Albspirit

Media/News/Publishing

Shqiptarja e nudove, vajza nga Elbasani që thyen tabutë

 

Ajo ishte një vajzë me tipare të errëta mesdhetare që reflektonte pafajësi. U lind dhe u rrit në Elbasan deri në gjimnaz, por pas emigrimit në SHBA, nuk ka mbetur më thuajse asgjë nga Alma Saraçi. Edhe mbiemrin e ka ndryshuar, tashmë ajo është Alma S. Grey, një aktore dhe skenariste që po bën karrierë në SHBA, dhe ia ka dalë mbanë që të tërheqë vëmendjen duke u aktivizuar në shumë role.

Ajo është shndërruar në një femër fatale, me flokë të kuqe të ndezura, me pircing, mbushur me tatuazhe, që josh e provokon kudo me nudizëm apo lesbizëm, përfshirë edhe në vendet apo objektet e shenjta. I pëlqen të vetëquhet “e pacipë” dhe referuar fotografi që ka realizuar për një album “Naked in America” (lakuriq nëpër Amerikë), e meriton epitetin.

Ky projekt artistik, që ka të bëjë me sensibilizimin e gruas për seksualitetin, e ka çuar 31-vjeçaren në vende të ndryshme publike në SHBA, ku ka pozuar nudo vërtet si “e pacipë”, duke fshehur vetëm disi pjesët intime me ndonjë libër, zorrë karburanti, gjethe pemësh etj., e deri te kryqi.

Ajo pozon nudo gjithandej, në një pikë karburanti, në një bar, në parukeri, në librari, në një stacion autobusi, me shumë gjasa duke shkelur ligjet e San Francisco-s ku jeton, “por me pak magji, përgatitje, fat dhe miq të shkëlqyer që të ndihmojnë” mund t’ia dalësh.

Lidhur me këto fotografi, apo shumë të tjera të ngjashme, Alma ka shkruar edhe editorial, ku spikasin “Seksi i shenjtë”, “Nudizmi”, “Çfarë do të thotë të jesh femër” etj. Ajo e përshkruan veten si shumë rebele dhe feministe, ndërsa nuk njeh asnjë lloj censure në art.

Në kemi folur me Almën, vajzën nga Elbasani që emigroi së bashku me familjen drejtë Shteteve të Bashkuara kur ishte 15 vjeç. Prindërve të saj i ra lotaria amerikane dhe Almës po ashtu, e cila duke jetuar në një vend të hapur ka mundësi të bëj ç’të dojë me veten dhe artin e saj.

Alma është e zhveshur në shkrime. Dhe është e zhveshur edhe në fotot që publikon në sajtin e krijuar enkas për këtë qëllim. “Deri tani nuk kam pasur probleme. Maturia dhe diskrecioni janë parimet që më drejtojnë. Sigurisht është një hap i rrezikshëm, por nuk ka art pa rrezik”- tregon Alma.

“Nudizmi ka ekzistuar gjithmonë, por shoqëria patriarkale luftënxitëse e ka ndrydhur bashkë me seksualitetin dhe gratë. Kjo zgjedhje nuk më bën të vuaj dhe as ndihem e ndarë nga njerëzit. Sa më shumë jam vetvetja, aq më afër botës ndihem dhe aq më shumë e njoh atë. E lashë vuajtjen pas kur vendosa ta jetoj jetën sipas mënyrës sime dhe jo të të tjerëve”- shprehet 31-vjeçarja për Dita-n.

Dhe nëse ka disa komente negative, nën gjurmët e ecjes së saj në këtë rrugë, ajo nuk shqetësohet. “Artistët, në thelb, nuk mund të varen kurrë nga ajo që mendojnë të tjerët. Përndryshe nuk do bënin kurrë atë që bëjnë sepse do ktheheshin në skllevër të opinioneve. Për mua, opinioni i të tjerëve është thjesht opinion i të tjerëve. Nuk i marr personalisht ato që thuhen, as kur janë të mira, as të këqija. Në të vërtetë, shumë njerëz janë mbështetës, sepse shohin te unë dikë që bën dhe thotë atë që ata do donin të bënin dhe të thoshin, por nuk munden”.

E kishte kuptuar qysh herët që do vinte një ditë kur do jetonte sipas rregullave të veta dhe për këtë nuk mjaftonte që familja të fitonte lotarinë amerikane dhe ata të zhvendoseshin në SHBA. Edhe atje ka rregulla, edhe atje, në një periudhë, ajo kërkonte të përshtatej, të pranohej, derisa u bind që njeriu, përveçse të jetojë brenda një kulture, duhet të respektojë thelbin e tij dhe nëse do të ndihet i lirë, kudo ku jeton, duhet ta arrij vetë këtë.

“Jam mirënjohëse për atë kohën e fillimit sepse më ka lejuar t’i shoh gjërat nga një këndvështrim tjetër. Tani, kur përqafoj lirinë, e di që e kam fituar. Nuk e marr të mirëqenë. Tani përpiqem të jetoj në një mënyrë që më bën të ndihem e lirë dhe më jep fuqi si grua dhe si artiste.”

Për të edhe vendet janë përvoja. Të ndërtojnë. Dhe jo në të njëjtën mënyrë. I tillë është Los Angeles-i për Almën, por i tillë, sado i largët mund të jetë krahasimi, por pikërisht edhe për këtë, është edhe Elbasani. Apo Shqipëria e fillimviteve ’90, e vitit ’97. Alma ndjen mall për fëmijërinë me familjen, shumë kushërinj, shokë e shoqe, Ditën e Verës dhe ballokumet, për pushimet në plazhin e Durrësit dhe të Vlorës dhe nuk ka harruar as trazirat e dhunshme.

“Në 1997-ën kishte shumë njerëz që “thyenin ligjin”. Ajo më ka ndikuar shumë. Dhe në mënyrë pozitive. Sepse njerëzit po kërkonin të çliroheshin nga një sistem që ishte i korruptuar. Po, ata ishin të zemëruar, por të paktën po bënin diçka për këtë. Po ndërmerrnin një veprim. Ky aksion më ka ndikuar. Tani, kur shikoj një gjë që dua ta ndryshoj dhe ta përmirësoj, unë veproj. Veprimi bazohet në atë që kam të gatshme në atë moment. Nuk më pëlqen të pres sa të tjerët të më japin leje. Ia jap lejen vetes time.”

Udhëton shumë, për të pasur mundësi edhe për të ndjerë lirinë e plazheve nudiste të Evropës dhe shijen e mirë të ushqimeve shqiptare, ushqehet gjelbër dhe lyhet me të kuqe, bën yoga, shkruan, pikturon, realizon filma. Dhe gjithmonë ka diçka për të thënë, në të kundërt nuk do ishte ajo. Rrëfimi i sa për Dita-n vazhdon…

-Alma, për çfarë ke studiuar?

Unë jam gjithmonë duke studiuar. Po nëse më pyesni për Universitetin, kam studiuar për Filozofi, Frëngjisht dhe Teatër.

-Çfarë të shtyn të merresh me këtë art, që me shumë gjasa, paragjykohet?

Nudizmi gjithmonë ka qene pjesë e artit. Një vizitë në muze dhe shikoni që gjithë artistët kanë përdorur format e trupit të njeriut. Problemi është se ka shumë njerëz që seksualizojnë nudizmin, e krahasojnë me eroticizmin dhe pornografinë. Këto janë shumë të ndryshme nga nudizmi personal ose artistik. Frymëzimi është ekzaktësisht ky. Është gjithashtu feministe kjo iniciativë, unë jam femër e pavarur dhe me mendimet dhe forcën time, personale dhe artistike. Unë vendos kur dhe si e bëj foton. Unë e zgjedh fotografin, fotot janë prona ime.

-Si e ke nisur dhe a paguhet mirë nudizmi?

Nudizmi që shihni në foto janë pjesë e projektit tim artistik dhe të librit që kam kompletuar. Unë nuk e kam bërë këtë projekt për arsye financiare.

-Ku jenë vendet ku preferon të fotografohesh?

Natyra.

-Të shqetësojnë komentet negative?

Jo, as nuk i vë re.

-Alma, ti vërtetë bën atë që do? A ndihesh mirë për këtë?

Jeta nuk ka kuptim në qoftë se një njeri nuk ka mundësi të ndjek pasionet e veta. Jeta si skllav, skllav i opinioneve të tjerëve është jetë e trishtuar. Unë suportoj lirin e shprehjes dhe të eksperiencës së jetës si njeri i lirë dhe i pavarur.

-Si ndihet familja jote për këtë?

Familjarët e mi janë fansat më të zjarrtë që kam. Ato më njohin tamam si njeri. Shumë njerëz (shqiptar sidomos) shohin fotot nudo dhe krijojnë shumë paragjykime boshe. Familja ime më njeh për inteligjencën dhe talentin që kam, personalitetin tim. Ato janë të parët që shikojnë filmat që bëj, që më ndihmojnë gjatë xhirimeve, dhe që më inkurajojnë në zhvillimin tim si artiste.

-A vjen shpesh në Shqipëri, cila është lidhja jote me këtë vend? Me fëmijërinë?

Çdo 3, 4 vjet bëj vizitë në Shqipëri. Kam familje dhe shoqëri që takoj. Fëmijëria në Shqipëri më ka influencuar shumë, sidomos si artiste dhe në të ardhmen dua të shkruaj për ato eksperienca.

-Udhëton shumë? Ku? Çfarë të frymëzon?

Po udhëtoj shumë, sidomos në Europën Perëndimore, Azi, Indi, Jug te Amerikës. Frymëzohem nga diversiteti i kulturave, njerëzit, dhe shprehjet a ndryshme të njerëzve. Natyra, liria e mendjes, shprehja artistike.

-E thua që je shqiptare? Si janë reagimet?

Ndonjëherë njerëzit nuk e besojnë sepse unë jam ndryshe shume nga pjesa më e madhe e vajzave shqiptare, sidomos nga Shqipëria.

Please follow and like us: