Albspirit

Media/News/Publishing

Andi Bushati e thotë copë: Top Channel dhe TV Klan janë shitur te Rama, për ca kioska dhe pallate

 

Andi Bushati, në një intervistë për gazetën “TemA” ka folur mbi lirinë e medias shqiptare, marrëdhënien e saj me pushtetin dhe se çfarë mendon për Aleksandër Frangajn dhe Henri Çilin, pas debatit të hapur me rastin e shkarkimit të dy drejtuesve të mediave të tyre, Armand Shkullaku dhe Alfred Lela. Gjithashtu ai denoncon duke deklaruar se, se televizionet kryesore kanë harruar misionin për të cilin kanë marrë licencën kombëtare, duke e shkëmbyer atë me ndërtim pallatesh apo kioskash.

“Ju ka shkuar ndonjëherë në mendje se Top Channel, apo Klan nuk janë vetëm prona të familjeve Hoxha apo Frangaj, por pasuri publike. Shteti shqiptar i ka pajisur ata me licenca kombëtare dhe ato pak frekuenca që ka në dispozicion, për të informuar publikun dhe jo për të bërë pallate apo ngritur kioska. Pra, në këtë kuptim, nëse këto pasuri kombëtare shfrytëzohen nga pronarët të cilët i shërbejnë pushtetarëve për të rrëmbyer të tjera pasuri publike, këtu kemi mendoj unë një problem. Këto televizione të kthyera në biznes familjar janë një vjedhje e pronës publike, dhe një përçudnim i frikshëm i demokracisë.

Gjithashtu  sot kemi një boom të rrjeteve sociale dhe të mediave që gëlojnë në rrjet. Por këto të fundit, po aq sa janë një hapësirë e paimagjinueshme lirie, po aq janë edhe shpërndarëse të “fake news”, atyre lajmeve të rreme (aq shumë të debatuara edhe në një demokraci shumë të zhvilluar si ajo në ShBA gjatë zgjedhjeve të fundit) që nëse nuk kalojnë nga filtri i mediave serioze, bëjnë që të mbretërojnë gënjeshtra të frikshme. Prandaj, kur në raste si ky yni, kur kryeministri kap mediat dhe televizionet kryesore, pasqyrimi i gënjeshtërt i realitetit mbërrin në përmasa shqetësuese. Tele-qeverisja është krejtësisht në drejtim të kundërt me problemet e njerëzve” thotë analisti Bushati.

Bushati është pyetur edhe për modelin e botuesit dhe pronarit të mediave që përfaqëson Henri Çili dhe Aleksandër Frangaj, debat ky I hapur së fundmi pas largimit të drejtorëve në mediat e tyre Alfred Lela dhe Armand Shkullaku, në të cilin ai është përfshirë edhe vetë me disa shkrime dhe replika.

“Nuk besoj se ka njeri me mendje të shëndoshë, që ka zili modelet e Çilit apo Frangajt në jetë. Nuk besoj se ekziston ndokush, normal, që i sheh ata si modele se si mund te edukojë fëmijët e tij. Unë vetë nuk kam qenë ndonjëherë i pasur, por nëse do të më ndodhte në jetë (nuk shpresoj) mendoj se do ta kisha një mburojë më tepër për krenarinë dhe integritetin tim. Ndaj unë i përbuz ata njerëz që shkëmbejnë krenarinë me pasurinë dhe s’kam si të jem xheloz për diçka që e përbuz”, e thotë copë mendimin e tij ai, edhe për këtë çështje.

Please follow and like us: