Tillerson shfaq shqetësime për veprimet e Rusisë
Kandidati i presidentit të zgjedhur Donald Trump për postin e Sekretarit të Shtetit, Rex Tillerson, shfaqi shqetësime rreth veprimeve të Rusisë në arenën botërore. Dje, në seancën e konfirmimit në senat, ai tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara duhet të kenë një qasje të re në marrëdhëniet me Kinën. Korrespondenti i Departamentit të Shtetit Nike Ching njofton:
Shqetësimet rreth ndryshimeve klimatike mblodhën protestuesit pranë një benzinate të kompanisë Exxon, jo larg nga Kongresi, ku ish kreu i kompanisë Exxon-Mobil, Rex Tillerson, do të shfaqej në seancën e konfirmimit për postin e Sekretarit të ardhshëm të Shtetit.
Por shumica e pyetjeve të senatorëve ishin rreth marrëdhënieve të zotit Tillerson me Rusinë. Ndërsa drejtote Exxonin, zoti Tillerson negocioi marrëveshje me kompanitë ruse të naftës. Senatorët kërkonin të dinin se si do të vepronte ai me një vend të akuzuar për ndëryrje kibernetike ndaj politikanëve amerikanë dhe që kërcënon aleatët e Shteteve të Bashkuara:
“Aty ku bashkëpunimi me Rusinë, bazuar në interesa të përbashkëta, është i mundur, si pakësimi i kërcënimit global të terrorizmit, ne duhet të eksplorojmë mundësitë. Aty ku ka mosmarrëveshje të rëndësishme, duhet të jemi të palëkundur për të mbrojtur interesat e Amerikës dhe aleatëve tanë. Rusia duhet ta dijë se ne jemi të përgjegjshëm për angazhimet tona dhe se Rusia duhet të mbahet përgjegjëse për veprimet e saj.”
Përsa i takon bashkëpunimit mes Uashingtonit dhe Pekinit, Tillerson tha se Kina duhet të bëj më shumë për të qënë një partnere e qëndrueshme:
“Ndërtimi i ishullit nga Kina në Detin e Kinës Jugore është marrje e paligjshme e një zone të debatueshme pa marrë parasysh normat ndërkombëtare. Praktikat tregëtare dhe ekonomike të Kinës nuk kanë ndjekur gjithmonë angazhimet e saj ndaj marrëveshjeve globale. Ajo vjedh pasurinë tonë intelektuale dhe është agresive dhe ekspansioniste në fushën dixhitale.”
Protestuesit për ndryshimet klimatike ndërprenë disa herë seancën e konfirmimit. Zoti Tillerson tha se e njeh rrezikun e ngrohjes globale dhe u tha ligjvënësve se është e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara të mbajnë vendin e tyre në tryezën e bisedimeve për çështjen e ngrohjes globale.