Albspirit

Media/News/Publishing

Flet aktivistja nga Beogradi: Ja kush e përgatiti trenin serb dhe mesazhi që u përcoll!

Znj. Kandiç, si e përjetuat ju nisjen e trenit për në Mitrovicë?

Mendoj se ishte një provokim pa asnjë arsye. Unë nuk e di sesi ka mundur të ndodhë kjo, çfarë të mire sjell të dërgosh një tren me mesazhe tepër ekstremiste, nacionaliste, të tilla si “Kosova është Serbi”, me piktura që shpalosin fenë ortodokse dhe Serbinë?! Nuk e di pse e gjithë kjo ishte e nevojshme të ndodhte dhe nuk shpjegoj sesi është e mundur që askush nuk e pa atë si provokim, sidomos në një kohë kur në tren ishte udhëheqësi i një Lëvizjeje shumë ekstremiste, të quajtur 13 89. Ai ishte brenda në tren dhe ishte e qartë që i gjithë ky veprim ishte përgatitur nga ekstremistët.

Shpjegimi i kryeministrit të Serbisë se ishte thjesht një tren që udhëtonte nga Beogradi në Mitrovicë, nuk është shpjegim. Si është e mundur që të dërgosh një tren pa asnjë diskutim me institucionet kosovare? Si është e mundur të dërgosh një tren me piktura që nuk përcjellin ngrohtësi dhe miqësi. Nëse thua që “Kosova është Serbi”, kjo është një deklaratë shumë nacionaliste e cila është përdorur shumë gjatë kohës së Miloshevici dhe tani, me këtë tren, dëgjojmë përsëri një mesazh të vjetër. Të gjithë ne e dimë se çfarë pasojash pamë, pasi mesazhe të tilla dërguan ushtarë në Kosovë. Ngjarja u pasua nga deklarata të politikanëve, si ajo e presidentit serb Nikolin i cili tha se në qoftë se shqiptarët sulmojnë serbët, ata janë të gatshëm të dërgojnë ushtrinë për të mbrojtur serbët. Ky është një mesazh që nuk mund t’i lejohet një politikani, sidomos pas atyre që kemi parë gjatë luftës.

Mendoj se ky veprim ishte tepër i gabuar dhe ka hapur një çështje kryesore se cili është qëllimi i Serbisë: për t’u bashkuar me Evropën apo për të vazhduar me politikën e Millosheviçit?

A është Serbia dhe Kosova në prag lufte?

Jo, lufta në territorin e ish-Jugosllavisë nuk është e mundur, ne jemi në Evropë dhe askush nuk do të lejojë një luftë, por duke folur për luftën hapet një çështje shumë e rëndësishme, sepse sot flitet a do t’i bashkohemi Evropës apo Rusisë. Me veprime të tilla si ai i trenit, me ato mesazhe se Kosova është Serbia, me mesazhe të tilla se Serbia është e gatshme për të dërguar ushtrinë në Kosovë, çështja kryesore është se çfarë lloj të ardhmeje po përgatisin politikanët serbë dhe çfarë Serbie duan të ndërtojnë ata? Mendoj se pozita e Serbisë, për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, ka ndryshuar, pasi në qoftë se përmend ushtri, luftë, fraza se Kosova është Serbi, kjo të mban jashtë  Komunitetit Evropian.

 Çfarë sinjalesh sjell, sipas jush, arrestimi dhe ndalimi i Haradinajt në Francë?

Ka shumë kërkesa për arrest për disa individë. Kroacia ka lëshuar një kërkesë për arrestimin e disa serbëve, por në rastin e Haradinajt, për mendimin tim është një situatë ndryshe. Bashkësia Ndërkombëtare ka krijuar Gjykatë Speciale për krimet e kryera nga ushtarët e UÇK-së. Një ekip i hetimit, i drejtuar nga Clint Williamson, ka përfunduar hetimin dhe institucionet serbe kanë bashkëpunuar me to. Tani, kur jemi në pritje të nisjes së gjykimit nga Gjykata Speciale, lind një pyetje e madhe: çfarë kërkon të tregojë Serbia? Se nuk i intereson gjykimi i Gjykatës Speciale? Se gjykata serbe është më e mirë se ajo Speciale?

Në rastin e Haradinajt, në qoftë se Serbia ka prova kundër tij, të gjitha ato prova duhen paraqitur pranë Gjykatës Speciale, pasi kjo gjykatë është e zgjedhur, është në pushtet dhe është e ngarkuar me krimet e kryera kundër serbëve. Në mendimin tim, kërkesa e Serbisë për të ekstraduar Haradinaj, ngre pyetjen, nëse Serbia është e gatshme të bashkëpunojë me Gjykatën Speciale apo Serbisë nuk i bëhet vonë për gjykimin nga ana e ndërkombëtarëve.

Çfarë do t’i sugjeronit mendjeve të nxehta për ta nxjerrë nga ngërçi këtë marrëdhënie?

Unë mendoj se është shumë e rëndësishme të ndërtohen marrëdhënie paqeje dhe të mira midis Serbisë dhe Kosovës. Mendoj se procesi i marrëdhënieve të mira midis njerëzve të zakonshëm është shumë më e mirë se marrëdhënia e politikanëve. 100.000 serbë jetojnë në Kosovë, jo vetëm në Mitrovicë, por në të gjithë Kosovën. Është shumë e rëndësishme që politikanët serbë të mendojnë për serbët që jetojnë në Kosovë, ata duhet të jenë shumë të kujdesshëm dhe jo të bëjnë provokime të tilla si treni, ata duhet të mendojnë se si të ndërtojnë marrëdhënie ndërmjet tyre, si të përmirësohen, si të mbështesin njeri-tjetrin./dritare.net

Please follow and like us: