Albspirit

Media/News/Publishing

Kur bie borë në Stamboll: një ngushëllim i mrekullueshëm, i shkurtër

Orhan PAMUK *

Bashkë me borën zgjohet poezia. Një ese.

Ishte gëzim i madh kur në dimrat e fëmijërisë sime binte shumë borë. Kryesisht për shkak se ishte një kundërpërgjigje ndaj përditshmërisë shkollore, e cila ishte monotone, e rëndë dhe represive. Kur binte borë, atëherë ne mund t’i shmangeshim detyrave shtëpiake, obligimeve dhe torturave të mërzitshme të jetës shkollore. Bora ishte shfajësim për të lënë punën, të cilën s’donim ta bënim, për t’i ikur jetës, të cilën s’donim ta jetonim. Kështu ndoshta mund të shpjegohet përse u bëra nostalgjik kur këtë javë ra borë në Stamboll. Mua dhe çdokënd këtu bora na bëri të harrojmë tmerret e sulmeve me bomba, shqetësimet poliike dhe represionet, kufizimet e demokracisë sonë dhe të lirisë së të shprehurit. Bora, çfarë ngushëllimi i mrekullueshëm, i shkurtër.

Prej shumë vitesh unë e fotografoj Stambollin në borë. Kur filluan të botohen librat e mi në botën e jashtme, një recensent amerikan më pyeti nëse në qytetin tim bie borë shpesh. Apo mua thjesht më pëlqente bora? Fotografinë e autorit për librat e mi unë e inskenoja para një sfondi me borë. Fotografitë e mia të para bardh e zi të Stambollit me borë u bënë kur unë isha 15-vjeçar. Atëbotë nuk kishte turistë. Kur ra borë këtë javë, ata mungonin po ashtu. Rrugët tani ishin përsëri të zbrazëta si dikur.

Bora te unë evokon imazhin e Stambollit të vjetër, i cili më dukej aq provincial. Qe dhjetë vite – kur bie borë – unë bredh nëpër qytet me aparatin tim fotografik. Me borën unë e ndërlidh pikësëpari qetësinë mesjetare që e sjell ajo. Boa më gëzon po aq sa protagonistin Ka në romanin tim «Bora». Kur bie borë në Stamboll fashitet Fëshfërima e Bardhë e tmerrshme, por edhe zhurma e trafikut. Hapat e fqinjit dëgjohen. Boritë e anijeve dallojnë prej tingullit të zogjve dhe të frymës. Tani mund të vëresh edhe përparësitë e tjera të gjërave, poezinë në rrugica, vlerën e jetës së njeriut, dhe fillon të shtrosh pyetje poetike. A është e nevojshme kjo masë e brutalitetit? A duhet të jetojmë në metropole me këtë trafik të tmerrshëm? A na duhet bora për të perceptuar veçoritë e njerëzve përreth nesh dhe të të gjitha gjërave që na rrethojnë dhe të cilave ne u gëzohemi?

Karakteri i Stambollit zgjerohet nga bora. Ai mbulon llumin, betonin, vendet e neveritshme, atë që e irriton syrin. Dhe çdo gjë e bën të re, ndryshe në mënyrë poetike, pitoreske si një pikturë. Bora e shndërron qytetin në hapësirë magjike, e cila na bën t’i harrojmë tmerret e përditshmërisë së llahtarshme. Me borën bëhet si të thuash e mundshme të ngrihet realiteti. Shumica prej nesh ishin të lumtur kur ra borë – si fëmijët që nuk shkojnë në shkollë në një ditë të zakonshme. Të dëgjosh në radio se ditën e nesërme shkolla do të qëndrojë e mbyllur – çfarë gëzimi!

*Orhan Pamuk, lindur më 1952, është shkrimtar turk. Më 2006 mori Çmimin Nobel për Letërsi.

Please follow and like us: