Ruben Avxhiu: Viti i provokimeve serbe vetëm sa ka filluar
Muri në Mitrovicë dhe treni me parrulla janë vetëm paralajmërime të atij që do të jetë një vit i mbushur me provokime nacionaliste serbe.
Ndonëse ne jemi përqendruar më shumë në pjesën e Kosovës, ky vit provokimesh nuk ka të bëjë vetëm me ne. Serbia i ka hyrë një aventure të rrezikshme që po kërcënon paqen dhe qendrueshmërinë në gjithë rajonin.
Në Republikën Sërpska të Bosnjes, udhëheqja politike me Dodik në krye kanë ndërprerë të gjitha marrëdhëniet me përfaqësuesin ndërkombëtar që mbikqyr bashkëjetesën post-Dejton. Preteksti është se ka fyer Ditën Kombëtare Serbe, një festë e krijuar në mënyrë anti-kushtetuese për të nxitur rritjen e tensioneve nacionaliste në republikën e përçarë nga lufta.
Planet e Dodikut janë thënë hapur tani. Shkëputje nga Bosnja, bashkim me Serbinë, bashkë me Kosovën e Veriut.
Ivica Daçiq, ministri i Jashtëm që deri dje hiqej si njeri i paqes dhe dialogut, që ndryshe nga Nikoliq nuk e kishte problem të takohej miqësisht me politikanë nga Kosova, tani po kandidon për president dhe ka kaluar në nacionalizëm të vrazhdë, të ngjashëm me kohën e (pa)harruar kur ishte zëdhënës i Sllobodan Millosheviqit.
Daçiq, jo vetëm që ka premtuar angazhim më të madh kundër Kosovës, po në deklaratat e fundit ka sulmuar egërsisht Maqedoninë dhe Malin e Zi. Ai u shpreh se Serbia nuk duhej ta kishte njohur kurrë Maqedoninë me emrin që ka, duke krijuar një çarje më të re në marrëdhëniet e thërmuara mbarëballkanike.
Zgjedhjet presidenciale nuk kanë vetëm Daçiq. Kanë edhe Sheshelj, të akuzuarin për krime lufte në Hagë, që doli me pretekstin se po vdiste nga një sëmundje e rëndë e tani po kandidon për president me një platformë haptas fashiste.
Fushata e zgjedhjeve që po afron do ta zhysë edhe më tepër Serbinë në batakun e nacionalizmit ekstrem. Posti i presidentit është kthyer në kundërpeshuese të politikës pro-BE të qeverisë. Kur kryeministri shkon të marrë me të mirë Brukselin, Nikoliq vrapon në Moskë.
Presidenti nuk ka shumë fuqi ekzekutive në Serbi dhe mesa duket është programuar politikisht për të qetësuar dufet e egërsuara të nacionalistëve që preferojnë një kthim në dhunën e viteve 90 sesa zhvillimin ekonomik e integrimin paqësor të Ballkanit, në familjen europiane.
Për një post të tillë, të krijuar për të kanalizuar afshet nacionaliste, fushata nuk ka sit ë jetë përveçse e çakërdisur dhe plot urrjetje për fqinjët. Shqiptarët e Kosovës do të jenë në krye të listës së urrjetjes.
Nuk priten debate e programe të urta e racionale. Priten vetëm veprime të bujshme, skandaloze, provokuese. Qeveria serbe është e prirur ta tolerojë festën e urrejtjes sa kohë që nuk i prish punë drejtpërdrejt dhe sa kohë që heq vëmendjen nga korrupsioni, kufizimi i lirive, dhe dështimet ekonomike që ka sjellë që nga zgjedhjet e fundit.
Nuk është çudi që edhe perëndimorët, duke e ditur se Nikoliqi do të zëvendësohet nga një nacionalist do ta tolerojnë Daçiqin që të sillet si nacionalist i çartur për të thyer Shesheljin, ndonëse me kandidaturën e tij do të komprometojë qendrimet e qeverisë.
Një kandidaturë më e moderuar mund të jetë Vuk Jeremiq, nëse futet në garë. Jeremiq mbase nuk do të jetë pjesë e cirkut nacionalist, po pikëpamjet e tij në të kaluarën, mëria nga pengesa që Perëndimi i bëri në garën për kreun e OKB-së, nuk premton domosdoshmërisht vazhdimin e rrugës europiane për Serbinë.
Këto të gjitha po amplifikohen nga histeria e krijuar prej fitores së Donald Trump në zgjedhjet presienciale amerikane. Serbët gjithmonë kanë anuar nga kushdo që ka kandiduar kundër Hillary Clinton, mirëpo te Trump shohin një shpresë të madhe për shkak të lidhjes së tij shumë të përfolur m Putinin e Rusisë.
E gjitha mund të jetë tym në ajër e mund të sjellë zhgënjimin e radhës për serbët mirëpo deri sa të normalizohet gjendja, e të shohin se politika amerikane nuk kandryshuar shumë, do të vlojë entuziasmi dhe pritja e ndonjë mrekullie.
Gjatë kësaj kohe ata do ta testojnë Amerikën duke ia ngacmuar paqen që ka vendosur në rajon. Në këtë dritë shihen edhe veprimet e Dodikut, apo “muri” i Mitrovicës, i ndërtuar me të vetmen shpresë për t’ia bërë me sy Presidentit Donald Trump, për shkak të premtimit të tij të përsëritur për një mur me Meksikën.
Sikur të mos mjaftonin këto, në Serbi ka zbarkuar media propagandistike ruse në gjuhën serbe. Publiku serb tani po bombardohet vazhdimisht me lajme të pavërteta, me teori konspiracioni e përdredhje analitike që synojnë të shkaktojnë panik në popullsi, duke i trembur nga shqiptarët, boshnjakët, myslimanët, kroatët, NATO e kushdo që nevojitet për t’ bërë serbët sa më të varur nga Rusia.
Moska ka nevojë të madhe për një konflikt të ri në Ballkan për të përfocuar dorën e saj në negociatat me Bashkimin Europian.
Megjithë fetishizmin e Putinit nga serbët, ai nuk ka ndërmend t’i ndihmojë që ta marrin Kosovën mbrapsh e mbase as që të shkëpusin Republikën Sërpska nga Bosnia. Mirëpo, Moska do të bëjë çdo gjë që të mos ketë paqe e siguri në rajon. Për këtë i nevojitet një Serbi nervoze po edhe delirante që ushqehet me frymën e hakmarrjes nacionaliste.
Treni me mbishkrime shovinisto-fetare u ndal sot në kufirin e Kosovës, mirëpo një vit i gjatë provokimesh nacionaliste serbe në Ballkan vetëm sa është nisur nga stacioni.