Rrëfimi i mjekut francez: Takimet me Enver Hoxhën
Yves Pouliquen, mjeku i diktatorit Hoxha përshkruan qëndrimin e çuditshëm të këtij njeriu, ashtu siç ishte, me një kulturë të zakonshme, me qëndrime, pamje dhe huqe të tmerrshme, të cilat e drejtonin në qëllimet e tij gjoja filantropike që kishte për vendin e popullin që udhëhiqte.
Përshkruan gjithashtu dhe besnikët e tij më të afërt. Materiali i mëposhtëm është shkëputur me shkurtime nga libri “Mjeku dhe diktatori”, i Yves Pouliquen, anëtar i Akademisë Franceze, vlerësuar nga presidenti i Repulikës Franceze me urdhrin “Oficer i Lartë i Legjionit të Nderit”
Me një avion të kompanisë “Air France”, nga aeroporti i Parisit për në Beograd, kirurgu i famshëm i spitalit francez “Broussais”, Yves Pouliquen, i shoqëruar nga “diplomatë” të çuditshëm, ndërmori udhëtimi më të veçantë në jetën e tij, drejt Tiranës, kryeqytetit tw diktaturës më të mbyllur nw Evropë. Misioni: të vizitonte Enver Hoxhën, udhëheqësin e Shqipërisë.
Gjithçka nisi në vitin 1979. Në kulmin e Luftës së Ftohtë, mes dy kampeve. Shkenca dhe Mjekësia ishin të vetmet që mund të bënin shkëmbimin dhe ndërhyrjen mes vendeve lindore e atyre perëndimore. Perëndimi u ofronte elitave të vendeve komuniste një kujdes dhe shërbim mjekësor.
Të shumtë ishin ata liderë që kishin përfituar shërbimet mjekësore perëndimore për të zgjatur jetëgjatësinë e tyre. Nga ana tjetër udhëheqësit e këtyre shteteve nuk mund të zhvendoseshin në spitalet e perëndimit. Por shëndeti kishte kërkesat e tij. Kjo histori ka ndodhur 37 vjet më parë.
Historia e mjekut francez, Yves Pouliquen, nuk është e vetmja, por e radhës. Mjekë të tjerë të njohur kishin vizituar diktatorin. Është një rrëfim i sinqertë, i paanshëm. Sipas vetë mjekut “dialogët që sillen në libër nuk pretendoj se janë 100% të saktë, por janë besnikë të atyre marrëdhënieve dhe situatave, shpirtit, dhe gjithë kolegëve e njerëzve që më shoqëruan në udhëtimin tim në Shqipëri, sikurse edhe vetë dialogët me udhëheqësin Enver Hoxha”.
Gjatë qëndrimit në Shqipëri ai njohu egërsinë e regjimit që mbante ky njeri i hekurt mbi atë vend si dhe dëshirën e mjekëve profesionistëve, kontaktet me të cilët ishin shumë të rralla. Ky rrëfim është njëherësh edhe portreti i diktatorit të vendit më të vogël komunist në botë, është rezultantja e shikimit të një perëndimori që pati rastin të takojë në një moment të caktuar, stalinistin më të pastër të brezit të tij, një njeri që pretendonte seriozisht se po e bënte vendin e tij modelin më universal në planet.
Paris- Beograd – Tiranë
Më 7 maj 1979, po përjetoja jashtë dëshirës sime, aventurën që nuk do ta kisha imagjinuar asnjëherë më parë. Pothuajse si në një film, me të gjitha elementet e duhura për të krijuar mister, ankth, dyshim. Më dhanë rolin kryesor. Pikërisht atë ditë belbëzova edhe replikat e mia të para.
Kalimi nga Beogradi ishte i nevojshëm, sepse atëherë nuk kishte një fluturim direkt, me sa di unë, Paris – Tiranë. Kjo zhvendosje, me sa kuptova, kishte kohë që ishte menduar. Kishin dashur ta evitonin, por gjendja e Udhëheqësit, po keqësohej.
Duke marrë parasysh shqetësimin tim ekstrem për parapërgatitjen, etapat e mëparshme të konsultimeve, imagjinoja se edhe udhëtimi im do të ishte i shpejtë, i fshehtë. Kështu u befasova kur në hollin e aeroportit të Orlit pashë ambasadorin i cili qëndroi në krahun tim thuajse derisa u nisa te avioni, pa e kuptuar aspak qëllimin e kësaj “vizite” të tij deri në aeroport.
U habita edhe më shumë kur në avionin “Air France” më vendosën në një vend të klasit të parë, me atasheun e ambasadës që më shoqëronte, megjithëse do të ndihesha më rehat në klasin e zakonshëm, pasi më dukej më i përshtatshëm, duke marrë parasysh edhe parimet e të ftuarve misteriozë. Përfundimisht, donin të më trajtonin mirë, gjë që e konfirmonte më shumë edhe vetë prania e ambasadorit, sikurse edhe ajo e atasheut gjatë gjithë kohës për në Beograd.
Ishte një udhëtim pa histori, përveç faktit se i kisha kushtuar më shumë rëndësi atij detajit në hollin e aeroportit të Orlit.
U takuam edhe me Ambasadorin e Shqipërisë në Beograd: S.P. Një burrë i bukur, 47 vjeç, siç më tha më vonë, me një fizik që i ngjante Michael Lonsdale (aktor i famshëm i viteve 70-80- të). Fytyra e tij e bukur ndriçohej nga dy sy kafe të gjallë.
Frëngjishtja e tij ishte pa të meta. Shprehu një simpati të madhe për gjuhën dhe vendin tonë. Ambasada ku më çoi ishte ndërtuar në një nga shëtitoret më të bukura të Beogradit. Hoteli ku ai banonte, – më tha, – i përkiste dikur njërit prej ish-kryeministrave të Jugosllavisë së para luftës. Me të mbaruar ceremonia, ambasadori më tha se kishte parashikuar një drekë në qytet.
Dua të shtoj se ambienti i këtij lokali ishte shumë poshtë asaj që pretendonin të ftuarit e mi sikurse unë vetë. Herë pas here fliste për ndonjë shkrimtar francez apo vepra kryesisht ato historike që kishin ndihmuar Shqipërinë.
Në tavolinë u fol edhe për shkopinj të thyer që kishin dashur të na kundërviheshin e që na pengonin në rrugën tonë drejt afrimit. Pa harruar nga ana tjetër, diferencën e thellë që qëndronte në origjinët tona, në kulturat tona, dhe mbi të gjitha në angazhimet tona…
Për t’u gjendur në aeroport sa më shpejt, ambasadori S.P kishte parashikuar të vinin të më mirrnin në hotel që herët në mëngjes. Ishin në një saktësi të përkryer. Binte pak shi. Gjatë takimit mu kujtua nata e shqetësuar, por gjithçka kaloi mirë, i thashë ambasadorit.
Bënte një kohë shumë e bukur kur avioni u ul në Tiranë, mbi pistën e aeroportit të vogël e të vetëm të këtij vendi. Punonjës e nëpunës të qeverisë kishin dalë të më prisnin, të cilët binin në kontrast me misionin dhe fshehtësinë që duhej në këtë rast.
Nuk ishte aspak momenti. A e dinin ata, të gjithë që po më prisnin, qëllimin e vërtetë të vizitës sime? Dyshoja derisa shënova praninë time në komitetin e pritjes, ku bënin pjesë edhe dy mjekë që i kisha njohur në Paris, doktor K dhe Y. Ata e dinin qëllimin e ardhjes sime.
Pas disa fjalë mirëseardhjeje, ata më ftuan të pij diçka në emër të miqësisë franko-shqiptare, që më kishte dhënë mundësinë të isha pranë tyre. Ishte e kohë t’u thoja se gota e verës së bardhë që më ofruan e që e piva me zor, nuk më bënte mirë, por ajo kishte vlerën e një simboli, edhe pse s’bëri gjë tjetër veçse e keqësoi edhe më shumë dhimbjen time të kokës dhe gjendjen time pështjelluese.
“Zbulimi” i kryeqytetit shqiptar
… Me një Mercedes zyrtar po më çonin rrugëve të Tiranës. Kishte ardhur çasti të zbuloja Shqipërinë. Vetura ecte me shpejtësi të ngadaltë në asfaltin jo aq të rehatshëm në të vemten arterie që lidhte aeroportin me kryeqytetin.
Rruga ishte e gërvishtur nga kamionët e mëdhenj, të cilët, siç më thanë më pas, paksa në mënyrë konfidenciale, ishin prodhuar në Kinë. Të them të vërtetën, këta kamionë më ngjanin më shumë sikur ngecnin në anë të rrugës, edhe pse shoferët e tyre mundoheshin të çanin rrugën.
Në dy anët e rrugës arat me barin e njomë i qeshnin diellit dhe duket sikur shkëlqenin. Pemishtet ishin të mbushura plot me pemë që kishin çelur lule dhe zbukuronin rrugën tonë. Po ashtu plepa të lartë zgjateshin në dy anët e rrugës.
Mësova nga të pranishmit se këta plepa ishin me origjinë kanadeze, të cilët, Hrushovi, gjatë vizitës së tij në Tiranë e kishte këshilluar udhëheqësin Enver Hoxha t’i zëvendësonte me fiq. Një sugjerim, që edhe pse isha me migrenë, m’u duk i dyshimtë. Aq sa më lejonin pemët munda të shoh shumë “kërpudha” të vogla, të betonuara, paksa mbi tokë.
Them shumë sepse në çdo cep are pothuajse në të njëjtën distancë shfaqej e njëjta pamje gjatë gjithë rrugës. I gjithë ai beton, çimento i përdorur për ato kërpudha, më intrigonte, si çdo njeri tjetër, aq sa pyesja veten se si arrijnë këta njerëz të merren me bujqësi?
M’u duk e natyrshme t’i pyesja miqtë e mi për natyrën e tyre. Ata më thanë se këto krijesa ishin të destinuara për të strehuar qytetarët e për t’i mbrojtur ata në rast agresioni ndaj vendit të tyre. Bashkëbiseduesit e mi nuk thanë gjë më tepër, madje e hoqën fjalën shumë shpejt nga ajo temë, kur pashë pamjen e tyre të heshtur nga kjo konfidencë.
Nuk e hiqja dot nga mendja se si i gjithë populli vuante nga paranoja të tilla sikurse vetë udhëheqësi i tyre. E dija se fqinji i tyre Tito, pak kohë më parë ishte një shenjt këtu. Raportet me fqinjët e tjetër nuk ishin aspak të dashura. Për më tepër dyshoja se a ishin tw justifikuara gjithë ata masa për t’u vetëmbrojtur dhe a do të kishin ndonjë efikasitet real në rast të ndonjë sulmi të armatosur?
Ajo ç’ka mësova më vonë, nuk ishte asnjë, veçse nënvizoi të kundërtën. Vendimi për të ndërtuar këta bankierë kishte lindur që nga Republika Popullore e Shqipërisë. Në 1950, njeriu që kisha takuar kishte dhënë urdhër që ata të ndërtoheshin kudo, ku ishte e mundur, të mbulohej i gjithë vendi.
Numri i tyre ekzakt? Edhe sot në ditët tona ai është i paqartë. Afro 500 mijë të tillë në të gjithë vendin. Ka një llogari që secili prej tyre ka një kosto sa një apartament me dy dhoma. Pra ka një për çdo pesë banorë, në një diametër prej 7-9 metra, në një kohë kur regjim nuk mbulonte dot me banesa mijëra familje.
Thuhej se ata bunkerë nuk kishin asnjë efikasitet dhe se nuk mund të shërbenin për asgjë tjetër, vetëm për të dashuruarit, të cilët bënin në atë regjim lidhje e duhura të dashurisë, mbi dyshemenë e tyre.
Një qetësi zotëronte në atë vend kur automobili ecte rrugës, një qetësi që rëndonte mbi natyrën e nxehtë dhe të rëndë të karrocave e qerreve me kuaj të vegjël që ecnin nëpër rrugë, mbi të cilët qëndronin fshatarë të rinj me pantallona të fryra, me xhaketa të zeza. Këto imazhe i gjeje që prej kohës së Turqisë, deri në cepat e largët të Adriatikut.
Koha nuk i kishte përmirësuar aspak. Por ky vend i rëndë, i zbukuruar me lulet e fushave më ngjallte paksa mallin e Normandisë në fëmijërinë time, të cilës lufta i kishte sjellë një qetësi të detyruar, që prishej vetëm nga kënga e zogjve dhe ajo e fshatarëve herë pas here. Ishte një atmosferë si dikur që po gjeja edhe këtu..
Tirana, më në fund, mu duk si një kryq i madh prej asfaltit, i përbërë nga dy shëtitore të mëdha. Në dy krahët e shëtitores ngriheshin ndërtesat zyrtare, ato të sindikatave, të presidiumit, universiteti. Në qendër ngrihej statuja e Stalinit, dhe besoj se këtë e shënova edhe në bllokun tim gjatë rikthimit. Burra e gra, veshur me të bardha e të zeza, – modë apo detyrim, gjallëronin ecjet në atë orë të drekës, sikurse çiklistët e rrallë që kryqëzonin rrugën me makinat e rënda e të zeza zyrtare.
Kalimi i tyre përshëndetej me grusht (një gjest respekti, ritual komunist, më thanë) nga agjentë policie të qarkullimit si dhe shumë ushtarë të popullit të veshur, paksa herët, në mënyrë pranverore. U ndamë nga pjesa e zakonshme e qytetit për t’u futur në pjesën rezidenciale, të mbushur plot me vila borgjeze të konfiskuara më parë nga pushteti.
Pamje e bukur, e rrethuar me kopshte të bukura. Në këto banesa moderne jetonin njerëz të qeverisë, ministra etj. Qytet i ndaluar për popullin. Një qyteti i qetë, me rrugë të ngushta që kontrolloheshin në çdo cep nga ushtarë fanatikë, ditë e natë. Në një nga ato vila më kishin rezervuar të banoja gjatë qëndrimit tim në Tiranë.
Këtë gjë e zbulova në të njëjtën kohë me shoqëruesit e mi. Sapo mbërrita më thanë të bëhesha gati shpejt. Ishte koha e drekës dhe menjëherë do të shkonim për të drekuar, pas akomodimit tim.
Ministri Shëndetësisë do të udhëhiqte drekën, që i ngjante pothuajse si darkës, të paktën nga pjatat që na servireshin. Të ftuarit e tjerë, të buzëqeshur, me gotë në dorë, uronin me simpati ardhjen time dhe kënaqeshin në atë vakt të bollshëm.
Mes tyre, gjeta, për kënaqësinë time, ish-nxënësin tim, S.S, që kishte qenë asisteni im në spitalin Hotel Dieu, para 9 vitesh, si dhe profesor Hoxha, me të nëjtin mbiemër si udhëheqësi, të cilin e kisha kuruar në Paris gjatë qëndrimit të tij, me të cilin pata raporte të shkëlqyera.
Gjendja ishte pak a shumë delikate. Gjithçka që kërkoja ishte pushimi, qetësia, dieta. Tek të ftuarit ishte e kundërta. Ata kishin përgatitur me kujdes ardhjen time, në këtë vilë të bukur, që më vihej në dispozicion, me një personel që mu prezantua, duke përfshirë një kuzhinier si dhe një shërbyese të dhomës.
Vila e bukur dhe e madhe kishte pamjen e një ndërtese private. Ishte mobiluar në stilin Ruhlmann dhe zbukurimet datonin që në vitin 1930. Vazot, tablotë, statujat, ishin pamjen e një amatori apo thjeshtë të një dekoratori. Asgjë nuk më dukej se kishte ndryshuar që nga koha kur e kishin zgjedhur. Madje zbulova edhe foto familjare që ruheshin nëpër komodina.
Me siguri ia kishin marrë një familjeje borgjeze?! Për ta kompozuar, natyrisht radhët e bibliotekës ishin të mbushura nga proza e madhe e udhëheqësit të madh shqiptar. Aty ndodheshin 90 volume të tëra të këtij grafomani të madh, prej të cilave rreth 40 prej tyre ishin të përkthyera në frëngjisht.
Po ju pohoj se përdora vetëm dhomat që më kishin caktuar, dhomën e gjumit, aty ku varja rrobat, në dollapin e madh, si dhe banjën prej mermeri, duke u përpjekur që të imagjinoja fatin e atij që e kishte ndërtuar për vete por që iu desh ta braktiste. Duhej të bëhesha gati për të drekuar….
U drejtova nga salla e ngrënies. Për habinë time të madhe, kur mendoja se ata do kishin ikur tashmë, ora 17, ata ishin përsëri aty, po më prisnin, të mbushur dhe të kënaqur nga dreka. Askush nuk kishte ikur, nuk mund të më braktisnin. Ata kishin për mision të mbushnin mbrëmjen time. Dhe po e bënin. Tashmë unë duhet të luaja rolin tim.
Më morën e më çuan në sheshin e madh, të cilin e kisha kaluar gjatë ardhjes sime, në vendin tim të madh, të rezervuar, para një ndërtese, të cilin unë e mendova si një ndërtesë kulturore. Ndërtesa ishte pa sharm, në stlin sovjetik dhe kishte zënë gjithë atë vend.
Asistova në një lloj operete në të cilën këngët lirike të dashurisw ishin zëvendësuar nga këngët patriotike dhe ku personazhet me uniformë shfaqeshin në sfondin e një flamuri të kuq, me pushkë e me çekan, të gatshëm të vdisnin më parë për atdheun se për dashurinë.
Punëtorë, ushtarë fshatarë, përbënin korin si dhe kërcimet folklorike në atë sallë që isha i bindur se në vend që të më kënaqte, po më lodhte, edhe pse qëllimi i saj ishte për të edukuar popullin. I dalloja frymëzimet e tyre të ngatërruara me ato të mbrojtësve të këtij populli të vogël, si tek sovjetikët me uniformat e tyre të rënda që jepnin mesazhin se “e nesërmja këndon”, te kinezët me efektet e flamurit, dhe që zhonglerët e shpejtë në skenë i vërtitnin para nesh. Megjithë nderin që më bëhej e që unë iu shpreha me mirënjohje, po mendoja me një stres e keqardhje të thellë për demonstrimin e këtij arti stereotip komunist…
Takimi me Enver Hoxhën
Mbaj mend se rezidenca e udhëheqësit Enver Hoxha nuk ishte shumë larg vilës ku vinin e më kërkonin shokët e qytetit. Kisha kaluar një natë të shkëlqyer dhe ndihesha shumë në formë në atë mëngjes të bukur. Më morën menjëherë. Ajo, rezidenca, në pamje të parë, m’u duk si e veçuar prej të tjerave. E dallova nga një portë e thjeshtë që hapej në një kopsht para.
Nuk më bëri fare çudi fakti që udhëheqësi Enver Hoxha ishte aty, me atë përpikëri ushtarake, në pamjen e parë me të, në këmbë, që në hapat e tij të para, me krahun e shtrirë para me ngrohtësi, me një buzëqeshje të gjerë, në tërë fytyrën, duke më shprehur gëzimin e tij që po më priste. Me tregoi mirënjohjen e tij që kisha pranuar të vija në Tiranë e që u interesua edhe për udhëtimin tim deri në Tiranë.
E gjitha kjo në një frëngjishte ekselence, me theks, që vinte këndshëm tek unë, duke e dredhur fare lehtë r-në. E falenderova përzemërsisht dhe i shpreha menjëherë gjithë kënaqësinë që ndieja.
Pas këtyre fjalëve të mirëseardhjes, më urdhëroi ta ndiqja pas. Vija re trupin e madh, zhvendosjen e tij paksa të rëndë, dhe siluetën e tij mbresëlënëse. Më drejtoi drejt një dhome katrore, mbi bazën e të cilës ishte një platformë, ku gjendeshin dy kolltuqe të mëdhenj, i tij dhe në të majtë të tij, i mi.
Më ftoi të ulesha. Përballë nesh u ftuan dhe zunë vend, mbi disa karrike të vendosura në anë, të tjerë njerëz të ardhur, 10 apo 12 vetë, mjekë, apo pjesëtarë të qeverisë që na prisnin. Po shtoj se dëshmitarët e këtij takimi nuk ishin vendosur në një pozitë të favorshme.
Nisur nga fakti i vendosjes së karrikeve të tyre, nuk ishin përballë nesh dhe ishin të detyruar të bënin një rrotull të mundimshëm të kokës për të na parë. Kjo mu duk se kishte shumë diferencë dhe qëndrim.
Enver Hoxha e mori fjalën në frëngjisht, një gjë që m’u duke se jo të gjithë të pranishmit e dinin dhe e ndanin me shumë vështirësi me ne. Ai kujtoi shkaqet e thirrjes sime në Tiranë, duke nënvizuar admirimin që kishte për mjekësinë franceze dhe rinovoi edhe një herë falenderimet e tij për këtë kënaqësi të ardhjes sime në Shqipëri.
Unë e sigurova atë me kënaqësi, në mbështetje të fjalës së tij dhe isha i prekur nga besimi që ai më kishte dhënë dhe i transmetova edhe respeketin që kishte për të edhe profesori që më kishte nisur këtu, Paul Milliez.
Më kujtohet se nuk u zgjatëm më shumë në këtë drejtim. Ajo që dua të them është se më la përshtypje mbi të gjitha çasti kur ra fjala për asistencën mjekësore, udhëheqësi e hodhi poshtë me një xhest të shpejtë të dorës së djathtë, një xhest të cilin të pranishmit e tjetë e aprovuan në një mënyrë të frikshme, përveç dy optalmologjistëve që qëndronin me mua, por që ndanin me të tjerët një lloj shqetësimi të brishtë. Një xhest brutal, pa kuptim, një lloj “ju kam parë”, që donte të thoshte ndër të tjera një lloj urrejtjeje që i kishte lindur nga përsëritja apo zakoni.
Mbeta i shokuar dhe mendosa se asnjë mbret, mesa kisha njohur unë, nuk mund të shprehej ashtu, në atë mënyrë për një rast të tillë. Gjithashtu dua të nënvizoj se vura re modestia e rrethanave që na bashkonin, ishte veçantë. Ne ishim të filmuar, gjatë kohës që presidenti fliste. Pas supit tonë, një kamera e vendosur mbi tre këmbë, pas saj një operator, filmonte takimin.
Nuk e dija deri atëherë se Enver Hoxha e kishte mani që të regjistronte çdo lloj takim e akti publik. Filmi që Robert Qafzezi dhe Mesut Tugan bënw për stacionin e njohur Arte, më 1997, mbi Shqipërinë e Enver Hoxhës, kishte nxjerrë nga arkivi privat sekuenca të tmerrshme e mjaft patetike. Kush vallë e di se edhe takimi ynë është i dukshëm në pelikul e që në të ardhmen historia, pa të keq, mund ta harrojë?
Sapo presidenti tregoi se pritja zyrtare kishte mbaruar, pra ajo protokollare, sepse supozohej se aty ishin të pranishëm disa ministra, ishte për të treguar se përse unë ndodhesha aty: konsultimin mjekësor. Një sallon i vogël ekzaminimi ishte përgatitur dhe në mënyrë të rehatshme edhe i pajisur për këtë qëllim. Atëherë pata rastin të bëja objektivisht elementet e një ekzaminimi, që deri atëherë e kisha bërë në distancë. Konkluzionet e mija, natyrisht që do të ishin të fshehta.
Munda që me praninë e asistentëve oftalologjistë shqiptarë, të cilët kishin bërë parapërgatitjet deri në detaje, të bëja një vëzhgim shumë të kompletuar të cilën pacienti ynë e priste me vetëkënaqësi, durim dhe mirësi.
Ky ekzaminim përmbushte një të tillë që unë e kisha hasur në konsultimet e mia në Paris, me një prej të sëmurëve të mi të zakonshëm. Asnjë kapriçio, asnjë refuzim propozimeve të mia dhe gjurmëve që le pas çdo ekzaminim mjekësor, të cilave ndonjëherë pozicioni social i pacientëve të mi më kishte mësuar.
Në një lloj mënyre, një qëndrim normal që çdo lloj fantazie që i lejonin ndonjëherë më të fortët, po më turbullonte. I mbështetur fort në të gjitha informatat që kisha grumbulluar e që më ishin vënë në dispozicion edhe kolegët e mi shqiptarë, përpilova konkluzionet pacientit tim, dhe e sigurova se kishte zgjedhur shkëlqyeshëm sëmundjen edhe pasojat.
Këto të fundit do të na lejonin të kishim të tjera ndërhyrje në një të ardhme jo fort të largët. Pashë se atë e mbërtheu një lloj pasigurie tek fakti qw morën në konsideratë dhe m’u desh që ta risiguroja më shumë për të zvogëluar efektet duke përshkruar hollësisht veprimet terapeutike që unë parashikoja. Kudo ku të qëndronte avantazhi i programit që po prezantoja, unë i jepja atij garanci dhe siguri të mëtejshme.
Kisha kënaqësinë nga ana ime që të jepja të gjitha elementet e duhura, ndryshe nga ato që më servirën kolegët e mi në bodrumet e Brusesë dhe të mundja t’i hartoja pacientit tim që më ishte besuar, një verdikt për herë të parë të nevojshëm.
Thelbësorja e misionit tim ishte përmbushur. Pacienti dhe unë ishim të ndërgjegjshëm. Më falënderoi edhe një herë me insistim. Mu lut dhe mu shfajësua që nuk mund të më priste më gjatë dhe më besoi një bisedë të dytë, të pasnesërmen, ku ne do të flisnim për sytë e tij.
Dhe, i kënaqur, më tha se do të përfitonim më shumë për t’u njohur më mirë. Duke më përcjellë më tha se kishte parashikuar për mua një vizitë turistike mbasdite në Durrës dhe në Durrakuimin romak.
Takimi i dytë me diktatorin
Ai ishte i bindur që ne do të ritakoheshim këtë të premte, pasdite, për të kompletuar më mirë intervistën e nevojshme të lënë përgjysmë dy ditë më parë si dhe të bënim “një njohje më të thellë”, siç ma kishte sugjeruar, duke më përcjellë atë ditë.
Ai më priti i vetëm, pa dëshmitarë. E rigjeta në zyrë. Një dhomë me përmasa dhe pamje të zakonshme, me mure të zbukuruar me dru, sikurse e gjithë zyra e tij e bllokuar nga një dritare ku hapej një perde modeste. Gjithçka ishte në rregull, në vendin e saj, librat në bibliotekë, dosjet nëpër kasa.
Ambienti ishte ai i një profesori që jetonte në një vilë jashtë qytetit, dhe dekori me një thjeshtësi të habitshme, që vetëm një objekt apo një copë e kolltukut të lindte deri diku një shije të keqe. Një sy i shpejtë më bëri të kuptoj se gjendesha në një strehë të një mësuesi mendimtar. Aty mendova se i ka shkruar gjithë ato faqe me shkrime politike.
Aty afër tavolinës së tij më ftoi të ulesha. Kisha para meje udhëheqësin absolut të shqiptarëve, atë që e bënte një popull të tërë të dridhej, atë që disa prej bashkëqyterëve të mi e besonin se ishte pasuesi i vërtetë i besimit komunist, atë që disa të tjerë e urrenin. Ai ishte aty, para meje, për t’iu nënshtruar egzaminit tim, duke më besuar një pjesë të intimitetit të tij, për të cilin unë e supozoja shumë xheloz. Kush isha unë për të?
Pardje, akoma, një i panjohur, por prej pak kohësh në sajë të kolegëve të mi shqiptarë një njeri që kisha në dorë çelsat e të ardhmes së tij. E vërtetë, se sikurse ata edhe unë dija sekretin e tij, por në diferencë me ta, unë isha i lirë, dhe kjo liri më jepte një rol shumë të veçantë, në mënyrë që mund ta mbaja nën zotërim dhe të mos e lejoja të dilte jashtë kontrollit. Ishte një epërsi që nuk ma kishin këshilluar, por e imagjinoja, se vinte pas sa e sa hezitimeve.
E kisha vënë re që në konsultimet dhe preokupimet e tyre në bodrumet e Brusesë në Paris. Por ishte një vendim që ishte marrë në mirëbesim të plotë dhe këtë e ndjeva në minutat e para të bisedës, që përbënte edhe thelbin e gjithë marrëdhënieve tona.
Në këto premisa kaq të dëshiruara, unë vura re se ai qëndronte para meje me një thjeshtësi që e kishte nga natyra. Mbante një kostum gri të çelur, me prerje korrekte, asgjë më shumë dhe një kravatë të errët. Ai bluante në fytyrën e tij, shumë të re, megjithëse i kishte kalar të 71 vitet, një mimikë të qeshur, me një qeshje të gjerë, ku dukeshin dhëmbët shumë të rregullt, mes buzëve të mishta, syve me vetulla të holla, të qeshur, që mblidheshin e dinin të shprehnin mirësinë dhe gëzimin.
Të paktën kështu e shikoja, më dukej në ato çaste, në ato rrethana. Për më tepër kjo mu duk se ishte edhe përshtypja që duhet e i jepnin në prezantime publike edhe njerëzit e ndryshëm, si p.sh kur shtrëngonte dorën e një punëtori apo kur mbante një fëmijë në krah.
Një krehje e zbardhur mbulonte ballin e gjerë që një bardhësi e jepte edhe më të madhe. Ai donte me çdo kusht të më vinte në siklet, me nxehtësinë, që nuk ia jepte asnjë të keqe, sepse pritja fort e mirë dhe ekzaminimi mjekësor i dy ditëve më parë, që ishin shëruar me disa gjeste a pyetje intime, kishin fshirë tashmë çdo hezitim që kishte në takimin e parë.
Erdhëm shumë shpejt në konkluzionet e këtij ekzaminimi, pa insistuar fare. Vendimet tona ishin shpjeguar qartë dhe përveç disa detajeve praktike, nuk shkuam më shumë. Një relacion tjetër zuri vend: mjeku që isha dikur u zëvendësua nga një francez i zakonshëm.
Ishte e natyrshme që t’i bëja një kompliment për gjuhën të cilën e fliste me aq lehtësi. E kishte mësuar gjatë qëndrimit të tij në Francë, para 40 vjetësh. Më tha se frëngjishten e kishte mësuar në Montpelier në vitin 1930, ku ishte regjistruar për studime falë një burse nga shteti.
Ruante kujtime të shkëlqyera nga ajo kohë. Më pas, kishte njohur Parisin, ku kishte studiuar filozofi në Universitetin e Sorbonës. Më dha kënaqësinë duke më besuar se ishte një amator i madh i letërsisë franceze, duke cituar Shatobrianin, Lamartinin, Vinji, Verlen, Rembo, madje edhe Bodlerin e “mallkuar”.
Më tha se frëngjishtja për atë ishte si një gjuhë e dytë, të cilën e kishte praktikuar jo vetëm në Francë kur kishte studiuar, por edhe në Belgjikë, në 1936, deri në muajin kur ishte kthyer përfundimisht në Shqipëri. Kishte qenë profesor i frëngjishtes në Tiranë e më pas në Liceun e Korçës. E kujtoi atë kohë me shumë entuziazëm dhe pashë tek ai shumë kënaqësi të kujtonte ato mbresa të rinisë dhe për më tepër të fliste edhe frëngjisht, që nuk i ndodhte shpesh në Tiranë.
Më pas e kaloi në heshtje faktin se gjatë qëndrimit të tij në Francë dhe në Belgjikë kishte rënë në kontakt me simpatizantë të komunistëve, prej të cilëve kishte ardhur totalisht i bindur dhe me të cilët kishte bashkëpunuar edhe me cilësinë e gazetarit tek gazeta “Humanite”. Nuk më tha asgjë për këtë, por e ndieja sesi reminishencat me të kaluarën, me jetën aksidentale e gjallëronin.
M’u duk krejt një njeri tjetër, i lumturuar që kishte përpara tij një bashkëfolës të cilit i drejtohej lirshëm, pa pasoja. Ishte rasti që të testonte njëherësh edhe disa ide të tij të cilat nuk ishin si të zakonshmet, të konfirmuara pa diskutim. Ishte njësoj si të kishte përballë alter egon e tij normale, mazokistin e bindur. A kishte marrë ndonjë të dhënë për mua?
Dhe në rast se po, kush ia kishte dhënë? Ai nuk mund të njihte idetë e mia politike, as rininë time që në një moment ishte e lidhur me komunistët, që u shkri si akullorja në diell gjatë pushtimit të Hungarisë nga trupat sovjetike.
Për një moment vura re se toni i tij e kishte humbur gëzimin, që e kishte rrëmbyer pak më parë koha e rinisë së tij. U bë më i rëndë, kur po flisnim për subjektin e tij të preferuar, situatën në vendin e tij, duke afirmuar se me të marrë pushtetin dhe drejtimin e vendit pas luftës, ai ishte shpëtimtari.
Ai i dha bisedës një tjetër ton, ndryshe, por gjithmonë të ngrohtë e miqësor. E ndiente se deri tani e kisha degjuar me mjaft interes, duke ndarë plotësisht kultin e tij të dijes, të njohjeve dhe sipërcaktimi i tij për lirinë ishte përplasur me bindjet e mia. Por kjo ishte paka a shumë si feja që jo detyrimisht duhet ta besoje, pra të ndaje me tjetrin të njëjtin besim.
Në atë kohë zonja Hoxha erdhi të na takojë dhe na ftoi në sallonin ngjitur me zyrën ku ne gjendeshim. I shoqi ma kishte prezantuar si një teoriciene të madhe të komunizmit, shumë të nevojshme në krah të tij. Ajo drejtonte Institutin e Studimeve Marksite dhe pamja e saj e dashur si nënë e familjes, bënte kontrast me atë që mësova më vonë, nga ata që punonin me atë, pa kundërshtuar aspak qetësinë dhe maturinë e saj, duke besuar vërtejtjet me përpikëri.
Asnjë përshtypje të ngjashme me atë mbledhje familjare rrotull një ëmbëlsire që ajo kishte përgatitur enkas për mua, ashtu si dikur nëna ime përgatiste për të pritur një mik. E ashtuquajtura ëmbëlsirë kishte një përmbajtje të fortë sheqeri, sipas traditës së pastiçerive turke, dhe që të ngopte me kalori për momentin.
Kjo gjë shoqërohej me një shampanjë lokale që i zoti i sëhtpisë, që i njihte shumë vlerat e saj, na tha se i ngjasonte shumë verërave franceze të cilave u kishte mësuar sekretin e bërjes. Në këtë amanet kaq të thjeshtë të shijimit provincial u zhvillua më pas një bisedë me ndërhyrje të vogla, më të lirshme dhe më të qeta.
Më pas u erdhi radha takimeve që ai kishte pasur me Stalinin. E ndieja që ishte krenar që kishte qenë disa herë në krah të tij, nga 1949-1951, e që vazhdonte të rritej si i vetmi trashëgimtar autentik politik i tij. Ai prekej kur kujtonte takimet që kishte pasur me të, mënyrën sesi e kishte pritur çdo herë, aq nxehtësisht, prekej nga kursimi i tij, por që më vonë ai insistoi çuditërisht në ndarjen e tokave, të cilat ishin aq të çmuara për njerëzit, si dhe mënyrës për t’i bërë ballë të pabindurve…
Pas kësaj Udhëheqësi më pyeti më pas edhe për politikën e Francës dhe atë të presidentit tonë, Valeri Zhiskar Destë (Valéry Giscard d’Estaing). Në pozicionin që gjendesha nuk ishte as në rolin e as në kompetencën time të futesha në një debat mbi këtë temë.
Kur erdhëm edhe një herë në zyrën e tij, Enver Hoxha iu rikthye përsëri rolit të artistëve, temë që e kishim prekur pak më parë: “Në një vend socialist, artisti nuk duhet të krijojë kurrë për veten e tij, por për popullin e tij, më tha. Asnjë shprehje nuk duhet të përfaqësojë ndjenjën e tij, gjendjen e tij, por të frymëzohet nga vlerat e popullit, folklori veçanërisht. Po ju jap një shembull”.
Dhe u futë të kërkojë një disk të cilin më pas e vendosi në një kompak-disk dhe e vuri ta dëgjojmë. E kam harruar emrin e këngëtarit shqiptar i cili m’u duk me shumë talent. Po dëgjoja një muzikë me nota të forta folklorike, por që nuk po guxoja t’i thoja se më kishte dërsirë. I lejova vetes t‘i thoja se ishte e vështirë të ndaja shpirtin e vetë artistit nga mjedisi që i rrethonin. Nënvizova faktin se folklori kishte qenë një burim frymëzimi për shumë artistë të mëdhenj si List, Sh
open, Brams e shumë të tjerë, dhe veprat e të cilëve e shprehin më së mirë këtë lidhje që kishin me popullin nga kishin dalë.
Mbi këtë temë mori fund edhe biseda jonë. Ashtu siç e dëshironte edhe ai, ne bëmë një njohje të thellë. Kishim kaluar një mbasdite të bollshme së bashku. Ai kishte dashur që vërtet biseda jonë të mos kishte dëshmitarë, sidomos kur bëhej fjalë për shëndetin e tij, pa dyshim edhe për atë që të më falënderonte që erdha në Tiranë, por gjithashtu, besoj, për kënaqësinë që kishte për t’u shprehur në frëngjisht me mua. Kishte pasur mundësinë të evokonte edhe atë çka e lidhnin me Francën, me profesorët francezë të dikurshëm…
Ma tha se para se të largohesha për në Paris të vija ta përshëndesja para nisjes. E mbajta fjalën dhe vetura që do të më çonte në nesërmen në mëngjes në aeroport në shoqërinë e kolegëve të mi, oftalmologjistë, më çoi drejt shtëpisë së tij. Në pragun e portës së izoluar të vilës së tij, ai më priste si ditën e parë, por kësaj here i rrethuar nga gruaja dhe fëmijët e tij. Kjo ndarje m’u duke e sinqertë dhe e mbushur me një farë emocioni. Me këtë të huaj francez mbaruan edhe çastet e qetësisë dhe të kujtimeve të rinisë së tij.
Kur po i shtrëngoja dorën dhe po e falënderoja për pritjen e tij, premtova angazhimin tim për të riardhur, sipas programit që ai më kishte fiksuar. Duke përshëndetur zonjën Hoxha, duke e falënderuar edhe atë për pritjen, si dhe duke bërë edhe njohjen me fëmijët e tij, vura re një detaj që më çuditi shumë: ata kishin veshur këpucë dhe veshje perëndimore.
Ato kishin pullat e prodhimeve borgjeze, madje pse jo edhe të nënshkruara nga vetë rrobaqepësit më të mëdhenj të perëndimit. Ky detaj i çuditshëm më goditi fort në kontrast me qëndrimin e prindërve të tyre, sidomos me idetë që i mbështetnin aq nxehtësisht. Ishte një ndotje e fshehtë e udhëheqjes marksiste që i imponohej me të keq një populli të tërë.
Provë që ai nuk ishte asnjëherë profet i popullit të tij. Thjesht para se të ndaheshim, Enver Hoxha më zgjati një bllok ku kishte vendosur disa fotografi të takimit tonë. Mora veturën që më priste dhe kur ajo po merrte vrull duart tona tundeshin për të dhënë lamtumirë.