Texas 1800 – Tiranë 2016
Mirela Milori
Kronika e vjedhjes së një banke në zemër të Tiranës, ka qenë lajm i parë thuajse gjithë javën. Nuk më ka mbetur në mendje pse u vodh një bankë në Tiranë ( lajm i vjetër sa krijimi i institucionit të bankave), as shuma e 200 milionë lekëve të vjetra të vjedhura (janë vjedhur shuma më marramendëse tek ne në ditë me diell), por çdo ditë që jepja lajmet për bankën, çdo ditë shtohej një element që e bënte edhe me grotesk atë që kishte ndodhur.
Në fillim na thanë u hap kasaforta në mesnatën e së premtes duke u gdhirë e shtuna, dhe sistemi i alarmit ra diku nga mëngjesi i së shtunës(d.m.th. reklamat për sistemet e sigurisë ku mjafton të thyhet një xham dhe operatori nga salla qendrore përgjigjet menjëherë, nuk pijnë ujë në Shqipëri, ndonëse kostot e pasjes së një sistemi të tillë alarmi janë modeste në perëndim).
Më pas na thanë që nuk kishte fare kasafortë por që kishte një kat përdhes ku mbaheshin paratë.??!! Grabitësit kishin punuar gjatë fundjavës për çarjen e murit të këtij kati të nëndheshëm, dhe kur sistemi i alarmit kishte rënë, personeli i sigurisë së bankës ishte mjaftuar vetëm duke parë derën e mbyllur që dukej e paprekur!
Më pas hetuesit thanë se kanë identifikuar hajdutët pasi ata kishin lënë shenja të dukshme( bidonë uji, thërrime buke etj..) Pra vjedhja ka nisur që të premten në darkë, është punuar për t’u çarë muri të shtunën e të dielën dhe përgjatë këtyre ditëve grabitësit kanë marrë bukën me vehte, kanë patur kohe edhe të punojnë e të pushojnë, të hanë, të pinë, mbase të marrin edhe ndonjë kafe nga lokalet 24 orëshe aty pranë , dhe mbasi kanë paketuar paratë, të hënën duke u gdhirë të qetë janë larguar nga një dritare e vogël e llagëmit të nëndheshëm ku mbaheshin paratë(natyrisht e pasiguruar siç duhej…!)
Në fakt kjo është një kronikë e denjë për gazetën Daily News të Texasit të viteve 1850, pasi nuk ka asgjë që të na kujtojë sistemet e sofistikuara të sigurisë për një bankë të vitit 2016, reagimin në nivel profesional të atyre që merren me sigurinë etj., etj…
Por humori i zi mbaron këtu! Sepse aseti që ruhet në këtë mënyrë mesjetare, janë PARATË TONA! Këtu mbaron grotesku dhe supozohet të nisë serioziteti…!
Megjithatë është gusht, shumica janë me pushime, dhe bankat që vidhen në Tiranë, Vlorë apo gjetkë, nuk përbejnë më lajm….!
Vjeshta mund të sjellë lajme, nga Vettingu, politika, kush u pajtua e kush u zemërthye me kë… por këto lajme asfare nuk do të përmirësojnë apo sigurojnë përditshmërinë tonë… !