Kolegji Zgjedhor rrëzon deputetin Tahiri
“Njoftojmë pushimin e çështjes që i përket palëve ndërhyrëse, asaj paditëse Dashamir Tahiri dhe të paditurës KQZ, me shpalljen e moskompetencës së Kolegjit Zgjedhor dhe dërgimin e çështjes për gjykim në Gjykatën Administrative të shkallës së parë në Tiranë”.
Me këtë vendim, Kolegji Zgjedhor ka krijuar precedentin për çdo rast të ardhshëm të ankimimit lidhur me ndërprerjen e mandatit për shkak të ligjit të Dekriminalizimit, duke u shprehur se nuk është ajo kompetente për shqyrtimin e këtyre kërkesave.
Kolegji u vu në lëvizje pas kërkesës së depozituar nga Dashamir Tahiri kundër vendimit të KQZ-së, i cili i hoqi mandatin e deputetit.
Ai vetë nuk ishte i pranishëm në seancë, por me anë të avokatit të tij mbrojtës, Julian Mërtiri, paraqiti pretendimet se referuar Kodit Zgjedhor, ky kolegj e kishte kompetencën për të gjykuar këtë kërkesë.
Por përfaqësuesit e Komisionit Qendor të Zgjedhjeve e kundërshtuan këtë qëndrim, duke nënvizuar se në Kod përcaktohet qartë se kush janë subjektet që mund të vënë në lëvizje Kolegjin Zgjedhor dhe Dashamir Tahiri nuk mund ta bëjë këtë gjë.
Edhe pse ishin të pranishëm në sallë si palë e interesuar, përfaqësuesit e Prokurorisë së Përgjithshme kërkuan që të mos legjitimoheshn si palë në këtë proces, pasi nuk kishin asnjë interes për të.
Pas dhënies së vendimit, në një komunikim me mediat, avokati i Dashamir Tahirit theksoi se beteja do të vijojë në Gjykatën Administrative. Por çfarë do ndodhë nëse gjykata vendos t’i japë të drejtë Tahirit?
“Çështja mbetet për t’u vlerësuar nga gjykata, por për ne kjo është pasojë e mungesave të ligjit. Fakti që ky ligj nuk e ka parashikuar këtë fakt duhet që ta interpretojë gjykata dhe të japë përgjigje për këtë problem”, deklaroi Julian Mërtiri.