Albspirit

Media/News/Publishing

“THE TELEGRAPH” – Britania akuzohet se ka gisht në “dosjen e pisët” të Trampit

Britania është tërhequr në stuhinë e furishme mbi “dosjen e pisët” për Donald Trampin pasi u deklarua se qeveria i dha leje FBI-së për të folur për ish oficerin e MI6-ës i cili e kishte hartuar atë dosje.

Burimet në SHBA thonë se Kristofer Still, një ish-spiun, foli me zyrtarët në Londër para se ta dorëzonte dokumentin për FBI-në.
Dokumenti, i cili përmban akuzat për sjellje të papërshtatshme seksuale nga zoti Tramp në hotelet ruse, u zbulua në fillim të kësaj jave dhe Britania tani e gjen veten të kapur mes zjarrit të akuzave nga Rusia dhe SHBA-ja. Të enjten Rusia akuzoi publikisht MI6-ën për “informim në të dy krahët” kundër Rusisë dhe zotit Tramp dhe sugjeroi se zoti Still punon ende për Shërbimin Informativ Britanik.
Ambasada ruse në Londër lëshoi një deklaratë ku thuhej: “Oficerët e MI6-ës nuk bëhen kurrë ish”.
Tramp e ka hedhur poshtë me zemërim akuzën në dosje si “të rreme”. Vetë ish agjenti është fshehur, ndërsa vërtetësia e pretendimeve në dosjen e tij dhe vetë reputacioni i tij, vazhdojnë të debatohen ashpër.
Toni Brenton, ish-ambasador britanik në Rusi, e përshkroi dosjen si shumë të paqëndrueshme. Ai tha: “Për shembull, ajo pretendon se rusët filluan ta kultivojnë Donald Trampin pesë vjet më parë. Në qoftë se e kanë bërë, qenkan shumë të zotë në parashikime, sepse në atë kohë ai nuk kishte të bënte asgjë me politikën amerikane.”
Z. Still u punësua për të mbledhur informacion mbi Trampin nga një konsulencë me bazë në Uashington. Megjithatë, ai vendosi se informacioni ishte aq i ndjeshëm sa duhej t’ia kalonte FBI-së dhe kolegëve të tij në MI6. Kur FBI-a kërkoi të kontaktonte me të, zoti Still mori leje te autoritetet vendase dhe kjo leje i është dhënë zyrtarisht.
Dauning Striti dhe ministria e jashtme britanike tani nuk duan të komentojnë. Kurse komisioni i sigurisë në parlamentin britanik do të diskutojë pasojat nga dosja dhe çështja nëse agjencitë britanike të inteligjencës kanë qenë të përfshirë në të.

Please follow and like us: