Vetingu/ Deklarim edhe për financat e kushërinjve
jykata e Lartë publikoi dje në faqen zyrtare formularët-tip, të detyrueshëm për t’u plotësuar nga kandidatët që konkurrojnë për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Me shpalljen nga Kuvendi të nisjes se përzgjedhjes së anëtarëve për dy institucionet e reja të drejtësisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij të Prokurorisë, kanë nisur procedurat
për verifikimin e tyre. Bazuar në ligj, si pjesë e dosjes me dokumente që çdo kandidat dorëzon, kryetari i Gjykatës së Lartë miraton modelin e deklaratës individuale për dhënien e mbështetjes së kandidatëve për anëtarë të Këshillit. I publikuar në faqen zyrtare, formulari-tip që çdo gjyqtar plotëson përmban emrin e deklaruesit si dhe emrin e gjyqtarit, kandidaturën e të cilit mbështet për anëtarësi në Këshillin e Lartë Gjyqësor.
Si specifikohet në ligj, por edhe në shënimin e deklaratës, çdo gjyqtar mund të mbështesë vetëm një kandidat për anëtar të KLGJ. Dokument i dytë për kandidatët është edhe formulari i vetëdeklarimit. Në zbatim të ligjit të dekriminalizimit, kandidatët plotësojnë formularin, falsifikimi i të cilit përbën vepër penale dhe ka shënuar tashmë edhe viktimat e saj të para. Pjesë e dokumentacionit për shprehjen e interesit është edhe informacioni mbi të afërmit e shkallës së dytë, ata të shkallës së parë që ushtrojnë në mënyrë aktive profesionin e avokatit ose janë pronarë apo drejtues ekzekutiv në subjekte ekonomike, të cilat klasifikohen si tatimpagues të mëdhenj nga autoriteti tatimor. Për mundësimin e
këtij informacioni, Këshilli i Lartë Gjyqësor miraton dhe vë në dispozicion një formular standard.
Formulari, i publikuar tashmë në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë, vjen si pasojë e rishikimit periodik të llogarive financiare të gjyqtarëve, por edhe familjarëve të tyre. Dokumentacioni pas mbylljes së afatit të dorëzimit në 16 janar, do të verifikohet nga administrata e Gjykatës së Lartë duke shpallur më pas në faqen zyrtare kandidaturat. Ky proces sipas ligjit pritet të zgjasë vetëm 1 javë, duke parashikuar datën 23 janar si ditën kur shpallen zyrtarisht kandidatët gjyqtarë të Këshillit
të Lartë të Gjyqësorit.
Vendimet për përjashtimin e kandidatëve që nuk plotësojnë kushtet ligjore i merr Komisioni i Kualifikimit, i përbërë nga kryetari i Gjykatës së Lartë dhe dy gjyqtarë të tjerë të saj, të zgjedhur me short nga radhët e atyre që nuk kandidojnë. E është pikërisht ky institucion, i cili në rastin e ankimeve nga kandidatët e përjashtuar do të përballet me ta në Gjykatën Administrative të Apelit, e ngarkuar me vendimmarrje ndaj ankimeve kundër vendimeve për përjashtim të kandidatëve. Në 16 janar mbaron afati për paraqitjen e kërkesave nga të interesuarit për anëtarë të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe atij të Prokurorisë. Në lidhje me përbërjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor, ligji i ri parashikon se 6 nga 11 anëtarët e tij janë gjyqtarë të niveleve të ndryshme të pushtetit gjyqësor. 5 anëtarët e tjerë zgjidhen nga radhët e juristëve e më përkatësisht: avokatëve, pedagogë të drejtësisë dhe shkollës së magjistraturës dhe përfaqësues të shoqërisë civile. E njëjta formulë vlen edhe për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ku i vetmi ndryshim janë radhët nga përzgjidhen anëtarët.