Sherri brenda së majtës/ Idrizi shigjeton Manjanin: Harron 4 vitet në qeveri më PD
Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi ka folur për koalicionin parazgjedhor për procesin e 18 qershorit. Idrizi gjithashtu gjatë intervistë në emisionin “Top Story” në Top Channel iu përgjigj edhe thumbimit të ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, i cili deklaroi se e majta i ka fituar zgjedhjet me Ben Blushin dhe jo Shpëtim Idrizin.
“Manjani ndoshta nuk e di që LSI ka qenë nja 4 vite në koalicion me PD dhe e ngatërron të majtën”, – u përgjigj Idrizi me të njëjtën monedhë.
Pasi sqaroi se, “çështjet e PDIU-së nuk janë as të majta dhe as të djathta”, Idrizi foli edhe për zgjedhjet e ardhshme duke thënë se parapëlqen të jenë në një koalicion me PS-në, pavarësisht se u shpreh i pakënaqur me zbatimin e marrëveshjes për bashkëqeverisjen e vendit.
Idrizi tha se të dy personat e vetëm të punësuar në administratën qeveritare nga ana e PDIU-së janë vetëm dy zv.ministrat e saj.
“Do të doja të mos bëhesha pjesë e koalicioneve, por ky Kod Zgjedhor na detyron. Ne brenda koalicionit dhe na i vjedhin votat”, tha Idrizi.