Dokumentet e CIA, për SHBA Shqipëria nuk kishte vlerë, rrezikohej të braktiseshim në rast lufte, synimi ishin vetëm spiunimi i lëvizjes së rusëve
Nuk ka më asnjë dyshim se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë tentuar ta shfrytëzojnë Shqipërinë për interesat e tyre. Edhe pse ka pasur me qindra operacione gjatë regjimit komunist për rrëzimin e Enver Hoxhës, duket se qëllimi ka qenë diçka tjetër. Amerikanët kishin frikë nga përhapja e Bashkimit Sovjetik dhe të gjithë operacionet kishin të bënin me interesin e tyre për të dëmtuar Kremlinin dhe nuk është se u ka interesuar shumë për Shqipërinë. Në një dokument të deklasifikuar nga CIA, për amerikanët dhe në rast lufte, Shqipëria nuk do kishte asnjë vlerë. Sipas tyre edhe pozicioni këtu nuk është se përbënte interes. Për këtë arsye, aty thuhet se u angazhuan vetëm 3-4 agjentë, të cilët shfrytëzuan shqiptarët në emigracion për qëllimet e tyre.
Viti 1952
Rëndësia e Shqipërisë
Rëndësia e Shqipërisë në përgjithësi është minimale, po në rast konflikti, ajo mund të ketë nevojë për vëmendje të konsiderueshme, për të përcaktuar qëllimet e armikut në lidhje me të. Por duke pasur parasysh kërkesa më urgjente në vende të tjera, nuk ka shumë justifikime për harxhimin e burimeve të vlefshme në kohë lufte. Ne mund të përdorim dy ose tre persona që kemi aktualisht, të cilët kanë pasur eksperienca operacionale në Shqipëri, duke u dhënë atyre dhe personave të tjerë me ose pa eksperienca me Shqipërinë, trajnimet e nevojshme.
Mbështetja për misionin ushtarak në kohë lufte
Çdo diskutim i kësaj pike është i vështirë deri sa të njihet lloji i misionit ushtarak në lidhje me Shqipërinë. Por gjithsesi mund të parashikojmë se funksioni ynë do të kufizohet nga natyra e përgjithshme e qëllimeve të armikut në lidhje me Shqipërinë, në vazhdim të të cilit edhe aktiviteti ynë do të intensifikohet. Pas një periudhe të mundshme 24 mujore, aktivitetet do të reduktohen pasi edhe qëllimet e armikut me shumë gjasa nuk do të kenë më lidhje me Shqipërinë, siç ndodhi në Luftën e Dytë Botërore ku asnjëra palë nuk kishte çka të fitonte por vetëm mundësi humbjeje të forcës njerëzore ushtarake, prandaj nuk duhen bërë përpjekje për të krijuar baza të mëdha ushtarake apo për të pushtuar e kontrolluar vendin. Misioni ynë me shumë gjasa do të jetë, të paktën fillimisht, përcaktimi i vërtetësisë së hipotezës. Për këtë do të përdoren elementë të inteligjencës së fituar në operacionet e infiltrimit, ato nga ajri apo rrugë të tjera. Meqënëse kjo është bërë edhe në të kaluarën, përpjekjet tona nuk kanë nevojë për orientime të reja.
Mundësitë e Inteligjencës
Aktualisht nuk ka arsye për të besuar se në kohë lufte Shqipëria do të ishte ndryshe nga ajo me të cilën përballemi tani. Për arsye të pozitës së saj gjeografike, vendi do të luante rol shumë të vogël në një konflikt të ri. Ajo është larg rrugëve kryesore të avancimit të forcave tokësore dhe nuk ka avantazhe të bazave ajrore. Me shumë gjasa do të kontrollohet nga sovjetikët në kohë lufte, por edhe nga ana logjistike është pak e vlefshme pasi nuk ka lidhje madhore rrugore apo hekurudhore me vendet fqinje dhe së fundmi nuk do të ishte logjike që vendet evropiane të tentonin një zbarkim në një vend armiqësor dhe mbrojtës të fuqishëm. Për këto arsye, “konfuzioni dhe kaosi” që sjell lufta në Shqipëri do të mungonte, vetëm në rast të ndjelljes së tij nga faktorë të jashtëm. Detyra për nxitjen e kushteve të tilla do të jetë shumë interesante, por, ky dokument nuk ka si qëllim diskutimin e organizimit të rezistencës, pasi kjo është kompetencë e degës OPC dhe jo OSO. Nevoja e përfitimit nga nxitja e kaosit në kohë lufte mendohet si e njohur, por në këtë rast ka shumë faktorë të panjohur që e bëjnë një organizim të tillë jo-praktik për momentin. Në lidhje me këtë duhet të theksohet se Shqipëria mund të konsiderohet si e rëndësishme për rezistencën në kohë lufte, prandaj do të ishte e mundur të suplementonim misionet tona të inteligjencës për të kuptuar qëllimet e Bashkimit Sovjetik për rajonin.
Detyrat Operacionale
Sipas kuadrit të përcaktuar, urdhërohet që operacionet e CIA-s në Shqipëri të kryhen sipas instruktimeve të mëposhtme:
Këto detyra operacionale do të reflektojnë kërkesat e vëna mbi CIA-n nga Këshilli Kombëtar i Sigurisë dhe Departamenti i Mbrojtjes. Këto do të marrin në konsideratë kapacitetet e CIA-s, të interpretuara sipas disa parimeve bazë:
a. prioritetet shtetërore tregojnë sesi duhet të vihet theksi i veprimeve. Të mos neglizhohen detyrat e prioritetit të ulët gjatë kryerjes së detyrave me prioritet të lartë.
b. Gjatë mbledhjes së inteligjencës, duke përfshirë vëzhgimet dhe lëvizjet e tipit veprues, veprimet duhet të ndahen nga njëri-tjetri gjatë gjithë kohës, dhe burimet të përdoren sipas radhës së përcaktuar të prioriteteve në politikën kombëtare.
Potencialet për agjentë
Ekzistojnë kontakte mes disa oficerëve dhe dy anëtarëve të legatës shqiptare në Romë. Disa takime nuk kanë dhënë shumë shpresa për një dezertim të mundshëm, edhe pse njëri ka treguar mundësi të konvertimit. Ekzistojnë mjetet për përgjime audio, por infiltrimi i fshehtë në ambasadat e Romës apo Parisit nuk është i mundur aktualisht. Në Paris mund të kryejmë përgjime, por personel amerikan nuk ka të gatshëm. Zakonisht në operacione të tilla nevojitet një pikë ndërlidhjeje, dhe jemi të informuar se mund të ketë komplikime. Ndërsa në Romë kemi pajisjet dhe personalin por, për arsye të prioritetit të ulët të caktuar për Shqipërinë, në krahasim me zona të tjera, ka pak shanse të shfrytëzimit të tyre. Zakonisht kërkimi i agjentëve kushtëzohet nga mungesa apo lindja e mundësive të rastit. Ne do të vazhdojmë të kërkojnë dhe të shfrytëzojnë çdo mundësi që do të lindë.