Albspirit

Media/News/Publishing

Lituania, gardh 3.6 mln eurosh me Kaliningradin

 

Lituania ka në plan ndërtimin e një gardhi dy metra të lartë me tela me gjemba përgjatë kufirit të saj me rajonin rus të Kaliningradit.

Ka qenë pikërisht ministri i Brendshëm lituanez, ai që e ka njoftuar këtë plan gjatë kësaj të marte, mes tensioneve të vazhdueshme midis Moskës dhe vendeve të Baltikut, të cilat nga ish-republika sovjetike janë kthyer tashmë në anëtare të NATO-s.

Eimutis Misiunas pranoi se një barrikadë e tillë do të ofronte një mbrojtje të papërfillshme përballë një sulmi të mundshëm të ushtrisë ruse, por tha se ky veprim thjesht sa nënvizon shqetësimet e lituanezëve kundrejt një Rusie edhe më të egër, ndërkohë që do të ndihmojë në parandalimin e një inkursioni nga përtej kufirit.

“Teksa vlerësojmë rreziqet gjeopolitike, për më tepër kërcënimet gjeopolitike ruse, politikanët lituanezë kanë shprehur vullnetin e tyre se neve na duhet të ngremë një barrierë fizike përballë një vendi të tillë si Rusia”, tha Misiunas për agjencinë e lajmeve “Reuters”. “Një pengesë e tillë nuk do të mund të ndalë tanket apo pajisjet e rënda ushtarake të tyre, por gjithsesi do ta bënte edhe më të vështirë kalimin e paligjshëm të kufirit”, shtoi ai.

Ministri i Brendshëm i Lituanisë përmendi rastin e një zyrtari estonez të sigurisë të burgosur nga Rusia në vitin 2014, të dënuar me 15 vite punë të detyrueshme dhe të liruar më pas në vitin 2015 falë një shkëmbimi të burgosurish.

Rusia kishte thënë se zyrtari Eston Kohver ishte kapur në territorin e saj, ndërkohë që Estonia pretendon se ai është rrëmbyer nga pjesa territoriale e vendit të tij.

Republikat baltike, të cilat fituan pavarësinë nga Moska në vitin 1991, por mbeten ende strehë e minoriteteve të etnisë ruse, janë gjithashtu të ndërgjegjshme se Rusia e aneksoi gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014 përmes dërgimit të ushtarëve pa uniforma dhe me veshje civile. Ata u njohën më pas si “njerëzit e vegjël të gjelbër”.

Lituania ka zhvilluar stërvitje ushtarake që kanë simuluar një skenar të tillë, përfshirë pjesëmarrjen e këtyre ushtarëve me uniforma civile.

Gardhi i ri, i cili do të kushtojë 3.6 milionë euro, pritet të përfundojë brenda vitit, do të shtrihet përgjatë kufirit prej 50 kilometrash tokësorë, pa llogaritur hapësirat e liqeneve, lumenjve dhe kënetave.

Kaliningradi, me dalje në detin Baltik, është i vetmi territor rus që kufizohet me Lituaninë, e cila në lindje të saj kufizohet me Bjellorusinë fqinje. Rusia njoftoi në tetor të vitit të kaluar se, si pjesë e stërvitjeve rutinë të saj, kishte zhvendosur raketa balistike me kapacitete bërthamore “Iskander-M” në Kaliningrad, shoqëruar edhe me sistemit e mbrojtjes antiajrore “S-400”.

Lituania, e cila u bashkua me Bashkimin Europian dhe NATO-n në vitin 2004, është fokusuar deri më tani në fortifikimin e kufirit të saj të gjatë me Bjellorusinë, nga ku shënohen më shumë përpjekje për kalim të paligjshëm kufiri, krahasuar me zonën kufitare me Kaliningradin.

Please follow and like us: