Albspirit

Media/News/Publishing

Historia e shqiptarit Gjika që u internua 5 herë

Vasil dhe Vangjel Gjika, xhaxhai dhe babai i Andreas, që të dy partizanë gjatë Luftës ishin ndër të parët që u rebeluan ndaj regjimit të Enver Hoxhes. Në fshatai Mursi të Sarandës në vitin 1945 arratisja e xhaxhait të tij shënoi dhe nisjen e kalvarit të gjatë të vuajtjeve për familjen.

“Na marrin të gjithëve, gjyshen, nënën, të pestë ne fëmijëve, nënën dhe babanë, dhe na çojnë në Sarandë. Pasi na çojnë në Sarandë na çojnë në Krujë, në Krujë atje ne ishim fëmijë të vegjël, dhe kam shumë mbresa nga Kruja, pritjen që na kanë bërë krutanët. I vogël isha po na kanë dhënë copën e bukës se 400 gr bukë na jepnin në internim”, thotë Andrea.

Babain nuk e panë më kurrë, ndërsa në vitin 1948 i kthyen në fshat. Por arratisja e vëllait të Andreas i çoi sërish në internim.

“Arriti e kaloi kufirin dhe atje qëndroi. Pas kësaj na marrin e na çojnë në Valias, dhe atje stallë derrash ishte se më kujtohet si tani, se i vogël isha”, vijon rrëfimin Andrea.

Më pas ata i dërguan në Cërrik të Elbasanit, në Dukat të Vlorës dhe në fund në Borsh. Pas 10 vitesh arrati, xhaxhai i Andreas u kthye në fshehtësi nga mali për të parë familjen, por ai u ekzekutua bashkë me shokun e tij. Për fatin e eshtrave Andrea mësoi disa vite më vonë krejt rastësisht, nga dikush që në fillim nuk i besoi.

“Unë jam njeri i mirë tha, dua të të them një të vërtetë. Thuaje i thashë. Unë kam qenë hamall në portin e Sarandës dhe kur i morëm këta të dy, i hodhëm në përrua. Unë isha atje dhe u hodhëm pak zhavorr, dua të them që e di ku janë varrosur. Unë e pandeha provokim, por ai është një burrë i nderuar dhe më mori në shtëpinë e tij atë darkë. Të nesërmen në mëngjes u ngremë, mori një kazmë dhe morëm një thes dhe ikëm atje ku i kishte hedhur ky. Po mora kockat e xhaxhait a të atij tjetrit, këtë nuk mund ta them”, thotë ai.

Vuajtjet nuk morën fund. Deri në përmbysjen e sistemit, ndërsa agjentët e sigurimit të shtetit i ngrinin kurthe herë pas here. Në vitet ’90-të Andrea ishte dëshmitar në gjyqin e ish prokurorit të përgjithshëm Aranit Çelës.

“Mua më thanë do i thuash të vërtetën gjykatës tonë. Do i thuash të vërtetën Arianit Çelës dhe Haxhi Lleshit. Që mirë një u arratis, një ra në burg, po fëmija i vogël 1-vjeçar, një plakë 90-vjeçare çfarë faji ka kjo të vejë në internim. Arianit Çela u ngre dhe me tha një llaf, atë që thua ti nuk e kemi ne. Të marrin kushtetutën e Enver Hoxhën dhe të shohin tha që s’ka internime, po sigurimi bëri punën e tyre. Dhe unë bindem që sigurimi i shtetit, 1 në 3 e një në 5 i kishte bërë vetë. Mursinë e shkatërroi”, thotë më tej.

Andrea Gjika thotë se jeton me misionin për të treguar të vërtetën për atë periudhë. Nuk flet për hakmarrje, por për memorje. Ndaj për të mos harruar Andrea dhe banorët e Mursisë në Konispol kanë ngritur një memorial për viktimat. Emrat e babait dhe xhaxhait të tij gjenden në memorial,ndërsa ai nuk mjafton për të radhitur emrat e atyre që kryen 1200 vite burg dhe internime në këtë fshat.

Please follow and like us: