. Me një nuhatje fantastike dhe lidhjet familjare të njërit prej bandës, Frangaj dhe klani i vet gjetën parajsën. Dy biznesmenë të klanit Kapo zgjidhën qesen për të ngritur fillimisht revistën dhe më pas televizionin. Sërish me një nuhatje labradori, nuhatën ardhjen e Berishës në 2005. Kafshuan dorën që i ushqeu tetë vjet dhe i futën shkelmin Marselit dhe Zhyljenit. Historia e tyre në kohën e Berishës së dytë dihet nga të gjithë. Shkullaku ishte ndoshta më i zjarrti.
U zhduk kufiri mes gazetarit, drejtorit të departamentit të lajmeve dhe këshilltarit e agjentit PR të partisë në pushtet. Kështu i gjeti dhe ardhja e Ramës në pushtet. Ndoshta nuhatja gaboi këtë herë (dhe labradorët plaken), ndoshta Frangaj ishte deri në fyt tek doktori dhe prishja nuk mund të ndodhte menjëherë, por pak rëndësi kanë rrethanat, klani dhe këtë herë, pas ca muajsh u bë me fituesit.
I vetmi që nuk e drodhi ishte drejtori i deri djeshëm i ABC News. Nuk dua të paragjykoj arsyet e Shkullakut, skrupulli profesional, një leje e refuzuar ndërtimi në tokë të vet, një reagim personal ndaj arrogancës së Ramës, arrogancë që asnjë prej gazetarëve të 25 vjetëve më parë e ka të pamundur ta gëlltisë, kur kujton si ai vinte në redaksi me një disketë me autointervistë dhe Blushi përpiqej ta promovonte. E gjitha kjo sot ka pak rëndësi. E rëndësishme është që Frangaj e shiti. Kush e njeh Sandrin vë dorën në zjarr se çmimi duhet të ketë qenë shumë i lartë. Largimi i tij ka ndodhur pak muaj para zgjedhjeve dhe pak ditë pas aprovimit në Këshillin Bashkiak të planit urbanistik të Tiranës. Do ishte shumë poetike që Shkullakun ta krahasosh me Rozafën. Megjithatë ai duhet të jetë bërë kurban në themelet e kullave që Sandri dhe Zamiri kanë marrë leje rishtas të ndërtojnë. Shkarkimi i Shkullakut na bën të mendojmë për satën herë çfarë po ndodh me median shqiptare.
Pak rëndësi ka si sillet Rama me shemrën e Klanit, a është mirënjohës me Top -Channel apo të tjerë që kanë paguar kosto ekzistenciale në kohën kur qeveria e PD i jepte tv të Frangaj dhjetëra milionë euro. Kjo pak rëndësi. Kjo dëshmon vetëm sa cipë në faqe ka Rama si individ dhe sa mirënjohës është si njeri. Kjo nuk ka fare rëndësi për një shoqëri që pritet të shkojë zgjedhje dhe zërat kundër qeverisë shuhen njëri pas tjetrit. Pavarësisht rezervave që mund të kem për Shkullakun ai është një profesionist dhe sigurisht mund të drejtojë ABC-në shumë më mirë se Sandri, i cili me çfarë të merret më parë: të drejtojë Klanin, ABC-në apo të mbyllë llogaritë e ditës me Zamirin.
Të paktën në ABC-në e mëparshme shikoje ndonjë kronike kritike. Tani është e sigurt që të vetmet kronika që do jepen do jenë ato me porosi, të cilat Sandri i qan: që nga ato të zhgënjimit të nënë Feridesë, apo si protestuesit vranë njeri-tjetrin në 21 janar, apo sa shumë do bëhet shalqini sivjet, i cili është i destinuar jo vetëm për tregun vendas, por dhe për eksport. Nuk duhet vajtuar ikja e Shkullakut, por shkaku përse e larguan. Ata që imponuan këtë vendim janë vërtet miopë, emocionalë. Teknologjia e komunikimit nuk është ajo e 20 viteve më parë. Kur me ca leje ndërtimi për botuesit vihej në rresht gjithë opinion publik.
Tani diga është çarë. Rasti i Trump, i cili kishte kundër gjithë gazetat dhe televizionet e SHBA-ve, është më i fundit. Rrjetet sociale nuk i mbylli dot as Erdogan. Madje si për ironi të fatit, ishin ato që i shpëtuan lëkurën në grushtin e dështuar të shtetit. Duke debatuar publikisht me Shkullakun një vit më parë i thosha këtij të fundit se, Marku i Fejsbukut nuk besoj se do aplikojë për ndonjë leje ndërtimi apo partneritet publik privat në Tiranë. Sot jam solidar me Armand Shkullakun.