Jorgos Papandreu rikthehet te PASOK-u
Ish kryeministri i Greqisë Jorgos Papandreu ka njoftuar bashkimin e partisë së tij, Lëvizja e Socialistëve Demokratë (KIDISO), me PASOK-un, që Papandreu e drejtoi për tetë vjet, nga 2005 deri në 2012.
Vendimi u njoftua pas takimit që ai zhvilloi me kryetaren e PASOK-ut, Fofi Genimata.
Në një deklaratë të përbashkët të dy politikanëve, nënvizohet se “vendi duhet më në fund të fitojë një persçektivë daljeje nga kriza. Për këtë nevojitet një projekt të besueshëm ndryshimesh progresiste në modelin e prodhimit, në drejtimin e shtetit, në institucionet dhe në sistemin politik”, shkruan gazeta shqiptare ne Greqi Tribuna News.
“Lëvizja e Socialistëve Demokratë do t’i bashkohet Formacionit Demokratik (PASOK-ut) në përpjekjen për forcimin e të majtës, duke ruajtur fizionominë e vet, autonominë politike dhe organizative, ashtu si dhe forcat e tjera pjesëmarrëse në këtë formacion”, thuhet më tej në deklaratë.
Rikthimi i Papandreut te PASOK-u ka shkaktuar reagime të cilet pritet të shfaqen zyrtarisht në mbledhjen e komitetit qendror të PASOK-ut, të dielën. Aty pritet me shumë interesim pozicionimi i Evangelos Venizelos, që zëvendësoi Papandreun në timonin e partisë në 2012, dhe që u detyrua të jepte dorëheqjen në korrik 2015.