Albspirit

Media/News/Publishing

Jon Halliday: Dyshimet e Stalinit dhe Hrushovit mbi Enver Hoxhën, diktatori shqiptar që tërbonte gratë dhe burrat

 

Studiuesi irlandez, Jon Halliday, në librin e tij për Enver Hoxhën, me titull “Shqiptari dinak”, rreket të zbërthejë misteret, intrigat, pabesitë, paranojat, vrasjet, manovrat, raportet mes figurave, komplotet dhe planet brenda kështjellës së regjimit komunist në Shqipëri, por edhe të gjithë vendeve të lindjes. Figura e Enver Hoxhës është në qendër të librit të studiuesit  Halliday, ndërsa të gjithë liderët e Lindjes, duke nisur që nga Stalini dhe më pas Hrushovi, trajtohen në raport me Enver Hoxhën.

Duke iu referuar vëzhgimeve, raportimeve, dëshmive, dokumenteve sekrete, detajeve etj, studiuesi bën një përshkrim të figurës së Enver Hoxhës, i cili la pas çdo diktator lindor, sa i takon shpejtësisë së konsolidimit të pushtetit të tij. Në libër, Halliday flet për dyshimet e forta të Stalinit mbi Enver Hoxhën, ndërsa përshkruan 5 takimet e Enver Hoxhës me udhëheqësin e Bashkimit Sovjetik. “Ndryshe nga shumica e udhëheqësve të Europës Lindore mbas luftës, ai ishte me të vërtetë shumë i pashëm, edhe shumë tërheqës, si për gratë, ashtu edhe për burrat. Forcën tërheqëse dinte ta shfrytëzonte për bukuri. Ishte aktor i përkryer. Këtë aftësi si aktor ai e gërshetoi me një vendosmëri të palëkundur për të provuar se gjithmonë kishte të drejtë, por kishte edhe kokëfortësinë që të vazhdonte gjersa i lodhte kundërshtarët. Këto janë cilësi për ta fituar dhe për ta mbajtur pushtetin. Ato janë gjithashtu cilësi që e tërbojnë bashkëbiseduesin”, shkruan studiuesi irlandez në librin “Shqiptari dinak”.

Dyshimet e Stalinit

Studiuesi irlandez shkruan se Stalini ka qenë shumë dyshimtar për Enver Hoxhën. Diktatori shqiptar ka qenë ndër të vetmit në Bllokun Sovjetik që nuk ka kërkuar ndihmë dhe nuk ka pasur nevojën për ushtrinë sovjetike. “Molotovi po i hidhte fjalë të mirë Stalinit, i cili ishte edhe kurioz, edhe dyshimtar për të vetmin udhëheqës të një regjimi komunist në Bllokun Sovjetik, që nuk kishte pasur asnjë lidhje historike apo kontakt me Bashkimin Sovjetik. Dhe kjo ishte e vërtetë jo vetëm përsa i përket Hoxhës si individ, por pothuajse gjithë grupit udhëheqës në Shqipëri. Për më tepër, Shqipëria është i vetmi vend brenda bllokut që ishte çliruar vetë, pa pasur nevojën që në territorin e saj të shkelte Ushtria e Kuqe Sovjetike”, thotë Jon Halliday në librin për figurën e Enver Hoxhës.

Dyshimet e Hrushovit

Studiuesi irlandez, Jon Halliday, në librin e tij për Enver Hoxhën përshkruan kujtimet e diktatorit Hrushov mbi Enver Hoxhën. Në libër thuhet se Hoxha ka qenë gjithmonë vigjilentë mbi njerëzit që e rrethonin dhe gjithmonë dyshimtar për miqësinë e tyre. “Ajo çka u jep kujtimeve të Hoxhës një veçantësi të spikatur mbi të gjitha kujtimet e tjera, qoftë edhe ato të Hrushovit, është se si ndërthur inteligjencën dhe aftësinë e tij vëzhguese me një çiltërsi brutale dhe me vetëlëvdata të dredha. Ç’është e vërteta, ai i nxjerr të tëra. Dhe vret mendjen. Në një cep të vogël të Ballkanit për 25 vjet, atij i duhet të vriste mendjen të interpretonte shenjat e të deshifronte veprimet, mesazhet dhe dredhat e miqve dhe armiqve të tij”, shkruan studiuesi.

Pse u prish Enver Hoxha me Titon, Hrushovin dhe Mao Ce Dunin

Historiani irlandez, Jon Halliday, në librin e tij “Shqiptari dinak-Enver Hoxha”, sjell fakte dhe dëshmi se si Enver Hoxha prishi marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore me udhëheqësit më me peshë të shteteve komuniste. Halliday pohon se, gjatë bisedave që Enver Hoxha ka zhvilluar me Josip Broz Titon, ia ka shtruar disa herë çështjen e Kosovës. Por, jo vetëm që Tito nuk e merrte përsipër këtë çështje, sipas Enver Hoxhës, por Beogradi po përgatiste aneksimin e Shqipërisë. “Në rrëfimin e Hoxhës mbi lidhjet e tij me Titon dhe regjimin jugosllav, ka njëherësh vërtetësi dhe trillime. Akuza themelore e Hoxhës se Jugosllavia synonte ta aneksonte Shqipërinë është e drejtë. Prandaj, arsyet e tij për t’i parë me dyshim motivet e jugosllavëve duken me vend. Nga ana tjetër, kapërcimi i tij në akuzën se, duke dashur ta aneksonte Shqipërinë, Jugosllavia i zhvati asaj edhe pasuritë, nuk gjen mbështetje në dokumentet që kemi parë. Përkundrazi, Jugosllavia i dha Shqipërisë një ndihmë të madhe gjatë periudhës 1945-48, në aspektin thjesht ekonomik”, thuhet në libër. Gjithashtu, Enver Hoxha e kritikonte mjaft Titon. “Enver Hoxha e kritikon Titon kryesisht në planin personal, që bënte jetë luksoze, sillej me fodullëk dhe nuk i kushtonte shumë kohë njohjes me probleme të fushave të veçanta, sidomos ato ekonomike. Hoxha kujton një bisedë rreth Kosovës. Ato çka thotë ai janë të besueshme, por nuk mund të verifikohen. Është e pamundur që Tito të jetë shprehur kaq haptas, qoftë edhe për një çështje parimore”, thotë historiani Halliday.

Prishja e marrëdhënieve me Moskën

Historiani Jon Halliday rrëfen në librin e tij se si u prishën marrëdhëniet mes Tiranës dhe Moskës pas vdekjes së Stalinit. Enver Hoxha kishte lidhje tepër të ngushta me Stalinin, dhe madje e merrte si shembull në vendimet e tij, por ardhja në pushtet e Nikita Hrushovit do të vuloste fundin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Rusisë. “Deri nga fundi i viteve ’50, marrëdhëniet midis Moskës e Tiranës, në sipërfaqe, dukeshin të mira. Sipas Hoxhës dhe kjo është plotësisht e besueshme, marrëdhëniet zunë të ftoheshin pak kohë pas vdekjes së Stalinit dhe, qysh kur Hrushovi nisi të kërkonte pajtim me Titon, ata morën në tatëpjetën pa kthim. Pajtimi i Hrushovit me Titon më 1955 dhe denoncimi prej tij i krimeve të Stalinit më 1956 ishin dy çështjet kryesore që qëndronin prapa ftohjes së marrëdhënieve sovjeto-shqiptare, të cilave iu shtuan dhe dallimet që kishin mes tyre, përsa i përket personalitetit, Hoxha me Hrushovin”, thuhet në libër. Ndërkaq, edhe Hrushovi nuk kishte konsiderata për udhëheqësit komunistë të Shqipërisë, veçanërisht Enver Hoxhën. “Edhe një herë tjetër, kemi dy versione që bien mjaft ndesh me njëri-tjetrin, atë të Hoxhës dhe atë të palës tjetër. Në kujtimet e tij, Hrushovi shprehet hidhur për udhëheqësit shqiptarë, sidomos për Hoxhën, kryeministrin Shehu dhe ministrin e Mbrojtjes, Balluku, duke thënë se ata janë më keq se egërsirat, ata janë përbindësha. Hrushovi thotë, me shumë të drejtë, se: “Çarja që erdhi duke u thelluar midis BS dhe Shqipërisë lindi kryesisht ngaqë shqiptarët i trembeshin demokratizimit””, thotë Halliday në librin e tij.

Prishja e marrëdhënieve me Kinën

Sipas Jon Halliday-t, Enver Hoxha arriti që t’i jepte fund edhe bashkëpunimit me Kinën, ndërkohë që ky shtet komunist ishte shumë bujar me Shqipërinë dhe e ndihmoi me ndihma pa asnjë lloj interesi. Halliday rrëfen se, Enver Hoxha thoshte se Kina po ushtronte presione ekonomike, ushtarake dhe më pas politike ndaj Shqipërisë, duke i krahasuar këto me presione me presionet e Hrushovit. “Enver Hoxha i përshkruan me hollësi presionet ekonomike dhe, së fundi, politike që Kina po ushtronte ndaj Shqipërisë dhe i krahason këto me presionet e Hrushovit. Por, ashtu siç i paraqet gjërat në këtë pikë, Hoxha tregohet tepër zemërngushtë e, duke i hequr nga defteri, tepër i pasaktë. Para së gjithash, ndihma që Kina i dha Shqipërisë gjatë periudhës në fjalë ishte mjaft e madhe dhe sidomos largpamëse e bujare, në kuptimin që ajo kishte për qëllim t’i jepte mundësi Shqipërisë të ndërtonte një bazë industriale relativisht të gjerë e të ecte me këmbët e veta”, thuhet në libër. Jo larg por nga mesi i vitit 1975, thotë Halliday, ndërsa Hoxha në Shqipëri dënonte kuadro drejtuese se bashkëpunonin me kinezët, Kina po nënshkruante një marrëveshje për t’i dhënë Tiranës sasi të mëdha ndihmash, pa asnjë përqindje interesi.

Please follow and like us: