Normanët e hekurt, në besën e Petro Zhulatit
Ardhja e normanëve në Shqipëri, në vitin 1081, ka lidhje edhe me Zhulatin. Një dëshmi për këtë jep Eqrem bej Vlora në revistën “Shenjëzat” në vitin 1957: “Gojëdhëna e popullit në katundin e Zhulatit na thotë: Para kohës së Kaurit (koha e sundimit bizantin) rronte në Labëri një prijës i shquar, që quhej Papa Zhuli, i cili ishte udhëheqësi, ati dhe sunduesi i vendit të vet. Në kohën e tij erdhi nga “deti” një ushtri e madhe, anijet zbarkuan në Vlorë dhe Sarandë, njerëz të çuditshëm, me lesh në kokë si “bisht kali”, i udhëhiqte një vigan veshur me hekura…Ushtarët e tij erdhën deri në Fushën e Bardhë, që shtrihet nën Zhulatin. I dërguan Papa Zhulit lajmëtarë se nuk kanë ardhur për të pushtuar vendin. Kanë ardhur të kërkojnë rrugë kalimi për të…” .
Gojëdhëna vazhdon se Papa Zhuli, u kërkoi normanëve tri ditë afat pa e prekur njëri-tjetrin. Ai mblodhi Kuvendin e Maleve e “derë më derë” kërkoi nga një burrë të urtë, për t’i shoqëruar në Durrës, ku ishte kampi i Robert Giskardit. Shkrimtarët e asaj periudhe (Ana Komnena, Lupos Protopatharius, Pjetër Dhjakono e të tjerë) thonë që Boemondi (djali i Robert Guiskardit) pas thyerjes në Butrint nga trupat e perandorit Aleks Komneni në vitin 1084, mundi të kalojë nëpër malet e Shqipërisë, duke kërkuar besën dhe duke bërë marrëveshje miqësore me popullatat luftëtare të atyre viseve, sepse rruga nëpër luginën e Drinopolit ishte e zënë nga trupat bizantine.
Ngjarjet e flotës së Robert Guiskardit,- shton Eqrem Vlora,- i përshkruan edhe Kënga e Rolandit (La Chanson de Roland): “Me gojëdhënën, që treguam në këtë studim,- sqaron Eqrem Vlora,- ne nuk pretendojmë që kemi bërë një zbulim historik, ne e kemi paraqitur atë sikundër e kemi dëgjuar nga goja e popullit…kemi pasur parasysh që të tërheqim vërejtjen e gjithë atyre që kanë një dashuri e një dijeni më të plotë për folklorin”.
Studiuesi K. Luka, duke rimarrë tezën e studiuesit belg, Henri Greguar, mbi ngjarjet e sulmit Norman në tokat e perandorisë bizantine, shqyrton disa toponime të territorit shqiptar, me emrin Albejnje.-Albanie. Të parin e lokalizon te Kepi i Pallës ne Durrës, kurse të dytin afër Kepit të Gjuhëzës në jug të Vlorës.
Lidhur me këtë, profesor Kristo Frashëri ka shkruar: “Mjafton të kujtojmë episodin e Beligandit që ka hyrë te “Kënga e Rolandit”, i cili u ka përcjellë shekujve mesazhin e luftës heroike që zhvilluan francezët në vitin 778 kundër arabëve për mbrojtjen e tokës së tyre amtare. Sikurse e ka diktuar studiuesi belgjian Henri Gregoire, materiali historik i këtij episodi nuk ka të bëjë fare me ndeshjen franko-arabe. Madje, as me trevën e Pirenejve, por me Shqipërinë, me luftën që u zhvillua në truallin shqiptar tre shekuj më vonë, më 1081, në afërsi të Durrësit dhe Vlorës, midis bizantinëve, normanëve dhe shqiptarëve”.
Pikërisht në këtë periudhë të sundimit të Aleks Komnenit, Zhulati kishte përfaqësues pranë Perandorit arhondin Petro Zhulati, dëshmuar afërsisht 200 vjet më parë prej konsullit frëng Pukëvili, i cili ka lexuar prej Peshkopit të Gjirokastrës kronikën për Historinë e Epirit dhe të Luginës së Drinopolit: “Kur u bë perandor, Aleks Komneni njoftoi të gjitha krahinat t’i paraqesin krisobulat, duke u bërë të ditur se marrëdhëniet do të vazhdonin sipas detyrimeve të mëparshme. Drinopolitët dërguan Peshkopin Methodh së bashku me arhondët e krahinës, Dukën e Gjirokastrës, Markon e Kardhiqit, Andrean e Humelicës, Petron e Zhulatit…”.
Sikundër shihet, 900 vjet më parë, Petro Zhulati gëzonte titullin e administratës bizantine Arhond, ç’ka provon se në krahinë, në fund të shek të XI ekzistonte një strukturë ekonomike shoqërore feudale. Për rëndësinë e këtij manastiri Petridhi thotë se “pas vitit 1240 në Manastirin e Cepos u vendos selia e Peshkopatit, për arsye politike”.
Ne nuk i njohim këto arsye politike, por kuptohet se me sa rëndësi ka qenë Manastiri i Cepos, përderisa aty vendoset selia e peshkopatës së Drinopolit për vite të tëra. Ndoshta, vendosja e saj atje duhet të ketë lidhje me rezistencën dhe me luftërat e popullsisë së krahinës kundër administratës bizantine dhe feudalizmit kishtar, sepse varësia e krahinës, pas vendosjes së ndikimit bizantin, do të ishte e dyfishtë, jo vetëm prej perandorit, por edhe prej Peshkopatës si pronare e madhe tokash.
Vasilis Baras shkruan: “Peshkopata e Drinopolit ishte shumë e pasur dhe më e favorizuara prej Konstandin Pogoniatit, Andronik Eleimonit dhe Aleks Komnenit, të cilët i dhanë prona të veçanta dhe toka të shumta e pjellore në Kardhiq, Humelicë dhe Zhulat” .
Është i njohur roli i kishës në pushtetin bizantin, prandaj janë edhe të shpjegueshme favoret e tre perandorëve dhënë peshkopatës së Drinopolit. Por, këto favore, kanë qenë në kurriz të shpronësimit të feudalëve zhulatas, duke u marrë tokat më pjellore dhe duke vështirësuar jetesën e fshatarësisë vendase. Kemi një shkak shumë të fortë për konflikt. Petro Zhulati duhet të ketë pretenduar për vete pushtetin mbi vendin ku ai kishte zotërimet e tij, të dëshmuara edhe nga stema familjes fisnike të Zhulatit gjetur në arkivin e Vatikan dhe botuar nga Jaho Jahaj.
Historikisht Zhulati ka qenë pjesë e bashkësisë së madhe të Labërisë, që është shquar për traditat dhe konstitucionin e saj shpirtëror, të drejtën e vet zakonore. Emri Zhulat lidhet me hartimin e kanunit të Labërisë. Eqerem Vlora në revistën “Shenjëzat”, ka shkruar: “Në Shqipërinë e Jugut ka qenë në veprim një “ligj i zakonit” ndërmjet popullatave malore të Labërisë, Toskërisë dhe Çamërisë. Si kudo, edhe ky “ligj i zakonit” nuk ishte i shkruar, por rregullonte mendësinë, jetën dhe veprimtarinë e malësorëve…
Kanuni i Papa Zhulit pas viteve 1700 u quajt kanuni i Idriz Sullit. Si kanuni i Lek Dukagjinit në Veri, ashtu edhe kanuni i Papa Zhulit në Jug, kanë buruar nga shpirti i popullit shqiptar, nga nevojat që u impononin konditat në të cilat kanë jetuar e vepruar të parët tanë.”
Të tillë e ka hulumtuar atë edhe etnografi i mirënjohur Rrok Zojzi në Zhulat. Me ndryshimin e kushteve shoqëroro-ekonomike, ky kanun ka pësuar ndryshime. Traditën e Papa Zhulit e ka vazhduar Idriz Sulli. Profesor Çabej shkruan: “Thuhet se para afërsisht një shekulli u patën bashkuar dy të parët nga të Labërisë, Idriz Sulli prej Zhulatit dhe Demir Dosti prej Kardhiqit për të reformuar kanunin e vjetër …reforma do të ketë pasur lidhje me shkatërrimin e ngadalshëm të jetës së hershme të fisit” .
Të dy hartuesit e Kanunit të Labërisë, kanë qenë bashkëfshatarë, çka dëshmon se, historikisht Zhulati ka qenë një bashkësi me kuvende të shquara, me burra dhe prijës që rrezatonin përtej krahinës. A ishte e mundur që në bashkësinë e Zhulatit, në fund të shek. XI, të kishte në të njëjtën kohë dy figura kaq madhore që i kapërcenin kufijtë e bashkësisë dhe rrezatonin në tërë Labërinë: Petro Zhulati dhe Papa Zhuli?
Elegjia e gjetur në Prongji nga dirigjenti, “Artist i Merituar”i Roland Çene, gjatë ekspeditave folklorike të vitit 1972, të kënduar nga Majko Lluri së bashku me një grua shumë të moshuar, e trajton Petron në aspektin e luftëtarit dhe komandantit: Ç’i bëre gjith’ ata trima/ Me kuajt si vetëtima/ jataganët vringëllima…
Elegjia që përcjell Misidhe Rexhepi, mbledhur nga prof. Bardhosh Gaçe në Lepenicë të Vlorës, e trajton Petron në aspektin e “burrit të kuvendit”, për të cilin “dyzet burra kanë zënë vajin”: Labëria ka zën’ vajnë’ Se e vran’ Petro Zhulanë/ Dizet trima se ç’e qajnë/ E qajnë, e bëjnë gjëmë, /Se ish burrë për kuvendë…
Kemi një ligjërim kolektiv të të gjithë Labërisë, sikundër tek Iliada, ku ligjërojnë edhe burrat. Duhet të jenë të forta arsyet historike dhe shoqërore që në fshatrat e Vlorës, të këndohet një këngë e Zhulatit, ngritur një prijësi të kohës së Bizantit.
Elegjia e nënës për të birin, e gjetur në Zhulat nga mbledhësi i folklorit Mitat Kondi, e trajton të birin në aspektin e “inatit kundër të huajit”, duke përcaktuar edhe kundërshtarin: Lum, o, bir Petro Zhulati/ Kal’ i kuq sa gjysmë shpati/ Me Bizant të zu inati…
Kemi të trashëguar tri elegji, nga tri ligjëruese të ndryshme, për tri cilësi të ndryshme, cilësi që përbëjnë thelbin e personalitetit të Petro Zhulatit, udhëheqës-luftëtar, patriot, burrë kuvendi, Ati dhe sunduesi i vendit te vet. Të tria elegjitë i kanë shpëtuar asgjësimit, duke sjellë në breza tre cilësi aq të domosdoshme për një prijës në atë kohë të vështirë që po kalonte bashkësia. Prandaj themi se Petro Zhulati është vetë Papa Zhuli, ndaj elegjia i përket atij.
Fjalët “lum, o bir” në ligjërimin e nënës, na vërtetojnë se në gjenezën e saj, kënga ka qenë një elegji e dalë nga ceremoniali mortor i Petro Zhulatit, ku forma e jashtme ka qenë pjesë e rëndësishme e mendimit epik. Nga një mbiemër vlerësues për veten, “e lumja unë”, për arsye artistike, të kërkesave që ka poezia popullore me theksin në rrokjen e tretë, ka mbetur në formën e një thirrme – “lum o bir”. Ajo është shprehje që i takon ligjërimit të thjeshtë popullor, prandaj është e kudogjendur në krijimtarinë orale dhe në poezinë epike shqiptare. Në këtë trajtë shfaqet ajo edhe te Cikli i Kreshnikëve.
Lind pyetja përse të jetë vrarë Petro Zhulati? Luftëtarët Zhulatas i shoqëruan nëpër Labëri normanët deri në Durrës, tek Robert Guiskardi, dhe janë kthyer në shtëpitë e tyre. Por, ata ishin nënshtetas të Perandorisë Bizantine, rreshtimi i tyre me kundërshtarin e perandorisë, e ka nxitur Perandorin Aleks Komneni të nisë trupat e tij ndëshkimore kundër Petro Zhulatit, dhe ky i ka pritur në fushën e betejës. Ose Petrua është vrarë në këtë inkursion ndëshkimi, që është më i besueshmi ose në betejat kundër trupave perandorake pas fitores së Aleks Komnenit mbi normanët.
Larmia e melodive elegjiake dhe e figurave poetike, fjalitë patetike, për t’i paraqitur si të pavdekshëm heroin dhe luftëtarët e tjerë të vrarë në betejë, krijojnë atmosferën e përgjithshme të humbjes së madhe. Sikundër shihet, ky akt tragjik përmes një arti sinkretik është konceptuar estetikisht, ku mbizotërojnë heroikja dhe epizmi.
Në këtë kontekst ne kemi bindjen se populli i Normandisë do t’i jetë mirënjohës popullit të Labërisë, që sakrifikoi djemtë e tij për të mbajtur besën e dhënë, për të shpëtuar normanët e thyer në Butrint.
Normanët në Shqipëri
Normanët u shfaqën në Italinë e jugut të ftuar nga Bizanti, i cili fillimisht i përdori ata kundër arabëve saraçenë, të cilët në vitet 827-902, i kishin shkëputur Perandorisë Bizantine, Siçilinë. Grupi i parë mbërriti nga Normandia në Itali në vitin 1009, nën drejtimin e Rainulfo Drengot, për të shtypur revoltën antibizantine të Barit. Më pas erdhën me radhë të bijtë e Tankredit të Hautevilit (Hauteville), një fisniku të vogël norman, të cilët këtu morën mbiemrin e italianizuar Altavila. I pari ndër ta ishte Vilhelm Krah-hekuri, i cili në vitin 1043 pushtoi Kontenë e Melfit në Pulia. Më pas do të zbarkonte i vëllai i tij, Robert Guiskardi, pushtimet e mëdha të të cilit e bindën Papën që ta njihte në vitin 1059 me titullin, “Dukë i Kalabrisë, i Pulias dhe i Siçilisë”. Kështu, Papati u përpoq që t’i përdorte normanët si instrument për të vendosur kontrollin politik dhe fetar në Italinë e Jugut, me qëllimin që të dëbonte që aty bizantinët ortodoksë dhe arabët myslimanë. Natyrisht që kjo politikë i dha frytet e veta. Në vitin 1071 Robert Guiskardi dëboi përfundimisht Bizantin nga Italia e jugut, ndërsa 20 vjet më vonë Roxheri bëri këtë gjë me arabët. Më 1061-1071 Roberti, Roxheri, Boemundi dhe Tankredi, nisën sulmet ndaj bregdetit shqiptar.
Lum, o bir, Petro Zhulati
Kal i kuq sa gjysmë shpati
Me Bizant të zu inati
Ç’i bëre gjithë ata trima
Me kuaj si vetëtima
Jataganët vringëllimai?…
………………………………….
Labëria ka zën’ vajnë’
Se e vran’ Petro Zhulanë
Dizet trima se ç’e qajnë
E qajnë, e bëjnë gjëmë,
Se ish burrë për kuvendë…
Zhulati – Histori
Kronikat e vjetra për fshatin Zhulat dikur e përmendin atë me emrin Julius, diku Zhul, diku ndryshe. Sundimtarët bizantinë e më vonë venedikasit janë interesuar, jo aq shumë për vetë Zhulatin, por më shumë për pronat e banorëve të Zhulatit përgjatë bregdetit Jonian, fushat e luginës së Rrëzomës e në gjithë pellgun e begatë të Delvinës. Historiani turk, Evlia Çelebi, shkruan se Zhulati ndodhet në një zonë të thellë malore, ka 200 shtëpi të vendosura pranë një fortifikimi natyror tepër mbrojtës. Shpatet e maleve dhe kodrave përreth tij ishin të mbuluara me vreshta. “Banorët e tij merren me shkëmbime të produkteve të zejtarisë me qytete të tjera brenda dhe jashtë krahinës… Kështjellën e Zhulatit e ka themeluar mbreti i Spanjës, kur këta banorë ishin aleatë të tij. Më vonë, me dredhi e shtiu në dorë Duka i Venedikut e më pas në shekullin e Bajazitit të shenjtë, e zaptoi Gjedik Ahmet Pasha… Ajo ngrihet drejt qiellit në mënyrë madhështore… Kështjellë e pashembullt në bukuri, të cilës mund t‘i përngjasë ajo e Kordusit ose ajo e Benefshes në Peloponez”.