Rikthehet Elhaida Dani
Një nga zërat më të mirë të muzikës shqiptare i ka munguar prej kohësh ekranit. Elhaida Dani, pas sukseseve në “The Voice of Itali” dhe përfaqësimit të Shqipërisë në Eurovizion, duket se vendosi të bëjë një pushim. Të paktën për sa u përket daljeve publike, pasi pak muaj më parë ajo ishte pjesë e muzikalit “Notre Dame De Paris” në Francë, i cili vazhdon ende shfaqje të suksesshme nën drejtimin e mentorit të saj, Riccardo Cocciante.
Publiku shqiptar nuk ka mësuar prej kohësh asgjë të re prej saj deri sot. Adi Krasta ka menduar ta ketë të ftuarën e tij në “E diell” duke e rikthyer në ekran jo vetëm me zërin e saj, por edhe me një intervistë ndryshe. Elhaida hyri në studion e “E diell” me këngën “Mamma knows best” nga Jessie J, këngë që i dha suksesin dhe bëri të kthenin karriget të katër trajnerët e “The Voice Itali”.
“Nuk kam folur asnjëherë për pjesëmarrjen time në Eurovizion dhe për disa është një nga dështimet e mia, ndërsa për të tjerë një arritje. Për mua është pikë e fortë e karrierës, edhe pse e përjetova me shumë presion. Në rrjete sociale më bënë copë me komente, duke thënë edhe që nuk e këndoja dot këngën. Nuk e di çfarë ndodhi atë natë, por “I’m alive” është këngë e vështirë dhe unë u përpoqa të bëja maksimumin me gjithë frikën se mos zhgënjeja shqiptarët që prisnin shumë nga unë”, – u përgjigj këngëtarja pas pyetjes së Adi Krastës, nëse mendonte edhe ajo vetë që performanca në Eurovizion nuk ishte më e mira e saj.
Elhaida shtoi se prej një viti po merret me realizimin e albumit të saj dhe pjesëmarrja në “Sanremo” nuk ka ndodhur ende pasi kënga e realizuar nga studioja “Universal” për këtë festival nuk ishte e duhura për të, por pa diskutim që është një nga synimet e saj në të ardhmen.