“Aksioneri bankar” Peza dhe “kriminelët” Tahiri-Selami
Çerçiz Loloçi
Pë të kuptuar se sa kot dhe pa vlerë janë reformat e ndërmarra në Shqipëri, përfshi ndryshimet kushtetuese, ligjin e Dekriminalizimit, atë të Vetingut e të tjera që janë në proces miratimi, mjafton të sjellim ndër mend denoncimin publik për “aksionerin” Alfred Peza dhe ndëshkimin e deputetëve Dashamir Tahiri dhe Shkëlqim Selami.
I denoncuari i parë Alfred Peza me sqarimin e bërë në media e ndërlikon edhe më shumë pozicionin e tij, sepse në çdo rast dhe me shpjegimet e bëra nuk e justifikon dot 1 milion dollarëshin të fituar nga kursimet, por veçse nga qënia si deputet i Partisë Socialiste. (Alfred Peza, si gazetar dhe drejtues mediash me përvojë, në sqarimin e tij bën një gabim mjaft të rëndë kur përmend kursimet familjare dhe të ardhurat e së shoqes duke vërtetuar atë që mund të jetë denoncuar edhe prej tij: ministër i varfër me bashkëshorte të pasur, deputet i thjeshtë me vëlla biznesmen, gjyqtar i vobektë me baba me pasuri dhe të tjera justifikime, që janë deklaruar rëndom në këto 27 vjet).
Por rasti i tij është vetëm maja e ajsbergut përballë oligarkëve të tjerë të kësaj force politike që sillen me fondet publike si “me pronën e babait” dhe që për shkak të pushtetit kanë miliona euro dhe pasuri të tjera të luajtshme dhe të paluajtshme.
Akoma më qesharake është heqja e mandatit për dy deputetë, përkatësisht Dashamir Tahirit të Partisë Demokratike dhe Shkëlqim Selamit të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Akuzat e ngritura nga prokuroria dhe që e detyroi KQZ për t’u hequr mandatet janë aq të pabesueshme saqë edhe një mendje foshnjore nuk mund t’i marrë seriozisht.
Prokuroria, në këtë rast gjeti një zgjidhje të shpejtë duke bërë “kurban” nga një përfaqësues nga tri partitë kryesore (PS, PD dhe LSI) si për t’u thënë perëndimorëve dhe sidomos dy partnerëve strategjikë SHBA e BE se po merremi me “peshqit e mëdhenj”.
Kuptohet se ka një pakt të heshtur mes tre partive kryesore dhe organeve ligjzbatuese të dekriminalizimit për të bërë “tre koka turku” dhe për të shpëtuar kapot e krimit që gjenden në qeveri, në kuvend, në drejtësi, në media dhe shoqërinë civile.