Llazar Fundo, antifashist, antistalinist, mik i Sandro Pertinit, një shqiptar pararendës i Bashkimit Europian
Zai (ose Llazar, Lazar) Fundo lindi në Korçë, më 20 mars 1899 nga një familje tregtarësh me origjinë nga qyteti mesjetar shqiptar i Voskopojës. Kreu shkollën e mesme në liceun francez të Selanikut dhe studimet e larta për jurisprudencë në Paris. Në Shqipëri, në fillim të viteve ’20 u bë një nga aktivistët kryesorë të grupit komunist «Bashkimi», e krijuar nga Avni Rustemi. Pas vrasjes së këtij të fundit, Fundo u caktua me unanimitet drejtor i kësaj shoqate. Më 1924 drejtoi gazetën «Bashkimi». Ishte edhe një prej themeluesve të parë të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Në ditët e Revolucionit Demokratiko-Borgjez, kryesuar nga peshkopi ortodoks Fan Noli, që erdhi posaçërisht nga SHBA më qershor 1924, Fundo ishte ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të këtij të fundit, bashkë me Luigj Gurakuqin, Gjergj Fishtën, Hasan Prishtinën, Tajar Zavalanin, etj. Ishte 25 vjeç, dhe qe një prej veprimtarëve më me zë dhe gëzonte reputacion të madh.
Pas rrëzimit të qeverisë Noli, Fundoja shkoi në mërgim bashkë me disa miq të tij, shpënë për studime në Bashkimin Sovjetik me rekomandimin e Nolit, dhe bëri pjesë në seksionin komunist shqiptar të Kominternit, i mbiquajtur KONARÉ. Më 1933 gjendej në Berlin bashkë me Gjergj Dimitrovin, kur ky i fundit iu nënshtrua një procesi në gjykatën e Lajpcigut, me akuzën se kishte dhënë urdhër për djegien e Rajhshtagut. Pas lirimit prej akuzave të të pandehurit, Fundo, Maria Margaretha Stemmer, gruaja me të cilën bashkëjetonte dhe që kish gjetur edhe një prej avokatëve të grupit të mbrojtjes, si dhe miku i tij Dimitrovi u arratisën në fillim në Paris dhe më pas në Bashkimin Sovjetik. Në këta vite të gjatë mërgimi (1924–1939) Fundo shkroi artikuj për gazetën «Çlirimi Nacional», drejtuar prej tij bashkë me Fan Nolin, Halim Xhelon, etj. Luajti edhe një rol të rëndësishëm në organizimin e vullnetarëve shqiptarë që shkuan të luftonin kundër Frankos në mbrojtje të republikës spanjolle dhe në organizatën politike «Fronti Nacional», i krijuar në Paris më 1936. Mes viteve ’20 dhe ’30 ishte një prej bashkëpunuesve më të mëdhenj të periodikut «La Fédération Balkanique», që botohej në Vjenë në disa gjuhë. Por, pak kohë më vonë (në vitet 1937–38, periudha e spastrimeve të mëdha), u zhgënjye dhe indinjua nga diktatura barbare e Stalinit. I marrë në hetuesi nga çiska e Kominternit, arrin të shpëtojë falë miqësisë me Dimitrovin dhe të arratiset në Francë (1937?), Zvicër dhe në vende të tjera në Europë.
