Albspirit

Media/News/Publishing

Politika e të drejtave të njeriut në administratën Trump

Është një premtim që Donald Trump e bëri në mënyrë të përsëritur gjatë fushatës:“Mbani naftën, mbani naftën” thonte ai.

Zoti Trump fliste rreth naftës në Irak, të cilën ai tha se Shtetet e Bashkuara duhej ta kishin nxjerrë dhe shitur gjatë luftës.

“Kohë më parë, kur fitohej një luftë, plaçka i përkiste fitimtarit”.

Sarah Margon e organizatës Human Rights Watch thotë se komente të tilla vënë në pikëpyetje se si do të jetë politika e jashtme e administratës Trump në lidhje me të drejtat e njeriut.

“Jemi shumë të shqetësuar se kjo mund të jetë një administratë që ose nuk do të angazhohet me të drejtat e njeriut, ose nuk do të interesohet për to, ose do t’i përdorë për qëllime të ndryshme,” tha ajo.

Zonja Margon foli rreth gatishmërisë së zotit Trump për të punuar me udhëheqësit autokratë, si presidentin rus Vladimir Putin, atë të Egjiptit Abdel Fattah al-Sissi ose Bashar al-Asadin e Sirisë.

Nuk është ndonjë gjë e re; Shtetet e Bashkuara nganjëherë kanë aleanca me abuzues të të drejtave të njeriut. Por zoti Trump dhe disa nga zyrtarët e tij të lartë nuk kanë qenë të gatshëm as t’i kritikojnë ata.

Kjo doli në pah kësaj jave gjatë seancës së konfirmimit të zotit Rex Tillerson, kandidatit të zotit Trump për Sekretar Shteti.

Zoti Tillerson refuzoi të thoshte se përpjekjet ushtarake të Putinit në Siri përbëjnë krime lufte. Kur u pyet, ai nuk e kritikoi udhëheqësin e ishujve Filipine Rodrigo Duterte, lufta e të cilit kundër drogës ka lënë mijëra të vdekur. Zoti Tillerson e quajti qëndrimin e tij pragmatik.

“Është e paarsyeshme të presim që çdo përpjekje e politikës së jashtme të motivohet vetëm nga konsiderata e të drejtave të njeriut, sidomos kur siguria e popullit amerikan është në rrezik” tha zoti Tillerson.

Por, a i duhet medoemos Amerikës të zgjedhë mes interesave të saj kombëtare dhe parimeve të saj? Dr. Leslie Vinjamuri, e cila bisedoi me Zërin e Amerikës nëpërmjet Skype-it, thotë se nuk ka përse.

“Mund të argumentohet se është në interesin tonë të promovojmë të drejtat e njeriut, sepse në afat të gjatë, dhe madje edhe në afat të shkurtër, kjo e bën më të lehtë ndërtimin e aleancave me llojet e shteteve me cilët Amerikës i duhet të punojë, që të jetë më e efektshme në botë” tha ajo.

Ndërsa zoti Trump përgatitet të marrë detyrën, një gjë është e qartë: ai nuk do të jetë as i pari dhe as i fundit president amerikan që do të përpiqet të balancojë nevojat e sigurisë kombëtare me konsideratat e të drejtave të njeriut.

Please follow and like us: