Albspirit

Media/News/Publishing

5 sundimtarët e mëdhenj të antikitetit

 

Edhe pse ne njohim shumë sundimtarë nga antikiteti, janë të paktë ata që mund të cilësohen si fenerë të kohës. Këtu janë 5 ndër  sundimtarët më të mëdhenj të lashtësisë dhe veprat e tyre më të rëndësishme.

Themistokliu, gjenerali që mposhti Mbretin Kserks I dhe Persinë

3-themistocles

Themistokliu, krijuesi i fuqisë detare athinase si dhe një politikan i shkëlqyer, e njohu vlerën e një flote detare të fortë. Kjo pikëpamje do të dëshmohej vendimtare jo vetëm për Athinën, por për gjithë qytetërimin perëndimor.

Themistokliu rridhte nga një familje aristokrate, por nëna e tij nuk qe e tillë. Ajo mund të mos ketë qenë as greke. Për pasojë, Themistokliu u bë qytetar athinas kur ishte 16 vjeç.

Kur u përball me përbuzjen e atyre që kishin një edukim më të kulturuar, Themistokliu u përgjigj: Është e vërtetë, unë nuk kam mësuar kurrë si të akordoj një harpë apo të luaj në lahutë, por di si të ngre një qytet të vogël dhe që s’përfillet nga askush në lavdi dhe madhështi”. Pas Betejës së Maratonës, në të cilën ai ishte një nga gjeneralët, Themistokliu u bë figura kryesore në politikën e Athinës, për shkak të mbështetjes që gëzonte në mesin e shtresave të ulëta.

Ideja e tij kryesore qe se Athina nuk do t’i mbijetonte dot një pushtimi të dytë pers, ndaj dhe epërsia detare ishte shpresa e tyre e vetme. Falë përpjekjeve të tij (rreth 200 anije triremëshe u ndërtuan në kohë para sulmit të Kserksit I) dhe dredhisë së tij të shkëlqyer, Themistokliu mposhti forcën pushtuese dhe e shpëtoi qytetërimin perëndimor. I izoluar pak më vonë, ai i kaloi vitet e fundit të jetës si guvernator i Magnezias, një territor pers.

Augusti, themeluesi i Perandorisë Romake

4-augustus

Augusti, që njihej fillimisht si Gaio Oktavio, ishte i sëmurë kur qe fëmijë dhe jetim në moshën 4-vjeçare. Ai sigurisht që s’dukej i destinuar për madhështi.

Por për fatin e tij të mirë, kishte një xhaxha të famshëm dhe të plotfuqishëm: Jul Cezarin. I birësuar prej këtij të fundit dhe më pas i shpallur trashëgimtar i tij, Augusti formoi triumviratin e dytë me Mark Antonin dhe Mark Lepidin, për të marrë kontrollin e perandorisë nga armiqtë e tyre.

Lepidi më vonë u detyrua të mërgonte, ndërsa Antoni vrau veten pasi u mund në betejën e Aktiumit. Ndonëse mund të thuhet se Augusti nuk bëri më shumë sesa thjesht trashëgoi Republikën Romake nga Jul Cezari, ai zgjeroi në fakt territoret e perandorisë. Augusti pushtoi Egjiptin dhe u zgjerua në pjesë të tjera të Afrikës dhe Gjermani.

Përmes përdorimit të forcës së nënkuptuar ushtarake, ai bindi Senatin romak dhe popullin e Romës t’i japë titullin e Augustit dhe atë të princeps civitatis (qytetarit të parë të shtetit).

Ai gjithashtu u bë perandor, një rol i krijuar për të bërë të ditur distancimin e tij nga mbretërit dhe monarkët. Të paktën për disa qindra vjet, roli i perandorit ishte vetëm i trashëguar, vetëm nëse trashëgimtari cilësohej i përshtatshëm nga Senati dhe ushtria.

Augusti qe një strateg jashtëzakonisht i suksesshëm ushtarak, një politikan mendjemprehtë dhe një ndërtues i përkryer. Ai porositi ndërtimin e veprave si Ara Pacis (Altari i Paqes). Marks Agripa ka gjithashtu merita të mëdha në këtë projekt. Sipas biografit Sueton, Augusti përherë mendjemadh është shprehur: ”Gjeta një Romë me tulla, po lë një Romë me mermer”

Menesi, themeluesi i Memfisit

memphis

Menes është personi më i lashtë, që i njihet merita e themelimit të qytetit egjiptian të Memfisit, kryeqytetit gjatë Periudhës së Hershme Dinastike.

Qyteti u ndërtua pas bashkimit të mbretërive parahistorike të Egjiptit të Epërm dhe të Ulët. Edhe pse kjo i atribuohet Menesit, Memfisi mund të jetë ndërtuar nga dikush tjetër. Maneto dhe Herodoti, dy nga historianët më të mëdhenj të botës, e përshkruajnë Menesin si të identifikuar me një pjesë të vogël sundimtarësh të tjerë, duke përfshirë Narmerin dhe Aha-n.

Herodoti qe i pari që shkroi për themelimin legjendar të Memfisit, duke treguar në detaje se si Menesi devijoi lumin Nil për të ndërtuar qytetin. Memfisi ishte i njohur fillimisht si Muret e Bardha, një term që ndoshta rrjedh për shkak të mureve me tulla të lyera me gëlqere të pallatit mbretëror. Qyteti ishte versioni grek i egjiptases Men-nefer. Menesi krijoi një nga qytetet më të qëndrueshëm në histori.

Ai u banua nga shekulli XXXI deri në shekullin VII P.E.S, para se të braktisej pas një rënie të gjatë. Edhe atëherë ai mbeti një mrekulli. Në shekullin XII, egjiptologu arab Abdul Latif shprehej mbi qytetin: ”Sa më thellë e sodisim këtë qytet, aq më shumë rritet admirimi ynë, dhe çdo kundrim i ri i rrënojave, është një burim i freskët kënaqësie”.

Paçakuti, ndërtuesi i Maçu Piçu

6-pachacuti

Paçakuti kishte ndikim mbi mbretërinë Kuzko gjatë shekullit XV, dhe shpejt filloi një ekspansion ushtarak që rezultoi në themelimin e Perandorisë Inkase.

I kënaqur me suksesin e tij, Paçakuti filloi ndërtimin e pallateve memoriale mbretërore, në të cilat mund të jetonte vetë bashkë me shërbëtorët e tij. I ndërtuar ndërmjet viteve 1460- 1470, Maçu Piçu ishte projekti kryesor dhe simboli i fuqisë hyjnore së Paçakutit.

Me emrin e tij që rrjedh nga fjalët për “kulmi i vjetër”, Maçu Piçu është ndoshta përfaqësuesi më madhështor i qytetërimit Inkas. Ideja për aspektin fetar të Maçu Piçut, është e lidhur me një kolonadë ceremoniale prej guri që gjendet brenda qytetit. E njohur si një intihuatana (mburoja nga dielli), kolona e gurit përdorej nga priftërinjtë gjatë muajve të dimrit për të “lidhur” Diellin me gurin, në mënyrë që ai të mos largohej asnjeherë.

Gjithsesi, falë pjesërisht pushtimit spanjoll, zona ishte e banuar për rreth 80 vjet para se të braktisej. Edhe pse popujt të ndryshëm indigjenë vazhduan të jetojnë aty pranë, Maçu Piçu u harrua për shekuj me rradhë. Hiram Bingham III, eksploratori i famshëm amerikan dhe i pari jo-vendas që pa rrënojat që nga epoka e konskusitadorëve spanjollë, tha për Maçu Piçun:”Pak romanca mund të tejkalojnë ndonjëherë atë të qytezës prej graniti në majë tarracave të Maçu Piçu-t, kurorën e tokës së Inkasve”.

Kiri i Madh, themeluesi i Perandorisë Akamenide

kiri

Kiri i Madh (ose Kiri II) lindi në fillim të shekullit VI P.E.S, me shumë gjasa në Persi. Ashtu si shumë nga sundimtarët e tjerë të lashtë, jeta e tij e hershme është e rrethuar nga mitet. Nëna e Kirit pati një vizion, në të cilin Kiri përmbyste gjyshin e tij mbret. I tmerruar nga kjo gjë, ky i fundit urdhëroi vrasjen e Kirit. Fatmirësisht, këshilltari kryesor i mbretit e injoroi urdhrin dhe e dërgoi djalin të jetonte jashtë pallatit mbretëror me një bari.

Pasi arriti moshën madhore, ai marshoi kundër gjyshit të tij dhe u bë mbret i Medesë. Pasuan vitet e pushtimeve, duke filluar nga pjesa më e madhe e Azisë së Vogël e duke vazhduar me dyndjet në Siri dhe Jude. Fushata kulmoi me pushtimin e Babilonisë, një arritjes përmes së cilës Kiri e shpalli veten “Mbret të katër cepave të botës”.

I respektuar gjerësisht për tolerancën e tij ndaj zakoneve dhe besimeve fetare lokale, Kiri supozohet të jetë gjithashtu nismëtari i parë i ”Kartës së të Drejtave të Njeriut”. Megjithatë kjo kundërshtohet nga shumë historianë, që argumentojnë se ai ishte duke ndjekur thjesht traditat e vendosura para tij. Në fund, Kiri i Madh themeloi perandorinë më të madhe që kishte parë ndonjëherë bota në atë kohë. Ajo shtrihej nga Deti Mesdhe në perëndim, deri në Luginën Indus në lindje.

Please follow and like us: