10 sekrete të artit të zbuluara nga shkenca
Artriti i Michelangelos, ‘selfie’-t e Rembrandt, figurat e fshehura të Goya dhe Picasso, sëmundjet në kryeveprat e Caravaggio dhe parashikimet shkencore të Van Gogh…misteret e artit ku kanë mundur të hedhin dritë shkencëtarët.
1. PASIONI (I FSHEHTË) POLITIK I GOYA. Në vitin 1823, artisti spanjoll, Francisco Goya pikturoi portretin e Don Ramon Satue, një gjykatës i Gjykatës së Lartë spanjolle. Por, poshtë këtij portreti fshihej një faqe e rëndësishme, por edhe famëkeqe e historisë spanjolle. Bëhet fjalë për portretin e një gjenerali francez, të realizuar mes 1809 dhe 1813, kur Napoleoni emëroi mbret të Spanjës të vëllanë. Goya e anuloi portretin për arsye politike, duke qenë se ndërkohë francezët ishin tërhequr nga Spanja dhe ishte e rrezikshme të kishte ende lidhje me regjimin e vjetër. Kështu, sekreti i tij qëndroi i fshehur për më shumë se dy shekuj.
2. BURRI NE DHOMËN BLU. Picasso e pikturoi ‘Dhomën blu’ në vitin 1901, gjatë periudhës së tij ‘blu’. Piktura ka tërhequr gjithmonë vëmendjen dhe simpatinë e historianëve, mbi të gjitha për penelatat e çuditshme të përdorura. Dhe në fakt, duke e ekzaminuar pikturën me anë të teknologjisë së rrezeve infra të kuqe, u shfaq një burrë me një kravatë flutur. Në atë kohë Picasso nuk ishte shumë mirë nga gjendja ekonomike dhe i ripërdorte telajot e pikturave të tij pjesërisht ose plotësisht.
3. AUTOPORTRETI I FSHEHUR I CARAVAGGIO. Në 2009, një reflektografi mulitspektrale e realizuar mbi telajon e pikturës së njohur ‘Bacco’ të Caravaggio, që gjendet në Firence, ka nxjerrë në pah një portret njerëzor që reflektohet mbi kanën prej xhami poshtë, majtas. Është autoportreti i Merisi. Kjo gjë është pohuar, veç të tjerëve edhe nga Mina Gregori, një nga ekspertet më të mëdha të artistit; në të shihet autoportreti i Caravaggio teksa pikturon.
4. SHKENCA E VAN GOGH. Studiuesja Natalya St. Clair ka shpjeguar se si Van Gogh, i mbyllur në një çmendinë, ka arritur të perceptojë dhe të paraqesë një nga konceptet më të vështira në mënyrë absolute që natyra mund t’i ofrojë njeriut; konceptin e rrjedhës së trazuar në dinamikën e lëngjeve. Një koncept shumë i vështirë për t’u shpjeguar, të cilin fizikanti rus Andrey Kolmogorov arriti ta kodifikonte vetëm në 1940 përmes një ekuacioni, por që Van Gogh, më 1889 e kishte paraqitur në mënyrë perfekte në pikturën e tij “Natë me yje”.
5. SEKRETI I PESHKATARIT. Tivadar Csontváry Kosztka (1853-1919) ishte një nga piktorët e parë hungarezë që u njoh dhe u vlerësua (p.sh, nga Picasso), në ambientin europian. Në këtë portet të një peshkatari të vjetër fshihet një sekret, i zbuluar vetëm pas vdekjes së piktorit. Duke vendosur një pasqyrë në mes të pikturës dhe duke reflektuar me radhë vetëm gjysmën e fytyrës, personazhi transformohet në dy portrete; një person që lutet është djalli. Nuk e besoni? Shihni foton tjetër.
Portreti i dyshfishtë në pikturën e Kosztka
6. PASIONI I BOTTICELLI. Një nga kryeveprat e artit perëndimor, “Pranvera” e Sandro Botticelli ka një sekret të veçantë, por të dukshëm: kujdesin ekstrem të Botticelli-t për detajet, mbi të gjitha ato floreale. Botanistët, në fakt kanë mundur të identifikojnë në pikturën e tij 500 lloje të ndryshme bimësh dhe 190 lloje lulesh.
7. SELFIE-T E REMBRANDT. Rembrandt është i famshëm për autoportretet e tij. Ka pikturuar me qindra, të gjithë shumë të saktë dhe realistë. Si ja ka dalë mbanë? Sipas piktorit anglez, Francis O’Neill sekreti i Rembrandt ishte një sistem i sofistikuar pasqyrash që e lejonin të projektonte imazhin e tij mbi një sipërfaqe, ku mund të gjurmonte më pas konturet.
8. ARTRITI I MICHELANGELO. “Royal Society of Medicine”, në Londër ka analizuar me hollësi autoportretet e artistit të madh, duke zbuluar shenja artriti në duart e tij, një sëmundje profesionale, me siguri për shkak të përdorimit të dendur të çekiçit dhe daltës.
Sekrete të tjera të artistit janë zbuluar nga dy studiues , M. Arshad e M. Fitzgerald të cilët kanë hipotetizuar se ai vuante nga një lloj i veçantë autizimi, të dëshmuara nga disa mënyrë sjelljeje, si puna rutinë me të njëjtin sens, stil i pazakontë jete, interesa shumë të pakta për sjellje sociale apo komunikim.
9. ARTI DHE ARTRITI TE CARAVAGGIO. Edhe Caravaggio duket se ka lënë gjurmët e artritit në pikturat e tij; sipas një studimi të publikuar në ‘Lancet’, mjafton të shikosh “Dashuria gjumashe”. Në të portetizohet një kupid i vogël i përgjumur. Vogëlushi, sipas studiuesve, tregon shenjat e artritit rinor. Shumë studiues kanë parë shenjat e sëmundjeve të ndryshme në piktura të ndryshme të Caravaggio.
10. ADN E LEONARDO. Kemi rindërtuar ADN e mamuthëve dhe Neandertalit. Pse të mos provojmë të rikuperojmë atë të gjenive më të mëdhenj të të gjitha kohërave, si Leonardo da Vinçi. Ky është qëllimi i një studimi ndërkombëtar i cili synon të zbulojë gjurmë biologjike të prezencës së tij në veprat e tij të artit: shkenca moderne ka bërë hapa galopantë në vitet e fundit dhe mund të rindërtohet ADN e një presoni mbështetur në një pikë gjaku, flokë apo deri tek gjurmët e gishtave. Objektivi nuk është sigurisht, të klonohet Leonardo (e pamundur), por duke krahasuar ADN e tij me atë të pasardhësve të tij të mund të arrijmë të njohim ngjyrën e syve dhe flokëve të tij, të kuptojmë diçka më tepër mbi vizionin e tij, për ato që hante apo problemet e mundshme shëndetësore.