A është i rastit gjithë ky densitet i lartë ngjarjesh që po ndodhin në botën shqiptare në Ballkan?
Jo, nuk është i rastit, sepse sot konstatohet qartë një fermentim real i shpirtit kombëtar, i dinjitetit dhe ndërgjegjes kombëtare i rreth 9 milionë shqiptarëve, të shpërndarë në pesë shtete ballkanike në Gadishullin Ilirik.
Ka filluar realisht eventi historik shqiptar në Europë, dhe, brezi i ri i shqiptarëve, që e konstatoi vetë se forca e çdo individi është atdheu i i lirë, kërkon me çdo kusht dinjitetin e tij historik.
l.
Kanti na ka thënë se, rast quhet ajo që ndodh vetëm një herë; sepse kur rasti përsëritet në mënyre identike më shumë se një herë, atëherë ai nuk është më rast, por është raport.
Dhe ja ngjarjet që po qerthullullojnë në botën shqiptare në Ballkan, dhe që krijojnë raportin kantian të eventit historik shqiptar në Europë:
Në Shqipëri pritet të nisë vrullshëm Reforma në Drejtësi për riformatimin institucional perëndimor të shtetit shqiptar.
Heroi i pavarësisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, është rreshtuar ne Francë sipas kërkesës serbe për t’u ekstraduar në Beograd, se është nën një akuzë serbe. Të mundurit, nëpërmjet shtetit francez, kërkojnë revansh kundrejt fitimtarit, duke dashur të fyejnë një nga heronjtë shqiptarë të pavarësisë së Kosovës.
Një tren rus i mbushur me serbë kërkoi të hynte në Kosovë për të shkuar në mënyrë provokative në Mitrovicë mespërmes Kosovës, për të zhvleftësuar në mënyrë fyese pavarësinë aktuale të Kosovës shqiptare.
Në Maqedoni sllavët maqedonas nuk pranojnë që gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare, në një kohë kur, për herë të parë, të gjitha forcat politike shqiptare janë bashkuar nën këtë kërkesë. Gjuha shqipe do të jetë shumë shpejt gjuha dominuese në shtetin maqedon, i cili ka frikën e gjuhës shqipe kundrejt ortodoksisë shqiptare në Maqedoni, e cila me dhunë ka mohuar kombësinë e vet shqiptare.
Vladimir Putin e quan Ramush Haradinajn “agjent” të Amerikës dhe të Perëndimit; njëlloj si Stalini në kulmin e stalinizmit sovjetik.
Shteti amerikan i akordoi Ramush Haradinajt vizën amerikane, kurse gjykata franceze u detyrua ta lërë në gjendje të lirë heroin e pavarësisë së Kosovës.
Forcat speciale të policisë kosovare kthyen mbrapsht trenin ruso-serb, me forcën e armëve dhe, për herë të parë që nga pavarësia, iu veshën serbëve këmishën e forcës shqiptarë në mbrojtje të dinjitetit shqiptar në Kosovën e pavarur.
ll
Kjo është përpjekja e fundit serbo-ruse për të mposhtur shqiptarët në Gadishullin e tyre Ilirik. Me këtë përpjekje intensive politika serbo-ruse ka dy objektiva: së pari, politika serbe kërkon të shohë sa e vendosur është ende politika amerikanë në mbrojtjen e çeshtjes shqiptare në Ballkan – fakt ky i cili rezultoi i vërtetë kur politika amerikane ia akordoi menjëherë vizën amerikane Ramush Haradinajt; dhe, së dyti, politika serbe kërkon të mundësojë shpëtimin e klasës politike të korruptuar shqiptare sipas taboreve korruptivë Berisha-Meta, e cila është e gjitha e predispozuar, që, për interesin e saj, të shesë interesin kombëtar shqiptar në favor të serbëve dhe grekëve, dhe t’i kthejë krahët Amerikës, sepse e gjithë kjo klasë është në prag të likuidimit të saj tërësor, nëpërmjet ndëshkimit penal.
lll.
Historia na ka mësuar se, sa herë ka filluar fermentimi i ndërgjegjes kombëtare të një populli, pushtuesit e territoreve të këtij populli kanë ngritur tensionet e pastrimit etnik dhe kanë blerë klasën e korruptuar politike të atij vendi. Kjo është edhe tabloja e sotme shqiptare: ngritja e ndërgjegjes kombëtare shqiptare në Gadishullin Ilirik, dhe një klasë e korruptuar politike shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë që kërkon ndihmë për mbijetesë, duke dashur të shesë interesin kombëtar shqiptar dhe të neutralizojë ndërgjegjen kombëtare shqiptare.
Por gjithçka antishqiptare që kërkohet të luhet në Ballkanin Petëndimor është pamundësi absolute, se neutralizohet nga aleanca e fuqishme shqiptaro-amerikene.
Bota shqiptare në Ballkan është sot ingredienti kryesor për politikën perëndimore në këtë zonë, sepse këtu sot përplasen ashpër interesat perëndimore me interesin rus.
lV.
Kush do të fitojë në Ballkan: Atlantizmi perëndimor, apo rusizmi lindor? Ja, kjo është pyetja. Por Atlantizmi perëndimor fiton në funksion të një aleance të fuqishme shqiptaro-amerikano-gjermane. Dhe kjo është arsyeja që shqiptarët e të dy shteteve shqiptarë në Ballkan janë sot faktori kryesor në përplasjen Lindje – Perëndim, dhe ata kuptohet se janë realisht të vendosur fuqishëm në aleancën shqiptaro-amerikane.
Si pasojë e kësaj aleance, reformimi ala perëndimor i Shqipërisë është domosdoshmëri historike në rajonin e Ballkanit Perëndimor; kurse korrupsioni shqiptar aktualisht eshtë i likuiduar, edhe pse klasa politike shqiptare ështe e metastazuar nga korrupsioni, metastazim ky nga i cili nuk kishte se si të shpëtonte edhe gazetaria modeste dhe joprofesionale shqiptare, sidomos patronati i saj.
Por gjithçka shumë shpejt do të ndryshoje: politika ruso-serbe do të humbasë në Ballkanin Perëndimor; korrupsioni politik shqiptar do të shpronësohet dhe do të ndëshkohet, kurse eventi historik shqiptar në Europë, i ngjizur realisht në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni do të prevalojë për të sjellë një frymë të re perëndimore në Gadishullin Ilirik nëpërmjet unitetit panshqiptar.