Albspirit

Media/News/Publishing

Bashkimi Sovjetik dhe Rusia: Tragjedia dhe Farsa

 

Nga George Friedman*

Java që kaloi shënoi përvjetorin e 25-të të rënies së Bashkimit Sovjetik. Shembja e tij ishte e pakonceptueshme në atë kohë. Bashkimi Sovjetik dukej si një kolos i gurtë që shalonte botën, i barabarti i Shteteve të Bashkuara dhe, në mendjen e disave, superior mbi të. Në fakt, ai ishte ndërtuar mbi një themel rëre, i cili, në kohët më të vështira, mbahej i bashkuar nga policia sekrete.  Por, kur KGB-ja u dobësua nga karrierizmi dhe korrupsioni, ngjitësi që mbante të bashkuar regjimin u zbërthye dhe regjimi u shemb. Ishte një çudi për botën jashtë dhe ndoshta po aq shumë edhe për Byronë Politike. Por nuk mund të ishte një çudi për njerëzit brenda KGB. Ata e dinin shumë mirë se çfarë kohërash po vinin dhe e përgatitën veten për të përfituar nga bota e re ku do hynin.

Tani Perëndimi e gjen veten në një konfrontim të ri me Rusinë.

Rusia nuk do t’i bënte botës favorin e të mbeturit në kaosin e privatizimit, të cilin e pat kryesuar Presidenti Boris Yeltsin. Njerëzit që u pasuruan në vitet 1990 do të shfaqeshin si elita e re në vitet 2000. Rrënjët e tyre buronin nga e kaluara dhe dëshira e tyre do të ishte të rikthenin Rusinë në madhështinë e saj të mëparshme, duke mos mbetur nostalgjikë, por, njëherësh, edhe duke ruajtur pozitat e tyre. Kultura Ruse lartëson udhëheqës të fortë dhe në Rusi, udhëheqësit forcojnë vetveten përmes admirimit nga ana e rusëve. Ky është konfrontimi i dytë dhe çështja tani është se çfarë duhet bërë me këtë konfrontim të dytë.

Karl Marksi pat shkruar dikur se historia e përsërit vetveten, në fillim si tragjedi dhe, pastaj, si farsë. Presidenti Vladimir Putin ishte anëtar i KGB dhe, për këtë arsye, anëtar i Partisë Komuniste. Është e sigurtë se ai i lexonte fjalët e Marksit. Vras mendjen nëse ato i faniten atij tani, por duhet t’i faniten përderisa ato fjalë të Marksit kapin thelbin e rigjallërimit të fuqisë Ruse.

Kishte diçka të tmerrshme, por edhe diçka të mrekullueshme në Bashkimin Sovjetik. Për të tmerrshmen ne të gjithë dimë tanimë. Por brenda saj ishte gjithashtu industrializimi brutal i Rusisë, 20 milionë njerëz që vdiqën për të thyer Gjermaninë Naziste, lëshimi i Sputnikut dhe Yuri Gagarinit. Edhe terrori e spastrimet, shokuese dhe të tmerrshme siç ishin, kishin një gjerësi dhe ambicie, për të cilat studiuesit kanë harxhuar jetën e tyre që të mund t’i kuptonin.  Aleksandër Solzhenitsyn shkroi libra të mrekullueshëm, të mbushur me përbuzje dhe frikë, për të dhënë kronikën e brutalitetit të kampeve të të burgosurve. Bota e ka hedhur tej tashmë Bashkimin Sovjetik, por është koha dhe vendi i vlefshëm për ta kujtuar.

Sot Federata Ruse është, krahasimisht, një vend banal. Banaliteti më i madh është të vështrosh Putinin, një ish agjent të KGB, të ndjekë ceremonitë në Kishën Ortodokse. Pyes veten nëse ai ishte i pandershëm për çka paraqitej ateist në Partinë Komuniste, apo nëqoftëse ai i është nënshtruar një konvertimi, ndoshta të vërtetë, por me siguri për t’u përshtatur. Udhëheqësi Rus pothuajse një vit më parë fliste për këtë në një fjalim në të cilin ai vinte në dukje se “Unë nuk mund të them se isha një avokat i vijës së ashpër i ideologjisë Komuniste. Akoma qëndrimi im ndaj gjithë kësaj ishte shumë delikat.” Delikatesa është e thelbit. Rusia duhet të udhëhiqet nga një magjistar, i cili mund t’i bëjë gjërat e vogla të duken të mëdha. Rusia nuk është një vend për një njeri me besime të thella fetare.

