Zbulohet emri i drejtueses së Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit
Në krye të operacionit ndërkombëtar të monitorimit që ka një rol kyç në procesin e Vettingut do të jetë Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Europian, Genoveva Ruiz-Calavera.
Lajmin e ka konfirmuar vetë edhe zonja Calavera. “Po, unë do të kem kënaqësinë të drejtoj Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, i cili do të asistojë procesin e Vettingut” – është shprehur zyrtarja e lartë e unionit, gjatë një komunikimi me e-mail për Vizion Plus.
Genoveva Ruiz-Calavera muajin e kaluar ishte në Tiranë dhe zhvilloi disa takime ku është diskutuar çështja e reformës në drejtësi dhe procesi i Vettingut.
Me hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese që të zhbllokohet ligji i Vettingut, pritet që në muajin Shkurt të vijnë në Tiranë anëtarët e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
Vëzhguesit ndërkombëtarë do të jenë prezentë në çdo hap të hetimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe sipas ligjit, vëzhguesve u jepet e drejta të “hetojnë dhe vlerësojne të gjitha faktet dhe rrethanat e nevojshme për procedurën e rivlerësimit”.