PD kërkon hetim për pasurinë e deputetit Alfred Peza
Partia Demokratike ka kërkuar që të nisë hetimi pasuror për deputetin e Partisë Socialiste Alfred Peza, i cili rezulton që të ketë 1 miliardë lekë aksione në bankën Credins.
Zëdhënësja e PD Ina Zhupa ka deklaruar se pasuria e deputetit Peza tregon vetëm “majën e ajsbergut” të korrupsionit të kësaj mazhorance.
Sipas saj, Kryeministri Edi Rama, ministrat Tahiri Beqaj, Gjiknuri, Ahmetaj dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj kanë shtuar akoma më shumë pasurinë duke qenë se kanë në dorë të firmosin tendera dhe marrëveshje.
Deklarata e zëdhënëses së PD Ina Zhupa:
Në të vërtetë, skandali i pasurisë 1 miliardë e 100 milionë lekë të deputetit Alfred Pezës, tregon pellgun e madh të korrupsionit të kësaj maxhorance.
Miliardat e Pezës janë vetëm pjesa e dukshme e miliardave që kanë përfituar deputetë, ministra e njerëz të afërt me Edi Ramës qysh ditën e parë që erdhën në pushtet.
Kur Alfred Peza ka arritur në pak vite të shumëfishojë pasurinë e tij, përfytyroni sa miliarda ka bërë Ilir Beqaj, Damian Gjinknuri, Saimir Tahiri, Arben Ahmetaj, Erjon Veliaj, e më tej, Edi Rama vetë.
Peza nuk ka firmosur vetë tendera e koncesione dhe ka bërë 1 miliardë e 100 milionë.
Po beqaj e koncesioneve, po Tahiri i mijëra parcelave me drogë, po Ahmetaj i carterave, tatimeve e doganave, po gjiknuri i energjisë e aferës CEZ, po Veliaj i pallateve e industrisë së mbetjeve.
Po Edi Rama, tek i cili dorëzohet haraci më i madh?
Miliardi i Pezës meriton hetim të shpejtë e serioz, po përvec kësaj është dëshmia më e pastër se sa dhjetra miliardë kanë vjedhur Edi Rama e të tijtë në këto 3 vite e gjysëm. Ndërkohë që ata bëjnë miliardat, populli zhytet në varfërinë më të skajshme dhe njerëzit braktisin vendin cdo ditë.
Këta hajdutë duhen ndalur. Shqiptarët meritojnë një qeveri për shqiptarët, një qeveri për njerëzit, që ta kontrollojnë e ta kenë në dorën e tyre.