Rusia e ka nevojë Ukrainën për ta pasur si zonë “tampon”. Përpara përzënies së Presidentit Viktor Yanukovych, Putini kishte në Kiev një qeveri pro Ruse. Ajo u përmbys dhe u zëvendësua me një qeveri pro Perëndimore. Invazioni i Putinit në Ukrainë dhe aneksimi i Krimesë ku Rusia kishte tashmë të pranishme forca ushtarake të detyruara nga traktatet, ishin thjeshtë një përpjekje për të demonstruar forcë vendimtare, paçka se ajo u kthye në një përpjekje për të dalë jashtë nga një disfatë masive: synimi i tij për të ndezur një kryengritje në Ukrainën lindore dështoi në mënyrë të mjerueshme.

Veç këtyre, ekonomia e Rusisë i ngjan asaj të Arabisë Saudite. Rusia jeton dhe vdes nga çmimi i naftës: kur çmimi i naftës ulet, njerëzit që rrojnë jashtë Moskës dhe Shën Peterburgut nuk paguhen.

Në të gjithë këtë, Rusia ka kërkuar për oportunitet të deklarojë një fitore të madhe në botë. Ndërhyrja e saj në Siri i dha mundësinë Putinit të shpëtojë Presidentin Sirian Bashar al-Assad. Putini nuk do mund t’i shpjegonte kurrë ndonjërit se çfarë përfitimesh kishte ai nga shpëtimi i Assadit. Ai e bëri këtë sepse kish forcë ta bënte, gjë që duket sikur e rendit atë si një fuqi globale. Më shumë se një vit pasi Rusia u fut në Siri, ra Aleppo. Por tani që Aleppo ka rënë, çfarë ka lëvizur përpara në histori? Gjatë Luftës së Ftohtë Rusia dominonte ose influenconte fuqishëm tërë brezin e Lindjes së Mesme: Sirinë, Irakun, Egjiptin, Libinë, Algjerinë. Sot Rusia kontrollon vetëm pjesë të Sirisë, madje as ato në mënyrë të plotë.

Sovjetikët kishin arritje të jashtëzakonshme në fushën e shërbimeve të inteligjencës gjatë Luftës së Ftohtë.  Mjafton vetëm të mendosh për operacionin e saj për të vjedhur sekretin e bombës atomike. Sot, arritjet më mbresëlënëse të Rusisë në këtë fushë janë piraterimi në Komitetin Kombëtar Demokratik të SHBA dhe zbulimi se kryetari i komitetit nuk dëshironte që Bernie Sanders të fitonte nominimin, si dhe zbulimi se një donacion mori një dhuratë nga Fondacioni Clinton për të bërë një takim me Hillary Clinton.

Novelist Arthur Koestler shkruajti gjatë viteve të Stalinit se Bashkimi Sovjetik kishte bërë dikur histori, ndërsa sot bën vetëm politikë. Ne mund të shtonim se Federata Ruse sot nuk bën as njërën, as tjetrën, por thjeshtë bën xheste krekosjeje apo lejon të tjerët të krekosen në ngjarje të rëndësishme. Audienca për shumicën e këtyre gjërave është vetë Rusia. Dështimet Ruse e kanë bërë popullin rus subjekt të çmimit të naftës. Dhimbja është duke u rritur dhe Putini nuk mund të bëjë asgjë për këtë. Por piraterimi në Komitetin Kombëtar Demokratik të SHBA i jep mundësi Putinit të thotë, në një kod të tejdukshëm, se ai e ka bërë Rusinë të madhe dhe ka influencuar zgjedhjet në SHBA, ndërkohë që ai e mohon të ketë lidhje me këtë gjë (shkel syrin, shkel syrin).

Kjo nuk do të thotë se Rusia nuk është e rrezikshme. Nëse udhëheqësit e saj çmenden, ata kanë shumë raketa bërthamore që mund t’i përdorin. Nëqoftëse udhëheqësia Ruse ndërmerr rreziqe ekstreme, ajo mund të sulmojë vendet Balltike, por kjo do të kishte një rezultat tjetër: do ta ribashkonte NATO-n. Por në vend që Putin të punojë në këto drejtime, përkundrazi, ai është duke mbështetur gjithnjë e më shumë grupet ekstreme të krahut të djathtë në të gjithë botën.

Kjo nuk është e re. KGB shpenzoi burime të konsiderueshme për të mbështetur komunistët dhe trupat mbështetëse të komunistëve në të gjithë botën. Ajo kishte bërë fushata të paracaktuara për të influencuar ata çfarë Lenini iu referohej si “idiotë të dobishëm.” Këta ishin akademikët, gazetarët dhe politikanët, të cilët besonin mitet Sovjetike  dhe i përsërisnin ato pa fund. Gjatë Luftës së Koresë miti ishte që SHBA po angazhohej në një luftë bakteorologjike. Sovjetikët kishin një program special pikërisht për të rekrutuar njerëz të kësaj fushe, për t’i sjellë ata në Bashkimin Sovjetik dhe për t’i lënë ata pastaj përsëri të shkonin në vendet e tyre dhe të shkruanin për këto mite me një frymë.

“Idiotët e dobishëm” këtë kohë vijnë nga e djathta ekstreme. Të gjitha organizatat e shërbimeve të inteligjencës janë nën iluzionin se ata mund të kryejnë luftë psikologjike – të mbjellin histori, të rekrutojnë agjitatorë, të nënshkruajnë me një sërë lëvizjesh që shtrihen nga partitë politike deri tek terroristët, me qëllim të ndryshojë kursin e historisë.

Sovjetikët menaxhuan të bindin brezat e majtistëve për të përbuzur SHBA-në edhe pse ata nuk e donin Bashkimin Sovjetik. Por e vërteta ishte se Bashkimi Sovjetik influencoi pak të tillë.  Në fund të fundit dhe çka është më e rëndësishme, me gjithë përpjekjet e tij për formësuar opinionin Perëndimor, Bashkimi Sovjetik u shemb gjithsesi. Në pikëpamje operacionale, Bashkimi Sovjetik performoi mirë. Çdo operacion i veçantë kishte një prirje për të funksionuar. Problemi ishte se, nga pikëpamja strategjike, ato operacione, ishin, të gjitha, një harxhim i tmerrshëm. Sovjetikët ishin imbarkuar dhe po kryenin luftën e gabuar, por ata e kryenin atë luftë sepse ata nuk donin të kryenin një luftë reale. Ata bindën vetveten se ajo çfarë ata mund të bënin, do të ishte e mjaftueshme.

Putini po shkel në të njëjtën rrugë, përveç që unë dyshoj nëse ai beson se do të ndryshojë realitetet strategjike. Ai është duke luajtur lojën që mundet, duke grumbulluar “idiotë të dobishëm” me shpresën se diçka do të bëjë dhe diku do të mbërrijë. Është çështje e njëfarë delikatese.

Nuk mund të thuhet se Rusia nuk është një vend serioz apo se ajo duhet të shihet si një kërcënim i parëndësishëm. E kam thënë se Rusët do të rigjallërohen si një kërcënim ndaj Perëndimit. Por reagimi i tepruar është po aq i rrezikshëm sa edhe  vetëkënaqësia. Kur ne shikojmë nga afër veprimet Ruse, rëndësia e tyre bie. Do të ishte budallallëk të mos bëhen përpjekje të mjaftueshme e të nevojshme për ta bërë zap Rusinë apo për ta mbajtur atë jashtë balance. Çka është më e rëndësishme, kjo etapë e re çfarë mund të quhet një Luftë Shumë e Vogël e Ftohtë, duhet mbajtur brenda kuadrit.

Është tragjedia e Bashkimit Sovjetik. Dhe pastaj, është farsa e episodit të tanishëm.

 

Përktheu e përshtati Zeno Jahaj

*Botuar në Geopolitical Futures

Please follow and like us: