Albspirit

Media/News/Publishing

Mesila Doda: Ilir Meta ta ndajë mendjen; të jetë o opozitar, o pushtetar

 

Zonja Doda, në takimin e fundit me ambasadoren e Bashkimit Europian, Romana Vllahutin, ju u shprehët për një depolitizim të procesit zgjedhor. Mendoni se problemi i zgjedhjeve është vetëm tek numërimi dhe komisionet?

Në takimin me ambasadoren janë diskutuar dy grupe çështjesh; problematikat e transparencës së financave, presioni mbi votuesit, votimi familjar, transmetimi i aktiviteteve në media, të cilat i përkasin periudhës parazgjedhore dhe ato që përmendët ju e që kanë të bëjnë me administrimin zgjedhor, komisionet dhe numërimin. Administrimi i kësaj dite ka qenë pronësi e dy partive të mëdha, pronësi e cila duhet të bjerë, pasi sistemi në këtë mënyrë nuk është as transparent, as demokratik e as i ndershëm. Ose janë gjithë forcat politike pjesë, ose sistemi del nga menaxhimi dypartiak dhe i besohet teknologjisë. Parimi stalinist që populli voton dhe dy parti numërojnë e shpërndajnë rezultatin, siç bien dakord në tavolinë mes vedi, nuk mund të vazhdojë të ekzistojë më.

 

Në qëndrimin tuaj u shprehet për një sistem stalinist të dy partive. A tregon ky qëndrim mungesë besimi tek aleati kryesor Partia Socialiste?

Ky qëndrim shpreh mungesë besimi tek sistemi i sotëm i administrimit zgjedhor. PDIU është një parti dukshëm në rritje. Natyrshëm, kjo nuk i pëlqen forcave të tjera politike, por ne mbështetjen e njerëzve nuk do e lëmë pa e administruar dhe pa e jetësuar në numra konkretë mandatesh e pushteti. Ky është thelbi! Ne do jemi pjesë e sistemit të kontrollit dhe administrimit zgjedhor! Gjithshka tjetër është retorikë emocionale, e papërshtatshme për këtë hap të jetës politike në vend.

Në denoncimet e PD-së, theksohet që zgjedhjet po rrezikohen nga paratë e drogës dhe manipulimet. Si pjesë e mazhorancës, cilat janë provat dhe garancia se zgjedhjet e 2017-ës do të jenë të lira dhe vota e votuesit do jetë demokratike?

Sigurisht që nuk jam unë personi i duhur për t’ja bërë këtë pyetje. PDIU ka hyrë në koalicion në zgjedhjet vendore të 2015, pa poste të rëndësishme ekzekutive dhe me një marrëveshje që shkon përpara me shpejtësinë e endjes së pëlhurës së Penelopës, e cila siç e kujtoni nga mitologjia ndërkohë, duhet të durojë dhe gjithë xhelozitë e intrigat e mëtonjësve në Pallatin e Uliksit.

Ka një reformë në drejtësi të votuar prej nesh pa kushte. Jetësimi urgjent i saj afron një garanci më shumë për situatën aktuale. Ajo që dua të them është se përmirësimi i sistemit është zgjidhja, jo dëshirat apo vullnetet personale njerëzore. Deri më tash është konceptuar që nëse sistemin nuk e ke nën hyqëm e nuk bën atë që ti urdhëron, është i padrejtë ndaj duhet sulmuar. Ka ardhur koha që ky koncept parapolitik të ndryshojë. Sistemi duhet të fuqizojë gjykatat, prokurorinë, policinë, shërbimet informative dhe të gjitha duhen parë në funksion të atdheut, jo në funksion të humorit të Presidentit apo ish-Presidentit, kryeministrit apo ish-kryeministrit, kryetarit të Kuvendit apo kryetarit të opozitës.

 

Me afrimin e zgjedhjeve debatet për koalicionet bëhet edhe më të shpeshta. Cili do të jetë qëndrimi i PDIU-së për koalicionet dhe a kini kushte për PS?

PDIU ka forumet e saj politike, të cilat janë shumë aktive. Këto janë vendime që merren prej tyre, por ka disa parime, mbi të cilat ne nuk do shkelim.

Se pari, Çështja Çame si pjesë integrale e zgjidhja e saj konkrete, si pjesë e programit qeverisës. Çështja e bashkimit të shqiptarëve, si e ardhmja e vetme për ne si komb dhe si një punë konkrete që duhet të bëhet nga pak e përditë, respektimi dhe mbështetja e familjes, ndarja nga e kaluara. Këto janë pjesë e një seti parimesh që janë shtyllat kryesore të PDIU dhe përfshirja e tyre në programin e koalicionit të ardhshëm është vendimtare për ne.

Krijimi i kushteve për të mos patur shtrembërim të rezultatit të votimit, pjesëmarrja në administrimin zgjedhor, numëruesi dhe komisioneri i PDIU-së janë kushte teknike, pa të cilat nuk ka besueshmëri dhe mundësi që të ketë bashkëpunim.

Përveç raporteve PS-PDIU marrëdhëniet shpesh herë kanë qenë të tendosura dhe mes PDIU-së dhe LSI-së. Në emisionin “Top Story”, ministri Ylli Manjani u shpreh se koalicioni i fitoi zgjedhjet me PS-në dhe Ben Blushin e jo me Shpëtim Idrizin, duke theksuar se duhet një koalicion programor dhe jo numerik. A po kushtëzohet koalicioni me PS me përjashtimin e aleatëve të tjerë?

Për sa më thashë më lartë është e qartë se nuk mund të ketë koalicione pa programe të bashkërenduara e të bashkëpranuara. Zgjedhja, nëse dikush është pro apo kundër Çështjes Çame, apo me saktë pro apo kundër Çështjes Shqiptare dhe fuqizimit të faktorit shqiptar në rajon është një lum që na ndan me këdo.

Ka patur edhe raste të tjera, siç janë deklaratat që bëhen midis Athinës e në kongres të SYRIZA-s. Janë bërë dhe më parë sulme të tilla dhe më pas trajtohen si shaka të çastit apo si papërgjegjshmëri personale, nga shefat. Unë sot i kërkoj kryetarit të LSI, Ilir Meta të shprehet a është dakord me këtë deklaratë të ministrit të tij?

Me sa unë jam në dijeni ka qenë një ftesë e bërë nga zoti Meta dhe zoti Rama, në bashkëdakordësi të plotë, bashkëpunimi me PDIU-në në koalicion. Një bashkëpunim që nisi me reformën administrative dhe vazhdoi me miratimin e reformës në drejtësi. Ndërsa forca të tjera mund të hiqnin e të vinin ministra e kryeministra me këtë rast, ne kërkuam veç mbrojtjen dhe përmirësimin e sistemit.

Tani, kjo është një kërkesë shumë serioze dhe e përgjegjshme e imja, për të cilën kryetari i PDIU-së nuk do të thotë, siç mund të ndodhë në ndonjë parti tjetër “e kishte nga mendja e saj”.

A është dakord Ilir Meta, me këtë deklaratë të ministrit të tij të Drejtësisë, Ylli Manjani? A është i shqetësuar ai për zgjerimin e këtij koalicioni, zgjerim të cilin sipas vetë zotit Meta, e ka propozuar ai personalisht?

Deklarata apo veprime që i gjejmë vetëm në librat e Shvejkut të tipit “ku di unë ç’bëj unë”, nuk mund të pranohen apo të kapërdihen më. Të ndajnë me kë janë aleatë e me kë kundërshtarë, kë duan dhe kë nuk duan, sepse edhe opozitarë edhe ministra, edhe të pakënaqur edhe superpushtetarë nuk ka! Po e mbyll këtu, paçka se kjo mund të jetë çështje që mund të shtjellohet shumë më gjatë e ndoshta edhe me tone shumë më të egra, pasi të tilla ishin deklaratat që dëgjuam dje. Por, duhet të presim një reagim të kryetarit të LSI-së, sepse si zakonisht ne e mendojmë atë që themi dhe nuk e kemi zakon t’i themi gjërat e më pas t’i mendojmë…

 

2017 është një vit me sfida; refoma zgjedhore, zgjedhja e Presidentit, zgjedhjet parlamentare e kështu me radhë. Sipas jush, Presidenti i ri, a duhet të vij nga mazhoranca, apo do të jetë fryt i një kompromisi politik bashkë me opozitën?

Shpresoj shumë që të jetë një emër i denjë dhe të sjellë risi, stabilitet e imazh të bukur e dinjitoz  për Shqipërinë tonë. Personalisht vazhdoj të mendoj që një grua në Presidencë do ishte një risi e bukur. Nëse do ishte e pranuar nga të gjitha palët do ishte edhe më mirë. Gjithsesi, procesi do ndiqet hap pas hapi dhe vendimarrja do jetë po ashtu në varësi të situatave që do paraqiten.

Kuvendi i dha dritën e gjelbër hapjes së dosjeve, duke emëruar anëtarët e Autoritetit. Sipas jush, sa vlerë do të ketë hapja e dosjeve pas 26 vjetësh dhe a ka politikanë që rrezikohen?

Siç e dini, propozimi ynë, i imi dhe zotit Shpëtim Idrizi, si dhe një grupi të shoqërisë civile e studentëve të Dhjetorit, ka qenë shumë më i rreptë se ky që u miratua. Ne kërkuam përjashtimin nga sistemi të kujtdo që është i përfshirë në krimet e së kaluarës pra edhe lustracionin. Sot, pas shumë peripecish është ngritur Autoriteti, paçka se me mandat  jo të plotë në veprim. Për Shqipërinë është jetike ndarja morale me të kalurën, ndaj megjithëse i pamjaftueshëm të paktën është një hap konkret. E mbështes dhe shpresoj fort në punën që do bëjnë duke njohur nga afër disa prej anëtarëve si dhe integritetin dhe pasionin e kryetares së Autoritetit, zonjës Genta Sula, të cilën e njoh qysh në rininë tonë të hershme e me të cilën më bashkon greva e urisë së studentëve ’91 dhe një pasion i përbashkët për të konkretizuar ndarjen morale të sistemit tonë drejtues dhe historisë së atdheut tonë, nga një e kaluar kriminale komuniste.

/kohajone.com/

Please follow and like us: