Albspirit

Media/News/Publishing

‘Kod’, botimi më i ri publicistik i Monika Stafës

 

Gazetarja historiane apo historianja gazetare siç e ka cilësuar më herët Prof Dr. Hamit Boriçi në një nga botimet e saj, Monika Shoshori Stafa, vjen pas novelës artistike “Një Ditë si Sofia”, me një tjetër publicistikë të titulluar “Kod” .

E sprovuar më herët me botime me tema historike, dokumentarë e reportazhe problemorë e politikë, gazetarja veterane i ofron lexuesit ngjarje inkurajuese si dhe tragjike me të cilat ajo është përballur.

“Mendimet e hedhura në këtë volum përfshijnë ngjarje të njerëzve vërtet të mirë të cilët i kanë triumfuar korrupsionit apo qëllimit dashakeq në nivel lokal, kombëtar apo global. Dhe po aq edhe ngjarjeve që kanë prodhuar të tjerë, ata të këqinjtë, egoizmi dhe etja për para e pushtet e të cilëve ka triumfuar mbi të mirën publike. Në libër gjenden këto dy kategori njerëzish tepër të rëndësishme për realitetin tonë. Kategoria e parë na ngushëllon dhe na jep siguri se një botë më e mirë mund të ekzistojë; ndërsa e dyta na frymëzon për të punuar më shumë dhe të tregohemi pak më të zgjuar për t’ia dalë më mirë herës tjetër,” shkruan në parathënien e këtij libri, Prof. Dr. Roy Alden nga  Atwood Nehemiah Gateway University.

Ngjarjet në këtë volum nuk janë vetëm ese filozofike apo teologjike. Ato na sfidojnë për të reflektuar më shumë ndaj mendimeve dhe prioriteteve tona më të thella rreth historive të ndryshme që ne duam të shkruajmë për veten tone, si dhe ndaj standardeve përmes të cilave ne gjykojmë të tjerët. Historitë e shkruara në këtë libër kërkojnë të na tregojnë mbi atë se çfarë lloj njërëzish duam të bëhemi.

Gazetarja e mirënjohur Stafa e inkurajon lexusin e saj duke i thënë se “trajtimi i të tjerëve me dhembshuri, respekt, integritet dhe dashuri do të duhej të triumfonte në shumicën e kohës mbi kalbëzimin, coroditjen dhe korruptimin me të cilat ne përballemi në të gjitha sferat e jetës.”

Gazetarja Monika Shoshori Stafa është autore edhe e librave me temë historike “ Çështja e Shën Naumit”, dhe” Monarkia kundër Republikës”. Libri i saj me artikuj publicistikë “Gati për Rinisje” u nominua për çmimin “Libri më i mirë i vitit”, në tetor të 2014-ës nga Ministria e Kulturës.

Aktualisht, ajo është kryetare e Këshillit të Ankesave në Autoritetin e Mediave Audiovizive.

Image

Lexo edhe

Please follow and like us: