Hipokrizinë dhe nacionalizmat shterpë s’i kam qejf
Sonila Alushi
E kam bërë dhe unë, kot të them. Shkoja ato vitet e para në Shqipëri e gjithçka më dukej më skëterrë se ç’e kisha lënë. Kjo, pak sepse kisha ikur gjithë mllef për faktin që vendi im më detyroi të zija krahët e të kërkoja strehim gjetkë e ai mllef s’më kish kaluar.
Pak se ambjentimi në Itali më kish mësuar shumë shpejt me kushte më të mira e shërbime më efiçente dhe krahasimi ish i paevitueshëm. Pak sepse prisja që progreset në vendlindje të ndodhnin më shpejt. Pak sepse isha e bindur që kritikat tona, të emigrantëve, ishin ndërtuese (e mbase ishin) sepse në këtë mënyrë tregonim se si duhet të funksiononin gjërat, çfarë duhet të pretendonte njerëzia.
E pak sepse kështu i mbushja mirë mendjen vetes se zgjedhja ime ishte ajo e duhura. Me një fjalë, me këtë sjellie i fusja një shukë në gojë mallit e kthehesha e qetë në shtëpinë e re, të huaj asokohe, e të qetë. Motive të bindshme e një mundësi kthimi në kohë nuk do më bënte të sillesha ndryshe. Ishte një fazë ajo, një shkallë e nevojshme për t’u bërë për të hipur tek tjetra.
Më këtë nuk dua të them që kur shkoj në Shqipëri, sot, gjej parajsën. Me këtë dua të them që sot shkoj më e qetë ashtu siç bota ime e brendëshme është më e qetë e ndaj gjykoj gjendjen (se gjykimit nuk i shpëtoj dot unë e asnjë tjetër për mendimin tim) më me racionalitet e më me pak emocion.
Kjo më bën të gjej edhe situata të përmirësuara; njerëz që punojnë me pasion në rrethin e tyre sado të vogël; suksese të konsiderushme në disa fusha e sidomos në mentalitetin e punës, e marrëdhënieve në familje e në shoqëri; e mbi të gjitha shoh një ndërgjegjësim gjithmonë e më të madh për çfarë mungon e si duhet të arrihet.
Se t’i themi gjërat siç janë: pas 25 viteve emigrim, pra hyrje dalje te emigrantëve; pas 25 viteve eksperienca të marra jashtë vendit e të përdorura në Shqipëri; formimit profesional në pothuaj të gjitha fushat; e pas heqjes së vizave, pra lirisë të të udhëtuarit në Europë pa pengesa, nuk mendoj se njerëzia nuk di ende të dallojë të keqen e duhet të shkojmë t’ja vjellim ne në dy javët pushime.
Për mua ka ardhur një moment që ankesat e kanë konsumuar efektin pozitiv dhe punën e tyre. Sot, pas kaq vitesh rritjeje si shoqëri, mendoj që krtikat apo akoma më keq, sharjet, nuk kanë veçse efekt dekurajimi, frenimi, acarimi dhe shkatërrimi në disa raste (tek më të dobtit). Sot, pas kaq vitesh rritjeje si shoqëri, brenda e jashtë vendit, mendoj që për të inkurajuar e ndërtuar, duhen duartrokitur progreset sado të vogla, sukseset, përmirësimet.
Jo për gjë por të vjellin dinë dhe vetë ata se ato hallet i jetojnë mbi supe çdo ditë e me siguri u rëndojnë më shumë se sa neve. Pra dinë të vjellin më shumë e mirë se sa ne. Puna është ç’mund të bëjmë ne të tjerët për ta. Unë për vete nuk bëj dot shumë sepse vazhdoj të jetoj jashte vendit e vazhdoj të mendoj që kam bërë mirë që nuk jam kthyer. Familja ime ka prioritet para çdo dashurie tjetër, edhe para atdheut e këtu familja ime, fëmijët e mi, janë shumë më mirë se sa do të ishin atje.
Këtu kam ndërtuar çerdhen e kam vënë rrënjë tashmë. E dua këtë vend po aq sa Shqipërinë se kam kaluar gjysmën e jetës time këtu. Jam bërë grua, jam bërë nënë në këtë tokë. Hipokrizinë dhe nacionalizmat shterpë s’i kam qejf.
Ndaj ajo që dua të them është që kur nuk ke mundësi t’i ndihmosh, të paktën mos i dekurajo duke parë e shprehur vetëm të zezat. Mos e mbyt mallin se do të bëhet gur në gji. Zgjedhja jote është me siguri më e mira nga ato që kishe mundësi të bëje. Hidhe supeve, vazhdo rrugëtimin e nëse përgjatë ke mundësi të marrësh përdore kënd, unë të ulem në gjunjë.
Nëse nuk ke mundësi, vazhdo rrugën sa më i qetë e sa më me pak maraz. Unë, personalisht, të vlerësoj e të ulem në gjunjë gjithsesi.