Albspirit

Media/News/Publishing

Dita e parë si sekretar dhe një pyetje që i rëndon në zemër

 

Nga Antonio Guterres*

 

Në ditën time të parë si Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, kam një pyetje që më rëndon në zemër.

Si mund t’i ndihmojmë miliona njerëz të zënë në konflikt, që vuajnë në masë pasojat e rënda të luftërave të pafund?

Bombardime me forcë vdekjeprurëse po lëshohen mbi civilët. Gratë, fëmijët dhe burrat po vriten dhe lëndohen, po dëbohen me forcë nga shtëpitë e tyre, po zhvaten dhe mjerohen. Tashmë janë kthyer në objektiv edhe spitalet dhe autokolonat me ndihma humanitare.

Askush nuk del i fituar nga këto luftëra. Të gjithë humbasin. Për shkatërrimin e shoqërive dhe ekonomive janë shpenzuar trilionë dollarë, duke nxitur një varg veprimesh të mungesës së besimit dhe frikës, që mund të zgjasë për gjenerata të tëra. Rajone të tëra janë destabilizuar dhe kërcënimi i ri nga terrorizmi global na prek të gjithëve.

Në këtë ditë të kremtimit të Vitit të Ri, ju ftoj të gjithëve të bëheni pjesë e një angazhimi të përbashkët në këtë Vit të Ri:

Le të bashkohemi për të vendosur paqen në plan të parë.

Le të jetë viti 2017 një vit në të cilin ne të gjithë së bashku, qytetarë, qeveri, liderë, të përpiqemi fort për të kapërcyer dallimet tona.

Nga solidariteti dhe dhembshuria në jetën e përditshme, te dialogu dhe respekti mbi ndasitë politike… Nga armëpushimet në fushën e betejës, te kompromisi në tryezën e negociatave për të gjetur zgjidhje politike…

Paqja duhet të jetë synimi dhe udhërrëfyesjajonë.

Gjithçka për të cilën ne përpiqemi fort si një familje e madhe humane, për dinjitet dhe shpresë, progres dhe prosperitet, varet nga paqja.

Por paqja varet nga ne.

Ju bëj thirrje të gjithëve të bashkoheni me mua në këtë angazhim për paqe sot dhe në çdo ditë në të ardhmen.

Le ta shndërrojmë vitin 2017 në një vit kushtuar paqes.

 

 

 

* Sekretari i  Ri i Përgjithshëm i OKB-së

Please follow and like us: