MUSINE KOKALARI, EMBLEMA E DISIDENCËS SHQIPTARE
NDUE DEDAJ
Pasaktësi të “vogla” që i bëjnë dëm historisë
Për Musine Kokalarin është folur e shkruar shumë këto vite. Edhe këtë gusht, në 30-vjetorin e shuarjes së saj, pati një ritual përkujtimor, duhet thënë rutinë, kur mund të ishte një ceremoni me të tjera përmasa e jo me tridhjetë vetë në sallën e Ministrisë së Kulturës, sa ç’mblidhen kur promovon vjershat një letrare e re. Për më tepër, krahas gjërave me vlerë rreth saj, vijon të thuhet tek-tuk dhe ndonjë pasaktësi, ku për ta goditur regjimin e djeshëm sa më në asht, i vishen atij dhe ca “flluska” të këqijash që nuk kanë ndonjë peshë dhe nuk bindin askënd. Sikur të mos mjaftonte odiseja politike që hoqi në kurriz kjo figurë emblematike e elitës shqiptare të shekullit XX. Ndodh njëfarësoj si dikur më heronjtë partizanë, që iu mbushej biografia me hollësira “domethënëse”, kur ata kishin bërë më të madhen, kishin dhënë jetën për lirinë. Musineja kishte sakrifikuar gjithçka për lirinë e ndërgjegjes, kësisoj asgjë nuk shton në figurën e saj të martirizuar për së gjalli “fakti” se demek në ditën e vdekjes ajo i kishte pasur duart të lidhura me tela me gjemba (!?) çka është e pavërtetë. Por qëllimi ynë nuk është të ngjallim ndonjë debat të panevojshëm, thjesht na intereson të shkruhet e vërteta rreth shkrimtares dhe politikanes dhe jo teprimet, që në thelb i bëjnë dëm historisë.
Kodet e qytetit mirditor me Musinenë
Shqiptarët tashmë e njohin historinë e saj tronditëse, pa droje do të hynte në librin e disidencës së krejt Lindjes komuniste, ku shëmbëlltyra e saj mbase do të ishte më e përkryera për një memorial me simbolikën e rezistencës gjatë Luftës së Ftohtë. E doktoruar në Itali për letërsi, shkrimtare e parë shqiptare, idealiste e kulluar, që donte ta bënte politikën socialdemokrate jo sipas ideologjisë komuniste, një divë e iluminizmit dhe mirësisë njerëzore. Dihet se si u soll regjimi i kaluar me këtë kategori intelektuale të dorës së parë, që, kur nuk e asgjësoi fizikisht, e kalbi nëpër burgje e internime për gjithë jetën. Por përtej regjimit ka pasur dhe një qëndrim qytetar, ndryshe nga ai i zyrave të shtetit. Është e njohur tashmë se Musineja dhe Rrësheni, qyteti ku ajo qëndroi në internim për 22 vite, e kishin një gjuhë të fshehtë mes tyre, sado memece në dukje. Njerëzit e qytetit, që asokohe nuk ishin vetëm mirditorë, nuk e tanonin në punë, rrugë, kinema, bibliotekë, ashtu si ajo nuk i “provokonte” me agjitacion e propagandë kundër pushtetit. Ajo agjitonte sa mundej vetëm për kulturimin dhe emancipimin e njerëzve që e rrethonin, pa qenë ndonjë misionare. Kuptohet që Komiteti i Partisë dhe Sigurimi i Shtetit ishin vigjilentë ndaj çdo lëvizjeje të saj në 24 orë, kontrollonin gjer ç’libra lexonte dhe ç’filma shihte. Por nuk mbahet mend ndonjë përplasje funksionari shtetëror me Musinenë, çka është domethënëse. Ishte në të vërtetë personaliteti i saj tejet rrezatues që e kishte fashitur nga sytë e tyre pamjen e saj “armike”, aq sa të mos e urrenin e stigmatizonin. Ishte po ashtu dhe natyra e fisme mirditore kundrejt të ardhurve, cilët do të ishin ata, ndoshta dhe nga statusi i mikut. Shkurt, kishte një marrëveshje të pashkruar, të heshtur, të dyanshme. Ajo si e internuar nuk mund të shkonte në shtëpitë e tyre dhe as ata në shtëpinë e saj, pos rasteve sporadike, pasi kjo ishte e ndaluar nga regjimi, ama njerëzorja shtrihej përtej këtij kontakti gjysmë të munguar. Kjo soj etike ka funksionuar dhe me të internuarit e tjerë në Rrëshen, që nuk kanë qenë të paktë dhe të mos kërkojmë më shumë nga ajo kohë!
Musineja ishte një zonjë që dinte ta gjente vendin dhe fjalën, të shmangte incidentet e mundshme me regjimin. Kishte për zemër sidomos fëmijët, por sillej me ta me takt e elegancë, pa u shkrirë mes tyre si ndonjë masovike. Këshillonte të rinjtë për leximin e librave a shikimin e filmave, pa u shtyrë në opinione. Po ashtu ajo u fliste grave, sidomos atyre që i psikologjiste se e mirëkuptonin. Ajo nuk e bënte këtë për të fituar ndonjë pozitë favorizuese, pasi e dinte se ishte e pamundur, por thjesht nga edukata dhe formimi solid që kishte. Sidoqoftë mëkati ndaj saj ishte. Siç kishte fëmijë që nënat e tyre i çonin në shtëpinë e Musinesë me një copë bukë misri, ashtu ndodhte që dikush t’i thoshte vajzës së vet se ajo gruaja është një “shtrigë”, vetëm që vogëlushja të mos e adhuronte “armiken e popullit”. Sidomos në punë, në ndërtim, ajo ishte e kursyer në fjalë, se aty popullata ishte më heterogjene dhe mundësia e provokimit për një armike të klasës ishte më e madhe. Vetë Musineja në ditarin e saj nuk ka shkruar asgjë të rezervuar për njerëzit e qytetit, të cilët më e pakta nuk donin t’i bënin keq. Asnjë akuzë, dënim a ridënim aty, asnjë dëshmitar kundër saj. Asgjë e kësaj natyre. Dhe nuk qëndruan pak bashkë Rrësheni dhe Musineja, por rreth një çerekshekulli, nga shkelja për herë të parë aty pas daljes nga burgu e deri në shuarjen e saj në vitet ‘80. Ndonëse gruaja e paepur rronte në një banesë që notonte mes ujërave të ndenjura dhe mizerjes.
“Rrëshen, që u rrite në krahët e mi…”
Ky është një varg poezie i Musinesë. Por dhe fati i saj fort i bjerrë. Kur zonja e internuar vajti aty, qyteti nuk ishte as 15-vjeçar. Musineja e ndërtoi me duart e veta. Ajo dinte gjithçka që lidhej me ata njerëz dhe ata dinin gjithçka që lidhej me të, kush më shumë e kush më pak, pasi ishte një pëllëmbë vend e një grusht njerëz. Informacioni i marrë nga ata në veçanti dhe i përmbledhur nga ne në këtë shkrim, ndërton njëfarësoj përditshmërinë e saj, që ishte dhe përvitshmëria, apo gjithëkohësia e saj e privuar. Rronte e vetme, në një dhomë të amortizuar, në një shtëpi përdhese në moçalishte, bashkë me dy-tri familje të tjera të persekutuara. Për të hyrë në atë banesë të mjerë duhej të vije dy-tre tulla dhe ndonjë dërrasë që të mos binte këmba në ujë. Aty ishte shtrati i saj dhe një raft rrobash, pak libra dhe një dorë revistash në gjuhë të huaj që vazhdonin t’i vinin nga jashtë. Punonte në ndërtimin e pallateve, përziente llaç për ustallarët gollobordas, ngrinte qytetin që nuk i jepte një strehë për të futur kokën. Kishte dhe ndonjë grua tjetër si ajo e persekutuar që gjithashtu përziente llaç dhe ngrinte tulla mbi krahë. Musineja shihte si regjimi kafshonte të vetët dhe një ditë pranë saj do të punonte punëtore dhe e bija e ish-ministrit të Mbrojtjes, Beqir Ballaku me të shoqin, një profesor i nderuar universiteti. Kjo ishte paraditja e mundimshme sizifiane saj, kurse pasditja ishte “mondane”. Vishej me shije të hollë si ato zonjat e rënda, shkonte në kinema, bibliotekë dhe sidomos nuk harronte kurrë atë xhiron e saj të famshme, nga qyteti deri në periferi tek Ura e Fanit, sa shpesh identifikohej me atë xhiro. Nxënësve u thuhej se ajo ishte Emira Velo e romanit “Para Agimit” të Shevqet Musarajt. Si dhe paraqitej rregullisht në sportelin e Degës së Brendshme. Jeta asaj nuk i afronte asgjë bujare, megjithatë ajo kishte arritur të mbijetonte, të ishte një personazh në sytë e qytetit, mund të harroheshin të gjithë një ditë, por jo Musineja. Njerëzit nuk e dinin biografinë e saj me hollësi, nuk dinin sidomos se ajo kishte qenë shkrimtare, por as ajo nuk e tregonte këtë anë. As që kishte pyetur ndonjëherë nëse në bibliotekën e atij qyteti ishte ndonjë nga librat e saj, çka do të kishte shkaktuar befasi te vendësit, por ajo ishte një bibliotekë me fond të ri të pasluftës, ndërsa librat e saj ishin botuar më parë. Është Rrësheni që e rindërton biografinë e disidentes antikomuniste, si dhe ditari i saj. Rrësheni, me praninë dhe mungesën, me dëgjesën dhe me heshtjen e tij, është i vetmi dëshmitar i vdekjes së Musinesë, ashtu si dhe i jetës së saj për njëzet e dy vjet, ndaj nuk mund të shpërfillet ai në këtë histori.
Musinesë i bën nder vetëm e vërteta
Mikja më e ngushtë e saj ishte vetmia. Vetmia e një gruaje të bukur plot ndjesi njerëzore. Pas gjithë atij kalvari të mundimshëm, duke bërë bilancin e trishtë të jetës së saj, Musineja shkruante si nga fundi i dëshpërimit: “Nganjëherë them me vete se nuk fitova gjë që mbeta gjallë. Ndoshta do të ishte më mirë të kisha mbyllur sytë njëherë e përgjithmonë. Kështu merrnin fund dhe vuajtjet, me gjithë gjendjen tragjike”. Dhe prapë ajo do të kthehej mes sokakëve të saj e pavdekshme. Do të linte porosi që sendet që gjendeshin në valixhen e saj prej druri të dërgoheshin në muzeun e Gjirokastrës. Gjithsesi, asaj i mjafton qëndresa e vet morale e pazakontë, për afro një gjysmëshekulli, ndaj nuk e kupton pse duhet t’i vishet diçka që nuk kanë ngjarë me të. Në Wikipedia shkruhet: “Musineja vdiq e vetme dhe u varros nga varrmihësit. Kur e zhvarrosën vite më vonë, u pa se duart e saj ishin të lidhura me tela me gjemba”. Nuk kishte arsye as mosarsye të ndodhte një gjë e tillë. Në historinë e njerëzimit, në asnjë popull nuk ka ndodhur që i vdekuri të lidhet as për çështje besëtytnish. Nuk bëhet më tragjike jeta e Musinesë duke shtuar diçka monstruoze për të. Asnjëri nga varrmihësit e paktë nuk dëshmon për “pranga” në duart e saj të kryqëzuara mbi gjoks. Përkundrazi, ata e kundërshtojnë fort këtë si një sajesë. Musinenë zyrtarisht e ka varrosur Komunalja, por kanë qenë komshinjtë e saj, njerëz të persekutuar si ajo, që e kanë kryer atë varrim. Ndaj nuk është drejtë që figura të tilla të shoqërohen sot nga legjendat urbane. Të vërtetës i duhet vetëm ajo që ka ndodhur dhe jo shtesat a dënesat. Se ka ngjarë kështu kemi sot një histori të gjymtuar. Ky është problemi. Besojmë se biografët e Kokalarit do të peshojnë çdo të dhënë rreth figurës së saj, larg qasjes ideologjike të asaj kohe. Agim Haruni, fqinji më i afërt i saj, njëherësh njeriu që ka organizuar varrimin deklaron sot e gjithë ditën: “Nuk është e vërtetë që në duart e Musinesë ka pasur tela me gjemba për së vdekuri!” Është tjetër gjë të thuhet se si do të duhej të ishte varrimi i saj, por kjo do të dilte jashtë realitetit të asaj kohe. A mund të kërkohej sadopak vëmendje mortore për këtë zonjë të madhe, kur në atë kohë regjimi varroste ish-Kryeministrin e vet legjendar me një grusht njerëz, pa asnjë protokoll?!
JETA DHE VDEKJA E NJË ZONJE ARISTOKRATE
(Kujtime të mbledhura kohë pas kohe në Mirditë)
Musineja ndenji në Rrëshen dhe pasi kishte përfunduar internimin
Ndue Gjika, shkrimtar, ish-deputet i PD-së: “Ne kemi njohur e ndarë jetën, qoftë edhe në heshtje me të përndjekur e të internuar politikë, që nga familjet mirditore të Llesh Gëziqit, të Gjeçajve etj., e deri te figura më emblematike politike e artistike në shkallë vendi, Musine Kokalari. Janë shkruar e deformuar shumë gjëra nga pasioni për të, por nuk ka asnjë ngjarje apo veprim të ultë që do ta fajësonte qytetarin e Rrëshenit për vuajtjet e gjithë të internuarve dhe në veçanti të asaj. Ata e kanë dashur, respektuar e nderuar aq sa kishin mundësi në heshtje, por kurrën e kurrës nuk e kanë fyer apo keqtrajtuar, qoftë ata me të cilët punonte, apo që ndiqnin filmat, ndanin sallën e bibliotekës, apo radhët për racionet e zarzavateve, mishit, bukës etj. Këtë raport si me “lulen mos më prek”, e shprehin vetë veprimi dhe të shkruarat e saj. Temë të hulumtimeve shkencore ajo kishte edhe Mirditën, “krahinë me shumë interesa dhe e pastudiuar…”, siç është shprehur ajo. Në vitin 1979, pasi i kreu vitet e dënimit dhe të internimit i thanë se mund të shkonte në Gjirokastër, por ajo kërkoi mundësinë që të sistemohej në Tiranë dhe iu mohua. Atëherë zgjodhi Rrëshenin, të jetonte e të vijonte studimet e saj. Pra ajo ka qenë dhe përjetësisht do të jetë qytetare e Rrëshenit, se vërtet atë e sollën si të dënuar, por pastaj u njoh dhe u lidh me këtë qytet, të cilit i fali vuajtjet, por dhe respektin e thellë për cilësitë njerëzore të banorëve që e rrethonin. Të gjitha këto e bënë të shkruante me aq dashuri e femilitet vargun emblematik në një prej poezive të saj: “Rrëshen, që u rrite në krahët e mi…”
Qarku i Lezhës, titull nderi për Musinenë…
…22 korrik 2011, ditë e premte. Këshilli i Qarkut Lezhë nderon me tituj nderi një varg personalitetesh, më së shumti ish të persekutuar nga diktatura komuniste. U dhanë tituj për At Ambroz Marlaskajn, At Klement Mirajn, Dom Nikollë Gazullin, Hafiz Ulqinakun, Llesh Nik Dakën, Col Dizadarin, Ndue Preng Marka Gjinin (ish-mësues), Franko Alkën, këngëtaren e njohur, Luljeta Përbasha, qëndrestarë të familjeve nacionaliste Syku, Miraj, Shabani e të tjerë. Mes tyre ishte dhe titulli “Intelektuale e shquar” për Musine Kokalarin, nisur nga kohëqendrimi i saj në internim në Rrëshen. Pra, një nderim për njeriun e ndaluar. Rastisi të isha dhe unë në panelin e atyre dekorimeve, së bashku me zonjën Lili Ndoci nga Shoqata e të ish të Persekutuarve të Shqipërisë, si dhe zotërinjtë Mark Vuji e Reshat Kripa, kur përfaqësuesi i Këshillit të Qarkut të Lezhës, pasi lexoi motivacionin e titullit të nderit për Musine Kokalarin, më ftoi t’ua dorëzoja solemnisht të afërmve. Por ata nuk ishin në sallë, si duket nuk u kishte mbërritur fjala, kështu që nuk e zgjata, përshëndeta të pranishmit, thashë se ishte nder i veçantë për mua të dorëzoja një titull për një shkrimtare shqiptare kaq të vyer, një disidente të rrallë, dhe (përkohësisht) dekoratën po e mbaj po unë, derisa t’ua dërgoj njerëzve të saj në Tiranë. Kishim rrojtur në të njëjtin qytet, ani se si dy të “panjohur”; me 1995 në gazetën “Koha jonë” kisha botuar shkrimin me titull “Disidentja” dhe më pas një ese të gjatë në gazetën “Shqip”, për çka më kishin telefonuar me mirësi dhe të afërm të saj nga kryeqyteti. (Fletë nga ditari vetjak i autorit të shkrimit.)
Një koleksion qëndisjesh i Musinesë.
Mark Paçuku, i moshuar, Rrëshen 2010
“Musineja ka jetuar në një banesë përdhese me motrën time, Prenushën, gjithashtu e persekutuar rëndë. Njëherë kam parë me sytë e mi një koleksion prej 50-60 qëndisjesh që Musineja i kishte bërë kur kishte qenë për 12 vjet e dënuar në Burgun e Burrelit. Por nuk mund të them se çfarë përmbanin ato figura që ajo kishte qëndisur, ku binin në sy figurat gjeometrike, ndonjë shqiponjë etj…” Nuk dimë që këto relikte të saj të jenë gjetur e ekspozuar ndokund. Po çfarë mund të ishin ato qëndisje, kur ajo e dinte se kurrë nuk do të kishte një pajë nusërie për të. Nuk do të nusëronte. Nuk do të bëhej nënë. I kishte thënë njëherë Musineja në Rrëshen një qytetari: “Jeta ime e tillë paskësh qenë, por të paktën nuk po lë fëmijë e nipër mbrapa, që t’ua shkatërroja jetën dhe atyre!”
Dëshmitarët okularë
“Ne e varrosëm Musinenë, nuk i kishte
duart të lidhura me tela me gjemba!”
Agim Haruni, komshia më i afërt, njeriu që e ka varrosur Musinenë:
“Musinenë, pas vdekjes, e ka bërë gati nëna ime bashkë me Myzejen Kalon etj. Nuk është e vërtetë që në duart e saj ka pasur tela me gjemba për së vdekuri!? Kjo është gënjeshtër! E kush do t’ia lidhte, ne që e varrosëm? Nuk erdhi aty Sigurimi i Shtetit. E kam dëgjuar këtë, po është një sajesë e kotë, e thotë ndonjë që nuk kanë qenë në varrim…” deklaron Haruni duke protestuar në mënyrën e tij. Ai e ka thënë shqip këtë sa herë është pyetur nga gazetarët, televizionet etj. (Gusht 2013).
*
Shaban Doçi, ish-i dënuar politik, që ka marrë pjesë në varrimin e Musinesë, në një intervistë shprehet se pranë me Musine Kokalarin ka jetuar gruaja e tij, Yldyshanja, me dyert ballë përballë, për njëzet vjet, para se të martoheshin. Kurse vdekjen e saj e përshkruan kështu: “…Musineja kishte vdekur në orën 9 të darkës, ndërsa unë isha në Lezhë. Dal në mëngjes për të kapur autobusët që shkonin për Rrëshen. Shkoj te shtëpia e saj, dera ishte me çelës, kishin marrë ato dorëshkrimet dhe ça kishte atje, e kishin mbyllur derën me çelës dhe çelësin e kishin dërguar te kryetari i këshillit të qytetit. Shkova dhe i thashë Agim Harunit se kush e kishte çelësin. Filani, më tha ai. Shkova në Këshill, po më thanë që nuk ma jepnin dot çelësin. U thashë atyre që i kisha premtuar Musinesë se do ta varrosja, e kisha me shkrim këtë nga ajo, se përgjigjesha për të gjitha. Kështu e mora çelësin, shkova te shtëpia e Musinesë, e nxorëm, e bëmë gati, shkuam te Komunalja se donim ta varrosnim ngjitur me nënën e gruas”. Por nuk ishte pranuar që Musineja të varrosej pranë nënës së gruas së tij dhe pas kësaj e kishin transportuar arkivolin e të ndjerës me një makinë zhavorri. Ai shton se Musineja i kishte thënë Myzejen Kalos, që të merrte në telefon Platon Kokalarin, djalin e xhaxhait të saj, i cili erdhi pas 2-3 ditësh dhe iu dhanë “të gjitha materialet e Musinesë, fotografitë, dokumentet e pensionit, letërnjoftimin, librat…” (“Koha jonë”, 25 janar 2010, “Si e varrosa Musine Kokalarin.”) Po ashtu, Doçi, në një emision televiziv, kundërshton se ajo i kishte duart të lidhura me tela me gjemba…
*
Yldyshane Kalo (Doçi), një nga personat që e ka varrosur:
Nga të gjitha dëshmitë e mbledhura prej nesh rreth jetës dhe vdekjes së Musinesë në Rrëshen, del se zonja Myzejen Kalo ka qenë person kyç në marrëdhëniet me të dhe në varrimin e së ndjerës. Ndërkohë, motra e saj, Yldyshanja, gjithashtu pjesëmarrëse në varrimin e Musinesë, ka deklaruar përmes ekranit të televizionit: “Nuk është aspak e vërtetë që Musineja u varros me duar të lidhura atë ditë. Përse do të ndodhte? Kush do ta bënte? Jo, jo! Ne ishim që e varrosëm. Nuk ishte kush tjetër aty…” (Dokumentar nga Agim Popoci kushtuar Musinesë.)
*
Jakup Hysni Isufi, shoferi që e ka mbartur me makinë për në varreza.
E kam çue unë Musinenë për në varreza, me makinën time skodë reportabël e Parkut të Mallrave Rrëshen. Më tha Agim Haruni për këtë gjë, ndoshta ngaqë me atë vetë dhe me Musinenë kisha komshie motrën time, Fahrien. Njëri që ka folur në televizion për këtë rast më ka fyer duke thënë se morëm një jevg për të transportuar kufomën!…”
*
Gjon Gjeçi, ish i persekutuar, komshi:
Nana më ka pas thanë se Musinenë e ka vesh për të fundit herë, para se të varrosej, Zina e Mark Shkodrës (shofer), bashkë me nanën e Agim Harunit e ndonji grua tjetër. Nuk i ka pas duart e lidhuna me tel me gjemba për së vdekuni. Si shofer e ka transportue Jakupi, me makinë reportabël…”
*
Age Nikollë Gjeçi, e moshuar, ish-komshie:
“Nuk të fliste, se donte mos të bënte keq. Të përshëndeste kur nuk e shihte kush. Pas punës vetëm lexonte dhe shëtiste deri te Ura e Fanit. Nxirrte karrigen në oborrin e shtëpisë përdhese, ku banonte dhe lexonte libra. Në atë banesë banonin katër familje: Musineja e vetme, Sul Haruni me familjen, Myzejen Kalo, me sa mbaj mend dhe një familjar tjetër me ngjyrë, ku secila familje kishte nga një dhomë. Aty patën banuar dhe dy motrat, Dyshja (Yldyshanja) dhe Myzejeni. Njëherë u përmbyt oborri dhe ata dolën vetëm kur u largua uji vetë për në Zmé”. Dy motrat kishin qenë me shkollë, Dyshja kishte mbaruar për Mjekësi, por mezi e kishin caktuar infermiere në Fermë. Myzejeni kishte studiuar në universitet për Gjuhë Ruse, por nuk e kishin lënë ta ushtronte mësuesinë, vetëm pas ‘90-s me sa di ka punuar mësuese në Durrës. Ajo ishte e martuar me një grek, me të cilin pati një djalë, por më pas qenë divorcuar, ai kërkoi të shkonte në vendin e tij, gjë që iu lejua, ku më pas tërhoqi me vete dhe djalin 15-vjeçar, kështu që Myzi mbeti e vetme. Ka qenë ajo që e ka rregulluar pas vdekjes Musinenë dhe e ka varrosur.
Musineja e dinte se po vdiste, ndaj kishte lënë derën hapur. Sapo u gjet e vdekur, u njoftua Këshilli Popullor i Qytetit. Di që erdhën dhe morën ato pak libra që ishin. E ka varrosur Komunalja me punëtorët e saj. Njerëzit kishin frikë të shkonin. Nga komshinjtë kanë qenë në varrim vetëm Agim Haruni, Myzejen Kalo, Dyshja dhe pak të tjerë. Nuk kam dëgjuar që ajo i ka pasur duart e lidhura me gjemba për së vdekuri. Pastaj pse duhej t’i kishte!?…” (Gusht 2013).
*
Angjelina Margjini, punonjëse e Gjendjes Civile, Rrëshen:
“Musinenë e kujtoj si një grua moderne, që nuk dilte asnjëherë pa u veshur si zonjë. Ulej në lulishte, në stol dhe lexonte libra të trashë. Nuk i fliste kujt dhe nuk i fliste kush. Lexonte jashtëzakonisht shumë dhe në dimër, po të kishte diell. Kur bënte ftohtë vishte një pellush me lesh, që asokohe nuk ia shihje njeriu tjetër, që duhej ta kishte sjellë nga jashtë qysh para Lufte. Vinte dhe një shall në qafë. E shihja vazhdimisht pasi pallatin tim një përroskë e ndante nga banesa e saj dhe e të tjerëve të internuar… Kam qenë në punë në zyrën e Gjendjes Civile, kur ka ardhë Myzejen Kalo, komshia e saj, për ta ç’rregjistrue Musinenë, tri ditës pas vdekjes. Emri i saj figuron dhe në aktin përkatës të vdekjes, nr. 46, datë 16.81983”.
P.S. Akti i vdekjes e ka të shënuar emrin e vendlindjes së Musinesë në Turqi, Andona (?), kur dihet që është Adana, që besohet të jetë një gabim teknik i Gjendjes Civile të viteve ’60, kur Kokalari pati ardhur për herë të parë në Rrëshen. Musineja vdiq me 13 gusht 1983 në këtë qytet dhe jo me 14, siç del në ndonjë botim, çka paraqitet dhe në certifikatën përkatëse.