Bozdag: Duam të sjellim në Turqi varrin e poetit të famshëm, Nazim Hikmet
Ministri i Drejtësisë, Bekir Bozdag, shprehu dëshirën për të transferuar në Turqi varrin e poetit turk me famë botërore, Nazim Hikmet, në rast se kjo miratohej edhe nga trashëgimtarët e tij…
Ministri i Drejtësisë, Bekir Bozdag, shprehu dëshirën për të transferuar në Turqi varrin e poetit turk me famë botërore, Nazim Hikmet, në rast se kjo miratohej edhe nga trashëgimtarët e tij.
Në përgjigje të pyetjeve të deputetëve rreth draft-paketës së ndryshimeve kushtetuese, e cila po diskutohet në Kuvendin e Madh Popullor të Turqisë, Bekir Bozdag u prononcua gjithashtu në lidhje me poetin Nazim Hikmet, me rastin e 115-vjetorit të lindjes së themeluesit të lirikës moderne turke.
“Do të donim me gjithë zemër që ai, pasi jetoi në atdheun e tij, të vdiste po ashtu në këtë vatan, këtu të kishte edhe varrin. Ne këtë do ta dëshironim me gjithë shpirt. Po ai ka jetuar vështirësi dhe probleme në të kaluarën. Nuk dua të flas shumë për atë periudhë. Në vitin 2009, qeveria jonë ka shfuqizuar vendimin për heqjen e nënshtetësisë së Nazim Hikmetit”, tha Bozdag.
“Edhe ne dëshirojmë që varri i Nazim Hikmetit të jetë në Turqi; si qeveri nuk kemi ndonjë problem në lidhje me këtë”, shtoi ministri i Drejtësisë duke sqaruar se trashëgimtarët e tij e kanë kundërshtuar këtë gjë deri më tani.
Nëse kjo miratohet edhe nga trashëgimtarët e tij – vijoi ministri Bozdag – qeveria mund të sjellë në Turqi varrin e Nazim Hikmetit dhe këtë gjë do ta bëjë me kënaqësi.
I lindur në Selanik, më 15 janar 1902, shkrimtari, poeti dhe dramaturgu i njohur turk u nda nga jeta në Moskë, më 3 qershor 1963. Ai prehet në Varrezat Novodeviçi të kryeqytetit rus.