Rusia urdhëron bllokimin e rrjetit social LinkedIn
Agjencia e telekomunikacionit e Rusisë, Roskomnadzor, ka urdhëruar zyrtarisht ofruesit e internetit që të bllokojnë rrjetin social “LinkedIn”.Agjencia tha se po zbaton vendimin e gjykatës, i cili ka konstatuar se ueb-faqja nuk ka vepruar në përputhje me ligjin që kërkon që të dhënat personale të shtetasve rusë, të ruhen në serverë në Rusi. Më 10 nëntor, një gjykatë e Moskës ka refuzuar apelin e LindekIn kundër këtij vendimi. Një zëdhënës i Roskomnadzor tha për agjencinë Interfax se LinkedIn, rrjet i fokusuar kryesisht në biznese, ka kërkuar takim me zyrtarët për të diskutuar çështjen. Ligji, që thuhet se e ka shkelur LinkedIn, është përfshirë brenda legjislacionit të mbikëqyrjes, të nënshkruar nga presidenti rus, Vladimir Putin, në muajin korrik.