Golemi në Gjirokastër, 2 ditë i izoluar nga bora, banorët: Jemi në mëshirë të fatit
Që prej dy ditësh, banorët e fshatit Golem në Gjirokastër janë izoluar nga reshjet e borës. Në këtë fshat, pjesë e njësisë administrative të Kurveleshit, jetojnë 30 familje, të cilat përveç rrugëve të bllokuara vuajnë edhe mungesën e energjisë elektrike.
Rruga Rruga Kolonjë-Golem është e pakalueshme. Po ashtu mësohet se ky fshat prej një jave vuante nga problemet që shkaktuan ngricat, ndërsa reshjet e borës paralizuan totalisht hyrje-daljet. Vetë banorët shprehen se janë në mëshirë të fatit.
Ndërkohë, kryetari i fshatit, Alket Stroka shprehet se bashkia nuk ka mjete që të bëjnë të mundur hapjen e rrugës. “Bashkia na ka thënë se nuk ka mjete të përshtatshme për hapjen e rrugës. Nuk kemi asnjë mundësi komunikimi me qytetin.”, tha ai.
Prej kohësh vendi ynë është përfshirë nga i ftohti polar, ndërsa shumë zona malore vijojnë të jenë të bllokuara për shkak të reshjeve të borës.