Ambasada e SHBA: E drejtë e Kosovës të ruajë kufijtë
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka reaguar në lidhje me episodin e fundjavës së kaluar, kur treni serb me parulla nacionaliste tentoi të hynte në territorin e Kosovës.
“Kosova është një vend sovran dhe i pavarur dhe ne respektojmë të drejtën e saj për të menaxhuar këdo dhe çfarëdo që kalon kufijtë e saj”, thuhet në një deklaratë online.
Selia diplomatike mirëpret faktin se në kufi nuk pati përplasje mes palëve dhe nënvizon se, nga nacionalizmi nuk përfiton askush.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga BE, si mënyra më e mirë përmes të cilës Kosova dhe Serbia mund të normalizojnë marrëdhëniet mes tyre”, vijon deklarata.
Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje të gjitha palëve që të shmangin retorikën e rrezikshme dhe të vazhdojnë të punojnë për përmirësimin e raporteve dypalëshe dhe jetesën e qytetarëve të të dy vendeve.
“Sot ne festojmë ditëlindjen e Martin Luther King Jr, i cili pati thënë: ‘gjithmonë është koha e duhur për të bërë gjënë e duhur’. Në këto momente është koha e duhur për të punuar për bashkëpunimin dhe kundër konfrontimeve”, vijon deklarata e Shteteve të Bashkuara.