Albspirit

Media/News/Publishing

Talenti për të mos qenë..!

Holta Heba

Të gjithë jemi të prirur të jemi të talentuar në fusha të ndryshme. Dikush është i talentuar për të gënjyer, dikush për të folur hapur, dikush për të qenë i drejtë, dikush për të udhëhequr, dikush për të aktruar etj. Ajo që na intereson në këtë botë talentesh, është që të kemi talentin për të qenë dhe për të lënë një gjurmë origjinale, duke shmangur talentin për të mos qenë, shkruan Heba.

Talenti është dhunti! Të qenit të vetëdijshëm për vlerën e tij e më pas kultivimi përmes një pune disiplinore, kjo është ajo që përbën një çelës suksesi për të ardhmen e gjithkujt, femër ose mashkull, për të ardhmen e vetë shoqërisë. Kushtet në të cilat talenti mund të marrë “frymë” janë të paracaktuara nga shoqëritë perëndimore prej kohësh. Liria, mundësitë dhe motivimi janë mjetet e domosdoshme për ta jetësuar këtë dhunti njerëzore. Shumë individë përpiqen të imitojnë modelin perëndimor dhe në mungesë të kushteve që figura ose modeli i kopjuar të jetë i mirërealizuar si të ishte vetë origjinali, ata përqafojnë talentin e të bërit diçka me se s’bën, që në fakt mund të rezultojë thjesht një asgjë në rastin më të mirë ose në rastin më të keq shëmtimi më i arrirë i origjinalit. Me dashje apo pa dashje, realiteti që e rrethon e bën të talentuar për të mos qenë ajo që në fakt presupozohet të ishte: Kopja më e mirë e modelit. Talenti është dhunti e brendshme e njeriut. Modelet të cilat imitojnë janë thjesht në funksion të talentit që ne mbartim. Në shoqërinë tonë, kushtet për të shfaqur talentin, kryesisht te femrat mungojnë. Nuk është e rëndësishme vetëm të marrësh për bazë modelin. Duhet ngritur pyetja, a kam talentin ta përqafoj këtë model dhe ta realizoj në vendin ku jetoj? A e pranon shoqëria ime modelin që kam kopjuar? Mundësitë për ta përqafuar talentin pasi e ke zbuluar se ekziston, nuk mbeten të mëdha. Kjo si pasojë e pamundësisë për të qenë social në këtë botë që udhëhiqet tërësisht nga kthetrat perëndimore, si pasojë e kushteve ekonomike jo të njëjta me perëndimin, si pasojë e mentaliteteve të rrënjosura thellë dhe si pasojë e mosnjohjes së origjinës. Talenti për të qenë i dukshmi në këtë botë ku të gjithë duan vetëm të duken, kthehet në një talent për të mos qenë i duhuri në këtë shoqëri. Të qenit lider nuk është thjesht një leksion i mësuar mirë në shkollë dhe familje. Të qenit lider kërkon dhe talent dhe ky i fundit gjendet brenda njeriut, i cili që në fëmijëri e ka pasur një ide se kujt do t’i ngjajë kur të rritet. Jo të gjithë kanë talentin për të qenë lider dhe si pasojë jo gjithkush mund të drejtojë drejt, pasi në mungesë të talentit për të qenë vërtet i tillë, përqafon talentin për të mos qenë ai që në fakt duhet të jetë. Kopjimi njëqind për qind i modelit zhduk dhe transformon plotësisht mundësinë e shfaqjes së talentit dhe formimit. Kësisoj modeli i kopjuar në masë të plotë dhe i pa mirekuilibruar në mëvetësinë tonë, kthehet në një “mostër” të krijuar nga talenti për të mos qenë ai që në fakt presupozohet të ishte krijuar. Liria për të qenë i talentuar në një fushë ekspertize të caktuar, nuk duhet të mungojë apo cungohet nga asnjë individ apo fenomen. Në fakt, realiteti është ndryshe. Jo të gjithë janë të lirë të ushtrojnë talentin. Liria në kuptimin gjinor të fjalës, në shumë zona të Shqipërisë dominohet kryesisht nga mungesa e theksuar e saj për shkak të mentalitetit. Motivimi si mjeti i tretë i domosdoshëm për nxjerrjen në pah të talentit, mbetet ende në tryeza diskutimesh të pafundme OJF-sh, institucionesh qeveritare dhe në “kolltukët” mediatikë. Të gjithë jemi të prirur të jemi të talentuar në fusha të ndryshme. Dikush është i talentuar për të gënjyer, dikush për të folur hapur, dikush për të qenë i drejtë, dikush për të udhëhequr, dikush për të aktruar etj. Ajo që na intereson në këtë botë talentesh, është që të kemi talentin për të qenë dhe për të lënë një gjurmë origjinale, duke shmangur talentin për të mos qenë…

Please follow and like us: