Albspirit

Media/News/Publishing

Frederik Stamati: Një dëshmi e rrallë për Anita Taken


Disa vjet më parë, zbulova trumbetën që ka pas përdorur babi i Anitës, kur ka qenë instrumentist në  Bandën “Vatra”. Atë e ka dorëzuar në Muzeun Kombëtar në vitin 1939 kapteri Aleks Lubonja, sekretari i bandës. U lidha në telefon me Anitën. Nuk kishim biseduar kurrë më parë. I tregova për zbulimin. Emocione në receptor. Ndonëse e vogël, ajo e mbante mend trumbetën të varur në qilarin e shtëpisë. Desha ta restauroj trumbetën dhe pastaj ta ftoja Anitën për ta parë. Por askush nga institucionet të cilave iu drejtova, nuk i u përgjigj kërkesës time

Ndarja nga jeta e këngëtares Anita Take, veç të tjerash, ka sjellë në memorien e shumë  dëgjuesve dhe adhuruesve të saj, kujtime nga më të veçantat dhe të pa dëgjuara më parë.

Një ndër personazhet akademikë që ka një kujtim të veçantë në lidhje me Mjeshtren e Këngës është dhe Frederik Stamati, mjeshtri i restaurimeve  në  Qendrën Studimore Albanologjike.

Në rrjetin e tij social, në facebook, Stamati kujton: “E kam parë duke kënduar në salla, në ekranin e TV, e kam dëgjuar në radio, kam kënduar këngët e saj, sidomos atë këngë që u bë himn:

“Lule mos mbaj nëpër duar,

Ato s’ta shtojnë bukurinë…”

Ndjej se diçka më është larguar nga tërësia e qenies sime”, thotë Stamati në kujtimin e tij për Anita Taken. Më tej ai tregon një histori personale që e lidh me Këngëtaren dhe familjen e saj. “Disa vjet më parë, zbulova trumbetën që ka pas përdorur babai i Anitës, kur ka qenë instrumentist në  Bandën “Vatra”.

Atë e ka dorëzuar në Muzeun Kombëtar në vitin 1939 kapteri Aleks Lubonja, sekretari i bandës. U lidha në telefon me Anitën. Nuk kishim biseduar kurrë më parë. I tregova për zbulimin. Emocione në receptor. Ndonëse e vogël, ajo e mbante mend trumbetën të varur në qilarin e shtëpisë. Desha ta restauroj trumbetën dhe pastaj ta ftoja Anitën për ta parë. Por askush nga institucionet të cilave iu drejtova, nuk iu përgjigj kërkesës time”, përfundon rrëfimin e tij Frederik Stamati.

Nuk është e vërtetë  se Anita Take, është  lindur në një familje, që nuk merrej me muzikë. Babai i saj ka qenë pjesëtar i Bandës Frymore “Vatra”, sipas kësaj dëshmie të Stamatit.

Krahas zërit dhe pasionit për këngën, ajo pati edhe një fat tjetër në jetë, sepse u njoh dhe u lidh  me një nga kompozitorët më të shquar të muzikës dhe me themeluesin e muzikës së lehtë shqiptare, Agim Prodani.

Kjo lidhje e saj me një artist dhe një mjeshtër të kompozicionit, bëri që Anita Take, brenda një kohe relativisht të shkurtër, të bëhej këngëtarja më e kërkuar për artdashësit shqiptarë.

Ajo ka mbi 50 vjet, që ka kënduar dhe debutimin e saj të fundit e ka bërë tek spektakli  “Njëqind këngët e shekullit”, nën duartrokitjet e gjata të njerëzve, që kishin mbushur plot e përplot sallën. Për kontributin e dhënë në muzikë dhe në këngë, ajo është dekoruar me titullin e lartë: “Naim Frashëri i Artë”. Por, ndonëse ajo ishte shumë e gëzuar për profesionin e saj, pengu i vetëm për të, ishte se nuk ka arritur të filmohet, duke kënduar në vitet e saja më të mira. Albumin e parë e ka publikuar para pak vitesh, i cili është pritur shumë mirë në publik.

Ajo akoma ka mbetur në kujtesën e shqiptarëve dhe shumë këngë të saj akoma këndohen edhe sot. Këngëtarja e madhe me ëmbëlsinë e zërit dhe interpretimin e shkëlqyer në skenë, ka lënë gjurmë të thella në historikun e muzikës dhe të këngës shqiptare.

Please follow and like us: