Thellohen tensionet PDIU-LSI, Aqif Rakipi i përgjigjet Manjanit: Të lihen lojërat, zgjedhjet i fitojmë edhe pa ju
Thellohet tensioni mes dy partive në koalicionin e majtë, LSI dhe PDIU. Deputetët e Partisë, Drejtësi, Integrim dhe Unitet kanë sulmuar së fundmi LSI nëpërmjet disa deklaratave. Tensionin në fakt e ka shkaktuar ministri i LSI, Ylli Manjani i cili në intervistë televizive shprehu mosdakordësinë që partia çame të vijojë të qëndrojë në koalicionin e majtë.
Manjani tha se PDIU u votua si parti e djathtë, ndërsa shtoi se PS i fitoi zgjedhjet me Ben Blushin dhe deputetë të tjerë. Kjo deklaratë e Manjanit ka tensionuar deputetët çam, të cilët i kujtojnë LSI-së aleancën me PD më parë. Ppër gazetën SOT, deputeti i PDIU, Aqif Rakipi, thotë se PDIU bën koalicion me atë parti që e konsideron kauzën e tyre, Çështjen Çame. Sipas tij, Lëvizja Socialiste për Integrim ka bërë koalicion edhe me parti të djathta, edhe me të majta.
“LSI ka dalë gjithandej, me PD, me PS. Gjithmonë ka vepruar në këtë mënyrë. Nuk i bëmë ndonjërit as puç dhe asgjë tjetër. Ne mbrojmë një kauzë dhe për këtë duam zgjidhje. Kurse LSI dihet, ka bashkëqeverisur edhe me PD, edhe me PS”, u shpreh deputeti Rakipi. Në vijim, deputeti i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet thotë se lëvizjet e partisë ku bën pjesë janë të justifikuara dhe kufizohen nga çështja çame. Ai shprehet i kënaqur me kryeministrin, Edi Rama sa i përket ngritjes së çështjes së tyre.
“Ne kemi një kauzë tonën dhe kauzën tonë kryeministri Edi Rama apo ministri i vetë i Jashtëm, Ditmir Bushati e ka përkrahur. Në bëjmë bashkëpunim në drejtim të kauzës tonë. Rama dhe Bushati e ka ngritur çështjen tonë. Ne nuk i bëjmë gjërat fshehtas, siç bën Meta, nxjerr njërin apo tjetrin që të flas”, u shpreh në vijim deputeti çam. Ai shtoi se Meta, edhe duke qenë në mazhorancë sillet në disa raste si opozitar. “Një koleg i joni e ka thënë; edhe në qeveri qëndron, edhe shan qeverinë; do të jetë edhe në mazhorancë, edhe në opozitë”, u shpreh deputeti i PDIU.
Koalicioni pas zgjedhjeve
Deputeti i PDIU, Aqif Rakipi shpreh bindjen se zgjedhjet do të fitohen nga Partia Socialiste e drejtuar prej Edi Ramës. Ndonëse nuk e pohon, duket se PDIU nuk ka shumë dilema për vijimin e koalicionit me Partinë Socialiste, siç në fakt po dëshmon Lëvizja Socialiste për Integrim. Deputeti çam thotë se PS i fiton zgjedhjet edhe pa LSI në koalicion, ndërsa mospërgjigjen e Ilir Metës për vijimin e bashkëpunimit edhe pas zgjedhjeve të 18 Qershorit me PS, deputeti e konsideron thjeshtë si një lojë. “Mendoj se LSI nuk do të dalë nga koalicioni me PS. Këto që bën janë thjeshtë lojëra. LSI nuk ka ku të shkojë, nuk i del llogaria që të iki”, thotë Rakipi. Sipas tij, edhe pa LSI, Partia Socialiste bashkë me PDIU dalin fitues.
“Megjithatë, Edi Rama do i fitojë zgjedhjet, edhe nëse ikën LSI”, theksoi ai, duke shtuar se në zgjedhjet për Parlamentin, PDIU synon të marrë jo pak por 10 deputetë.“PDIU synon 10 deputetë në këto zgjedhje”, u shpreh Rakipi. Ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani i është përgjigjur dje edhe deputetja Mesila Doda. Ajo i cilësoi ato deklarata kuturu. “Unë nuk dua të ngatërroj këtë çështje që është kaq e rëndësishme me deklarata që hidhen kuturu, apo që i kam parë të hidhen edhe në mes të Athinës nga kongresi i Syrizës”, tha Doda. Ndërsa në një deklaratë të mëparshme, Doda i kërkoi Metës të reagojë për deklaratat e ministrit të LSI.