Albspirit

Media/News/Publishing

Trump: Jam i gatshëm të heq sanksionet ndaj Rusisë

Donald Trump është gati të heqë sanksionet ndaj Rusisë, duke nisur që nga vendimet e fundit të administratës Obama në dhjetor, gjithnjë nëse Moska do të ofrojë bashkëpunim. Kështu është shprehur vetë presidenti i zgjedhur i SHBA-ve në një intervistë në “Wall Street Journal”, duke shpjeguar se si ka ndër mend të pezullojë sanksionet “të paktën për një periudhë kohe”. Trump më pas ka shprehur dëshirën për një takim me Vladimir Putinin pas betimit si president në 20 janar.

Gjatë intervistës, Trump ka pohuar më pas se nuk ka ndër mend të impenjohet mbi politikën e “një Kine të vetme”, deri sa nuk shikon progres nga ana e Pekinit mbi çështjen e shkëmbimeve dhe të praktikave tregtare.

Ndërkohë, Senati amerikan, do të nisë një hetim për të verifikuar ekzistencën e lidhjeve mes Rusisë dhe personave që kanë pasur lidhje me fushatat politike për zgjedhjet presidenciale amerikane. Komisioni do të hetojë mbi ndërhyrjet e mundshme të Moskës në zgjedhjet e nëntorit të shkuar. Vendimi vjen nga nevoja për të qartësuar para së gjithash kontaktet e dyshimta mes Kremlinit dhe përfaqësuesve të presidentit të zgjedhur.

Po ashtu, Rusia ka ftuar administratën Trump të bashkohet për bisedimet e paqes në Siri, që Moska kërkon t’i nisë me Turqinë dhe Iranin. Ftesa duket se ka mbërritur gjatë një telefonate të 28 dhjetorit mes Michael Flyyn, i emëruar nga Trump si këshilltar për sigurinë kombëtare dhe ambasadorit rus në Uashington, Sergei Kislak.

Sakaq, Barcak Obama të premten do të lërë Shtëpinë e Bardhë, ku do të qëndrojë Trump për të paktën 4 vjet. “Nuk mund të themi se demokracia jonë prevalon në çdo moment. Suksesi i Amerikës varet nga pjesëmarrja jonë. Të gjithë ne duhet të jemi vigjilentë dhe gardianë të kësaj demokracie”, – ka thënë Obama në videon e fundit tradicionale të fundjavës për familjet amerikane.

Please follow and like us: