Albspirit

Media/News/Publishing

Dokumentet, ja si CIA propagandonte vdekjen e Stalinit në Shqipëri për të sjellë përçarje, synonte futjen në konflikt të Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, listë me zyrtarët që do spastroheshin

Në vitin 1949, shërbimi inteligjent amerikan nisi lëvizjet për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës, duke qenë se Hoxha në këtë periudhë vendosi diktaturën dhe nisi lëvizjet e bashkëpunimit me rusët, kjo gjë nuk u prit aspak mirë nga amerikanët. Pas shumë tentativash, ku u përdorën dhe operacione me agjentë të infiltruar, nuk u arrit rrëzimi i regjimit. I gjithë synimi ishte që të nxitej rebelimi në popull dhe qeveria Hoxha të binte. Kjo nuk ndodhi dhe CIA nisi lëvizje të tjera, një prej të cilave ishte dhe përçarja e Partisë së Punës dhe nxitja e frikës në radhët e saj. Sipas një dokumenti të vitit 1953 të deklasifikuar nga CIA, shihet se si amerikanët propagandonin vdekjen e Stalinit dhe jepnin pasojat që do vinin në Shqipëri dhe vendet e tjera komuniste nëse vijohej bashkëpunimi me ta.

Një tjetër lëvizje e amerikanëve ishte futja në sherr e Mehmet Sheut dhe Enver Hoxhës. Synimi ishte që të propagandohej përmes radiove dhe mënyrave të tjera, që marrëdhëniet e tyre nuk janë të mira dhe kjo të nxiste konflikte në parti. Një tjetër lëvizje e tyre ishte duke përhapur frikë se Hoxha s’do spastronte njerëzit e tij më të afërt. Madje, CIA nxori dhe një listë me të gjithë zyrtarët që thuhej se do spastroheshin. Ndërsa në një dokument të vitit 1954 tregohet një tjetër mision i amerikanëve për të rrëzuar regjimin. Aty jepen detaje nga roli i inteligjencës dhe bashkëpunimi me fqinjët për të mundësuar realizimin e planit.

11 mars 1953

Memorandum për kreun e luftës politike e psikologjike

Bullgaria

Në lajmet tona të transmetuesit klandestin bullgar kemi nisur të komunikojmë për vdekjen e Stalinit, më 5 mars. Theksi më i madh është vënë te zëvendësimi i tij i pritur mes njerëzve të tij në botën komuniste. Më 7 mars i gjithë programi iu kushtua vdekjes së tij, duke paralajmëruar komunistët bullgarë se kjo ngjarje sjell rrethanat për një spastrim të grupit të Cervenkovit nga të gjitha nivelet e administratës. Komenti përmbledh jetën e pamëshirshme të Stalinit, përplasjet aktuale në Kremlin dhe pasojat e tyre për Bullgarinë. Veprimtaria politike e Stalinit u krahasua me regjimin e likuidimit të komunistëve të para-luftës, veçanërisht të Kostovit nga burokratët e partisë. Komentet përmendnin intrigat që kryen në kurriz të Çankov, Damianov e Mihailov. Më 8 mars komentet theksonin pozitën e dobët të grupit të Çervenkov si rezultat i paktit të Ballkanit. Transmetimet në fjalë ishin produkt i iniciativës së terrenit, por nuk bien në konflikt me direktivat e dërguara nga selia kryesore

Shqipëria

Transmetimet klandestine në Shqipëri përfshinin temat e natyrës së dyshimtë të vdekjes së Stalinit duke marrë parasysh pamjet e tij të shëndetshme disa kohë më parë, duke sugjeruar se ai mund të jetë vrarë, dhe gjithashtu faktin se vdekja e Stalinit mund të sjellë shpresë për Shqipërinë, pas nisjes së luftës për pushtet dhe fushatës së pashmangshme të spastrimeve që do të vijojë. Ne u përpoqëm të thyenim lavdinë e ngritur mbi Stalinin dhe në temat e ardhshme do të vëmë në kontrast situatën miqësore në Ballkan me përçarjen në radhët komuniste, duke nxitur dezertimin me anë të fushatës së spastrimeve që të do të vijojë. Malenkov do të prezantohet gjithashtu si një imperialist më i keq se Stalini, dhe rezultati do të jetë një skllavëri më e rëndë për Shqipërinë. Stacioni ynë radio do të nxisë zhurmat për një konflikt mes Hoxhës e Shehut dhe do të japë emra të mundshëm të zyrtarëve që do të spastrohen. Ndryshimet e propagandës komuniste pas dezertimit të Malenkovit do të bëhen pika tona të humorit me autoritetet. Duke filluar nga 10 marsi, tekstet e përditshme do të jepen sipas linjave të udhëzimeve.

20 gusht 1954

Memorandum 

Projekti OBDURATE

Projekti i mëposhtëm i divizionit SE, ju paraqitet për miratim në shumën totale prej 9120 $, për periudhën 1 korrik 1954 deri në 30 qershor 1955. Ky projekt përfshin ndërlidhjen tonë me inteligjencën detare italiane, për të shfrytëzuar mundësitë e grupit të emigrantëve shqiptarë në Romë. Me anë të ndërlidhjeve tona, ne po përgjojmë burimet e grupit të shqiptarëve për informacione mbi Shqipërinë dhe shqiptarët në Itali e Jugosllavi. Ne po punojmë gjithashtu për infiltrim në legatën shqiptare të Romës.

Personeli

Agjenti ynë është anëtar i vjetër i Bllokut Kombëtar Indipendent (BKI) dhe ka burime informacioni për Shqipërinë. Disa nga këto burime janë në Jugosllavi dhe kontaktohen me postë. Ndërsa agjenti …, një tjetër anëtar i njohur i BKI është një prej burimeve më të mira për rekrutim agjentësh, për operacione të drejtuara nga CIA në Veri të Shqipërisë.

Dy agjentët kanë të dy motivim të fortë ideologjik dhe bindjen se SHBA është e vetmja fuqi botërore që mund të përkushtohet mjaftueshëm për të sjellë një çlirim dhe integritet territorial të Shqipërisë. Asnjëri prej tyre nuk dëshiron që bashkëpunimi i tyre të bëhet i njohur te italianët.

Konteksti

Disa aspekte të këtij projekti ishin përfshirë më parë në projektin OBSTACLE të prillit 1954.  Me aprovimin e projektit të ri, kontributet tona për BKI bëhen me anë të liderit të saj në Nju Jork. Aq sa mund të përcaktohet, financimet për këtë grup janë vetëm në shërbim të projektit dhe operacioneve nga baza e Romës.

Periudha dhe kostot e aprovuara

Periudha e aprovuar është 1 korrik 1954 deri në 30 qershor 1955, me një kosto prej 9120 dollarë, të detajuar si më poshtë: Pagesa për liderin me anë të agjentit…5280 dollarë, pagesa direkte ndaj … nga oficeri i CIA, 3840 dollarë.

Rekomandime

Komentet e degës tregojnë për objektiva të “Prioritetit 5”, siç reflektohen në direktivat e misionit për Italinë, aktualisht nën shqyrtim por mund të ngrihen në “Prioritet 4”. Planet detajojnë se projekti është në linjën e direktivave të aprovuar për Shqipërinë. Zonat e veprimit: Itali, Shqipëria Veriore, Jugosllavi. Ky projekt do të vazhdojë për një vit me mbledhje informacionesh, raportime për aparatin shtetëror. Ai ka si qëllim shfrytëzimin e burimeve të informacionit në Shqipëri për aktivitetet e shqiptarëve të Jugosllavisë dhe aktivitetet e shqiptarëve të Italisë.

Refugjatët shqiptarë në Jugosllavi llogariten nga katër deri në shtatë mijë, dhe mjaftojnë për të formuar një forcë paramilitare që mund të përdoret nga UDB për operacione të shkallës relativisht të gjerë, kundër Shqipërisë. Kjo mundësi shikohet me shqetësim nga Departamenti i Shtetit dhe nga qeveria e SHBA. Në të kaluarën janë mbledhur shumë informacione mbi aktivitetet shqiptare në Jugosllavi, nga burime të vjetra të atjeshme duke përfshirë edhe agjentë të hershëm të misioneve tona, që u detyruan të dilnin përsëri nga Shqipëria. Megjithëse shumica e informacionit është marrë me anë të letrave dhe postës në Romë, informacioni konsiderohet sekret. Klientët tanë rrallëherë kanë marrë informacion të tillë nga burime të tjera.

Oficeri që drejton këtë projekt në terren, ka si detyrë kryesore të ruajë bashkëpunimin besnik të burimeve dhe përmirësimin e cilësisë së informacionit që vjen në rrjetin e tij. Që prej raportimit të tij direkt te CIA, masa e bashkëpunimit të tij nuk duhet dhe ai është duke rrezikuar vitet e tij të karrierës me autoritetet italiane, duke u hequr si një prej agjentëve kryesorë të projektit.

Është me rëndësi ruajtja e besimit dhe bashkëpunimit të … që është një lider i rëndësishëm i BKI dhe burimi ynë kryesor i rekrutimit të agjentëve për operacionet e CIA-s në Veri të Shqipërisë.

Të vazhdojë zhvillimi e zgjerimi i kontakteve mes anëtarit të BKI dhe punonjësve të ambasadës shqiptare në Romë. Bashkëpunimi i saj me agjencitë italiane të inteligjencës ka sjellë frute në të kaluarën, duke përcaktuar politikat e qeverisë italiane në lidhje me Shqipërinë dhe grupet shqiptare të emigracionit.

Personeli

Individët e përdorur në këtë operacion si informantë janë shumë për t’i numëruar këtu. Kontaktet ruhen në formë letrash nga rreth dhjetë anëtarë të ish-misioneve tona që u detyruan të largoheshin drejt Jugosllavisë, si dhe nga mbështetës të grupit politik BKI, të shpërndarë në zonat veriore të Shqipërisë. Ky paragraf do të kufizohet te agjentët kryesore me të cilët oficeri ynë ruan kontakte në Romë: Ky subjekt është lideri kryesor fisnor në Veri të Shqipërisë që ka trashëguar kodin e ligjeve fisnore për zgjidhjen e debateve mes katolikëve dhe muslimanëve. Megjithëse nuk ka qenë në Shqipëri që prej vitit 1945, eksperienca jonë tregon se ai ka ende influencë të madhe në popullsinë malësore të Veriut të Shqipërisë. Pozita e tij në Shqipëri është e ngjashme me atë brenda radhëve të BKI në Itali, dhe në grupe të tjera emigrantësh….Ky subjekt nisi karrierën e tij si intelektual dhe është bërë një prej poetëve më të njohur në gjuhën shqipe, si dhe mbi origjinën e gjuhës shqipe. Pas interesimit të tij me politikën, ai u bë simpatizant i bashkimit të Shqipërisë me Italinë për arsye të studimit në Itali dhe fesë katolike. Megjithë bashkëpunimin e tij me Italinë, ai mbetet një figurë e rëndësishme për Veriun e Shqipërisë.

Mbrojtja: Dy agjentët tanë janë liderë të grupit BKI dhe jetojnë hapur në Itali duke gëzuar dhe mbrojtjen e qeverisë italiane, prandaj nuk ka nevojë për mbulim. Kurse oficeri i CIA njihet nga subjektet e mësipërme me emrin e tij të vërtetë dhe si përfaqësues i agjencisë. Kontaktet e tij kanë qenë gjithmonë të sigurta megjithë kohëzgjatjen e madhe të operacionit (prej mesit të vitit 1948)

Komunikimet

Kontaktet mes oficerit tonë dhe subjekteve zhvillohen në një vend të sigurt në Romë. Kontaktet mes … dhe burimeve të tij në Jugosllavi, shumicën e kohës bëhen me anë të postës së thjeshtë. Por kemi marrë edhe disa raportime klandestine nga refugjatë që janë larguar nga Jugosllavia, me mesazhe dore nga burime të atjeshme.

Mbikëqyrja

Çdo mundësi kontrolli mbi agjentët vjen prej bindjes së tyre ideologjike dhe motivimit të tyre, se SHBA është i vetmi shtet që i përkushtohet mjaftueshëm çështjes së çlirimit dhe ruajtjes së integritetit territorial të Shqipërisë. Një tjetër masë kontrolli mbi agjentin është fakti se ai nuk dëshiron të bëhet i ditur te italianët fakti i bashkëpunimit të tij të plotë me agjencinë tonë, pasi kjo do të cenonte pozitën e tij me autoritetet atje. Një tjetër mjet kontrolli edhe pse indirekt, është përfshirja e partisë së tij politike (BKI) në Komitetin Kombëtar të Shqipërisë së Lirë (NCFA). Përfaqësimi i tyre është kërkuar prej vitesh nga BKI dhe u arrit vetëm me këmbënguljen e agjencisë në vitin 1954. Për këtë, agjenti ynë është mirënjohës dhe pranon se situata aktuale do të vazhdojë vetëm me aprovimin e qeverisë së SHBA.

Financat

Kostoja totale pritet të arrijë në 9120 dollarë, teksa pagesat mujore do të bëhen në lireta italiane në shumën prej 275 000. Pagesat totale 760 dollarë në muaj.

Please follow and like us: