SHBA ndryshon politikën e migrimit ndaj Kubës
Administrata në largim e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka shfuqizuar një masë, e cila automatikisht u garanton banimin në SHBA pothuajse të gjithë kubanëve që arrijnë në këtë vend, pa marrë parasysh nëse kanë viza ose jo.
Me këtë njoftim të Shtëpisë së Bardhë i jepet fund këtij përjashtimi në politikën amerikane të migrimit, që ka qenë në fuqi për 20 vjet.
“Ne do të vazhdojmë t’i mirëpresim kubanët, ashtu si edhe migrantët e vendeve të tjera”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.
Kuba, nga ana e saj, ka rënë dakord që të riatdhesojë të gjithë shtetasit kubanë, që largohen nga SHBA.
Kubanët e kanë pritur ndryshimin e politikës prejse ka nisur normalizimi i marrëdhenieve SHBA-Kubë, në vitin 2014.
Rreth 40,000 kubanë janë kthyer në Kubë më 2015, ndërsa 54,000 të tjerë vitin e kaluar.