Më 1938 Fundo preu çdo marrëdhënie me PKSH dhe Kominternin. Pas pushtimit fashist të Shqipërisë (1939), Fundo u kthye në Korçë, duke u marrë me propagandë politike antifashiste kundër pushtuesve italianë. Arrestohet më 1941 nga policia e kuesturës italiane të Tiranës dhe u internua në kampin e Ventotenes, si kundërshtar i rrezikshëm i regjimit musolinian. Pas rënies së fashizmit, me gjithë presionet miqësore e vëllazërore të disa socialistëve italianë (mes të cilëve Sandro Pertini, që u takua për herë të fundit me të në Romë, në gushtin e vitit 1943) që donin ta bindnin të qëndronte në Itali, për të luftuar fashizmin bashkë me ta, Fundo vendos të rikthehet në Shqipëri për të luftuar me bashkatdhetarët e vet, përfshi dhe komunistët, kundër pushtuesve nazifashistë. Por, i zënë rob nga partizanët e Enver Hoxhës ndërsa ndodhej në Kolesjan të Kukësit, afër Gjakovës, bashkë me vëllezërit Kryeziu (edhe ata, ish-të burgosur në Ventotene dhe antifashistë, po jo komunistë) dhe një mision ushtarak anglez, pasi u torturua barbarisht, u pushkatua si trockist dhe «renegat» me urdhër të Hoxhës, ky vetë ekzekutor i një urdhri të Titos dhe Kominternit moskovit, në shtator 1944, në moshën 45-vjeçare.
«Dëshmi italiane»
Mëngjesin e 26 korrikut 1943 po shëtisja me mikun shqiptar Lazar Fundo, përgjatë dhomave të fjetoreve të të burgosurve, kur pamë se milicët këmishëzinj, në vend që të na mbanin nën vëzhgim siç bënin zakonisht, po flisnin të tronditur mes tyre. Dukeshin tepër të shqetësuar: «Ç’të ketë ndodhur, vallë?» – i thamë njëri-tjetrit. Befas, nga qelitë dolën grupe-grupe të arrestuarit. Të gjithë u drejtuan nga një oborr i mbushur plot. Ishte ora tetë. Dëgjuam të jepej sinjali i orës. Një heshtje e shkurtër, dhe më pas folësi lexoi komunikatën e famshme: «Naltmadhënia e tij, mbret dhe perandor pranoi dorëheqjen nga posti i kreut të qeverisë, i kryeministrit, i sekretarit të shtetit, paraqitur nga shkëlqesia e tij, kavalieri Benito Mussolini…». Një nga të burgosurit bërtiti: Rroftë Italia e lirë! Duartrokitëm dhe u kthyem nga kapanonet…. U bëmë grup: unë, Fancello, Scoçimarro, Spinelli, Seçhia, Lazar Fundo dhe të tjerë: duhej ngritur menjëherë një komitet që të merrte në dorë administrimin e kampit, që përbëhej nga rreth 850 veta. Pasi u krijua komitet, iu drejtuam drejtorit të kolonisë, komisarit Guida… u kufizuam thjesht në paraqitjen e disa kërkesave:
1. Drejtimi i kolonisë praktikisht duhej të mbetej në duart e komitetit.
2. Duhej të ndalte menjëherë mbikqyrja e rreptë nga ana e milicisë, nën të cilën gjendeshin disa prej nesh (Terracini, Bauer, Fancello, Pertini, Scoçimarro).
3. Milicia nuk duhej të vishte më këmishën e zezë, meqenëse ishte përfshirë në rangjet e ushtrisë.
4. Drejtori i kolonisë, Guida, duhej të ndërhynte menjëherë pranë Ministrisë së Brendshme, për lirimin sa më shpejt të të gjithë të burgosurve. Për këtë, komiteti i dërgoi më 31 korrik një telegram kreut të qeverisë (Badoglio, shën. i red.):
«Të internuarit e burgosur në Ventotene kërkojnë të informohen mbi lirimin e tyre dhe kërkojnë menjëherë rivendosjen e mjeteve të transportit. Francesco Fancello, Mauro Scoçimarro, Pietro Seçhia, Alessandro Pertini, Giovanni Domaschi, Altiero Spinelli, Lazar Fundo, Antonio Babich, Antonio Francovich. Ventotene» (Marrë nga Gianni Bisiach, «Pertini raçonta», ‘Gli anni 1915-1945’, Mondadori, Milano, 1983, fq. 89-90).
Dhe më tej:
«Mes të internuarve (në Ventotene, shën. i red.) ndodhet edhe një shqiptar, Lazar Fundo, që ka studiuar në Paris, në Sorbonë dhe ka bredhur Europën mbarë e prapë, ka qenë në Moskë. Pasi u shkëput nga Partia Komuniste, iu afrua asaj Socialiste. Bujar, i hapur, me shumë kulturë, me shpirt djaloshar: bëhet menjëherë mik i Pertinit. Takohen edhe një herë, për herë të fundit, në Romë, në gushtin e vitit 1943. Pertini i lutet që të rrijë, por Fundo do të kthehet në Shqipëri, që të luftojë me njerëzit e vet. Pasi mbaroi lufta dhe u krijua republika popullore, Fundo u burgos dhe meqenëse refuzonte të hidhte poshtë ideologjinë socialiste, u vra barbarisht.» (Marrë nga: Sandro Pertini, «Sei condanne due evasioni, a cura di Vico Faggi, Mondadori, Milano, 1978, fq. 331).
Pra, shqiptari Lazar Fundo (ose Llazar Fundo, Zai Fundo, ose Pagani/Pagan, pseudonimi me të cilin nënshkruante artikujt e botuar në shtypin shqiptar në vitet mes 1919 dhe 1930) ka qenë “miku” i të ndjerit president të Republikës Italiane, Sandro Pertinit dhe internuar bashkë me të nga regjimi fashist në ishullin italian të Ventotenes, mes Romës dhe Napolit. Shumë italianë e kanë njohur dhe e mbajnë mend Pertinin jo vetëm si njeri thellësisht të ndershëm, me koherencë të shëndoshë politike dhe morale, por edhe të pajisur me karakter të vështirë, serioz e të ashpër, një njeri që vështirë se quante “mik” një të huaj. Me pak fjalë, duam të themi se e pranoi Fundon mes miqve të vet pasi ia njihte mirë cilësitë njerëzore, kulturore dhe politike, e kish çmuar të denjë për vlerësimin dhe miqësinë e tij. Më 7 gusht 1943, nga Ventotene niset një telegram i dytë për Romë, nga komiteti i të internuarve, drejtuar kreut të qeverisë:
« …Të burgosurit dhe të internuarit në ishullin Ventotene… kërkojnë menjëherë lirimin e të burgosurve dhe të të përndjekurve politikë si pasojë automatike e nxjerrjes jashtë ligjit të regjimit fashist. Francesco Fancello, Alessandro Pertini, Altiero Spinelli, Pietro Seçhia, Mauro Scoçimarro, Lazar Fundo, Ante Babich, Antonio Francovich». (krh. Sandro Pertini, «Sei condanne due evasioni», vep. e cit. 334).
Por, ka edhe një episod tjetër, në lidhje me Sandro Pertinin, që dëshmon mbi bujarinë e shpirtit, ndjenjën e thellë të humanizmit të Lazar Fundos:
«Komiteti drejtues i të internuarve (Fancello, Scoçimarro, Pertini, Altiero Spinelli, Seçhia, Lazar Fundo, [shqiptar], Ante Babich dhe Antonio Francovich), kërkon që nga 31 korriku [1943, shën. i përkth.] lirimin e menjëhershëm dhe rivendosjen e mjeteve të transportit nga dhe për në ishullin (e Ventotenes, shën. i red.)… masa e kërkuar zbatohet vetëm për ata që nuk janë komunistë ose anarkistë; protestat vazhdojnë me ngulm. Sandro Pertini, kur i vjen urdhri i lirimit, refuzon të niset derisa të ketë ikur nga Ventotene edhe i internuar i fundit në liri; vetëm falë ngulmimit të Scocimarros dhe Fundos niset për t’u përpjekur në Romë, e të ngulmojë pranë qeverisë për këtë qëllim, diçka që do ta bëjë duke shkuar vazhdimisht, me Buozzi-n, tek Senise (shefi i policisë, shën. i red.)» (Marrë nga Paolo Spriano: «Storia del Partito Communista italiano», Einaudi, Torino, 1978, fq. 340-341).
Dhe një tjetër faqe “italiane”‘ mbi Fundon:
« … Mes shqiptarëve shquhej Fundo, një intelektual që kish qenë anëtar drejtues i partisë komuniste të vendit të vet, dhe që më pas kishte kaluar në opozitë. Jetonte tërësisht i izoluar, i zhytur në studimin e greqishtes, sikur të kërkonte prej Homerit miqësinë që nuk gjente mes bashkëkohësve të vet. Me rënien e fashizmit, u kthye në atdhe për të luftuar kundër gjermanëve. Ish-shokët e tij i përgatitën një fund të tmerrshëm, duke treguar edhe njëherë se për punë mizorie, komunizmi dhe nazizmi nuk kanë ç’t’i kenë zili njëri tjetrit!» (Giorgio Braçialarghe: «Nelle spire di urlavento, il confino di Ventotene», Club degli autori, Firenze, 1970, fq. 67).
Autori i këtij pasazhi, republikan dhe antifashist, ka qenë edhe ai i internuar në Ventotene. Megjithatë, mendojmë se nga ana njerëzore kujtimin më të ndjerë, të bukur dhe më të detajuar të Llazar Fundos na e ka lënë një tjetër mik i tij i burgut, socialisti Alberto Jacometti: «Fundo – shqiptar. Duhet ta shihni, kur në orët e para të mëngjesit studion jashtë, kjo është mënyra e tij e zakonshme e studimit. Flokët a më mirë ç’ka mbetur, shpupurisur nga era, të verdha – por në tufat më të gjata, aq të çngjyrosura sa duken të bardha, koka e lartë – një profil gati romak – hap i gjatë dhe krahu që skandon vargun «Akil këmbëshpejti që ecën gjatë bregut të detit». Njohës i madh i Homerit dhe Platonit, veç të tjerash. Mënyra e tij e studimit është shumë e çuditshme: shkruan fjalën ose fjalinë që i intereson mbi copa letre me të cilat mbush xhepat: i rilexon, i rifut në xhep, i nxjerr jashtë sërish, derisa fjalia ose fjala shtypet në mënyrë të pashlyer në mendjen e tij. Kështu ka mësuar me themel disa gjuhë. Ish-komunist, ka bredhur mbarë Europën. Ka qenë në Rusi, ku antikonformizmi i tij e bëri të dyshimtë: shpëtoi nga vala e spastrimit që përmbysi gati të tërën gardën e vjetër leniniane dhe u kthye në Shqipëri tamam në kohë për të rënë nën kthetrat e zagarëve musolinianë. Është një nga dy shqiptarët për të cilët nuk ka amnisti. I ndërthur studimet e tij të dashura të greqishtes me ekonomistët liberalë anglezë, për të cilat Rossi (1) e ngacmon. Debatet e tyre janë të pafundme. Asnjëri s’arrin ta bindë tjetrin të bëjë prapa, qoftë edhe një gisht. Kur shterojnë argumentet nga një anë, si dhe tjetra ose janë të lodhur së shkuari lart e poshtë, e lenë për nesër. Ose i hyjnë polemikës së shkruar. Kjo e polemikës së shkruar është një nga sëmundjet e kampit dhe sëmundje fort ngjitëse, meqë ra fjala. Herë pas here, ngre kryet. Si dhe pse, kjo vështirë se thuhet. E vërteta është se, në njëfarë pike, nis polemika e shkruar. Vërtitet zakonisht mbi një pikë të përcaktuar qartë prej të cilës ka lindur mes bashkëbiseduesve një kundërshti. Njëri prej të dyve ndien nevojën ta përkthejë me shkrim mendimin e vet. Me një mijë përkujdesje e hedh në letër dhe me përkujdesje akoma dhe më të mëdha, ia kalon tjetrit. I cili e lexon dhe përgjigjet. Që këtej e tutje, polemika bëhet një ujë në lëvizje e sipër mbi një terren të virgjër dhe plot pengesa, rastësi, gropa të rrezikshme që ndrydhin sipas qejfit udhën e mendimit.
Argumenti kryesor mpaket, thërrmohet dhe shpeshherë zhduket për t’i lënë vend gjërash të tjera për të cilat s’u kishte shkuar ndër mend. Polemika degëzohet, bëhet më e shpeshtë. Çdo kundërshtar e komunikon mendimin e vet me shkrim dhe ia jep një grupi të ngushtë e të zgjedhur miqsh. Miqtë ndërhyjnë me këshilla dhe sugjerime, dhe herëpashere bëjnë kompromise. Polemika e dy vetave bëhet polemikë grupesh, nisin dalin mospëlqime personale, mërira. Kjo është fatale: në një klimë kaq artificiale, polemika vetëm mund të degjenerojë më tej, i mungon frymëmarrja dhe në një farë mënyre, mekanizmi rregullues dhe moderues, i përfaqësuar prej publikut. Mërzia e kampit vepron edhe mbi nervat më të çelikta, jeta e gjymtuar e çdo veprimtarie ndërtuese. Natyrisht lind nevoja për ta bërë qimen katërsh dhe si mes hebrejve të lashtë, njerëzit zihen nëse engjëjt kanë dy, katër apo gjashtë krahë. Asgjë e tillë nuk ndodh me Fundon dhe Rossin. Polemika shteron kur pas dredhash e zigzagesh të dy kuptojnë se janë sërish në pikën e fillimit. A ia vlen të vazhdohet? Herës tjetër, më mirë. Një nga dobësitë e Fundos, është se fsheh moshën. Nuk është i vetmi që e bën, megjithatë. Fëminore, kuptohet, por ama një fëmini që ka shkaqe të thella, po të mendohen vitet e humbura, dy, pesë, dhjetë, nganjëherë edhe njëzet, humbur pa mundësi rikthimi, të humbur përjetë, gëzimet e humbura ndaj të cilave është preferuar diçka tjetër, por që kur e mendon, ngjyrosen në ngjyrë të flakës, me ngjyra të arta – gjëra e gëzime të vogla – që i bën të mendueshëm edhe më moskokëçarësit, të pambrojtur edhe ata më të ashprit. Të fshehësh vitet është pak a shumë si të shtrish këmbët, apo të fshehësh sytë pas qepallave – për të mos parë. (nga Alberto Jacometti: «Ventotene», Mondadori, Milano, 1946, fq. 66-68).
Shënojmë gjithashtu edhe një dëshmi veçanërisht të rëndësishme dhe me peshë, mbi autorin e saj dhe raportet e këtij me Lazar Fundon dhe veprimtarinë e këtij të fundit në Ventotene, që mund të ketë mbi realitetin politik, social dhe kulturor të Shqipërisë sot. U hedhim një sy faqeve mbi Fundon, nxjerrë nga autobiografia e Altiero Spinellit – ish-komunist i shndërruar në antistalinist; në Ventotene ka qenë një prej redaktorëve – bashkë me Ernesto Rossin dhe Eugenio Colornin – i të famshmit Manifest i Ventotenes (një prej dokumenteve themelorë dhe më të rëndësishëm të Bashkimit Europian) dhe në pasluftë, i europarlamentarëve socialistë. Kështu shkruan Spinelli: «… Përbërja politike e kolonisë së Ventotenes ishte në fillim e ngjashme me atë të Ponza-s. Lajmi i parë qe ardhja e nja 50 shqiptarëve. Pjesa më e madhe e tyre qenë meshkuj në moshë të ndonjë fisi barinjsh malësorë, nga shefi i vjetër te një djalë 15-vjeçar… Bashkë me barinjtë, krenarë si princa dhe primitivë si njerëz të egër për të cilët vafti kryesor gjithmonë përbëhej nga buka me djathë – të cilëve jeta në Ventotene u dukej gato-gati luksoze, kishte dhe nja dhjetë intelektualë që kishin studiuar në universitetet më të mira të Europës, flisnin tre-katër gjuhë përveç të tyreve dhe që ishin burgosur për tentativë të organizimit të rezistencës kombëtare. Këta krijuan marrëdhënie të mira me të burgosurit italianë, politikisht preferenciale – kush me komunistët, kush me xhelistët (giellisti); njëri, Lazar Fundo, me mua. E ndiej për detyrë të flas këtu për Fundon pasi edhe pse ai në fund u shkëput tërësisht prej meje, kemi qenë miq për disa vjet ndaj dhe do doja ta ndihmoja, që kujtimi i tij të mos zhduket tërësisht. Ishte njeriu më me autoritet mes gjithë shqiptarëve, pasi kishte një përvojë të gjatë dhe të ndërlikuar politike, që u mungonte jo vetëm barinjve myslimanë, por edhe intelektualëve të cilët ishin shtyrë kohët e fundit në politikë nga urrejtja për pushtuesit fashistë. Fundo ishte bërë komunist në Paris, gjatë studimeve universitare. Kësaj i shtohej edhe zgjuarsia dhe njohja e jo pak gjuhëve; veprimtaria e tij politike shkonte përtej Shqipërisë dhe kur Dimitrovi ishte arrestuar pas djegies së Rajhshtagut, Fundo gjendej në Berlin si një prej bashkëpunëtorëve të tij. Pasi i shpëtoi arrestit, ishte kthyer në Moskë ku punonte te Internacionalja. Kur nisi epoka e spastrimeve të mëdha, ai – komunist besnik – por i edukuar në atmosferën kulturore të lirë të vendeve demokratike dhe intelektualisht tip kurioz, kishte frekuentuar jo pak prej kundërshtarëve të Stalinit. Meqenëse kish pasur njëfarë simpatie për ta, iu nënshtrua hetimeve të stërgjatura e të lodhshme nga ana e një komisioni të çistkës së Kominternit. Dëgjova prej tij, por me implikime edhe më dramatike, atë që më kishte thënë Nischio në Ponza.
Shihte sesi zhdukeshin në mënyrë misterioze ky ose ai shok, dhe e kuptoi rrezikun ku ndodhej, duke mohuar me këmbëngulje gjithçka donin që ta bënin të pohonte, se kishte thënë këtë e atë për këtë person ose një tjetër. ‘Një pjesë e asaj që më vinin në gojë – më thoshte – ishte tërësisht e shpikur, por një pjesë ishte e vërtetë: këtë ose atë gjë e kisha thënë. Unë mohoja gjithçka, pasi e dija se s’kishin ndonjë gjë të saktë për mua dhe pa provën e provave, nuk mund të më procedonin. Presioni i njerëzve të çistkës ishte i tillë sa– zbrazëtia rreth meje rritej e rritej – më shumë se një herë u tundova të pohoja gjithë atë që më kërkonin, pak rëndësi ka nëse ishte e vërtetë apo jo dhe ta mbyllja njëherë e mirë me torturën psikologjike së cilës i nënshtrohesha. Nuk u dorëzova vetëm sepse dy ose tre shokë ballkanas që më kishin mbetur fshehurazi miq, më luteshin që të rezistoja. Nëse do kisha hequr dorë, nuk do më kishin lënë të qetë por do më përdornin për të shkatërruar të tjerë dhe të gjithë do binin më pas si zinxhir.’ Meqenëse diti të thoshte jo, hetimi mbi të u la mënjanë. U kthye në punë te Internacionalja, por jo më me detyrat që mbulonte e që e shpinin shpeshherë jashtë shtetit. Për fat të mirë, Dimitrovi, që u bë kryetari i Internacionales, nuk e kishte harruar bashkëpunëtorin e vet në Berlin, ndaj dhe i dha përherë e më shumë detyra për të vënë në provë besnikërinë e tij dhe një ditë i tha se e kishte rifituar besimin e partisë dhe i kishin caktuar një mision të ri në Europë. Në ndalesën e parë polake, Fundo dërgoi një telegram të gjatë në Paris, në të cilin shpjegonte si e pse prishte të gjithë marrëdhëniet me Internacionalen. Kur trupat fashiste pushtuan Shqipërinë, u hodh nga Parisi në Tiranë me një grup bashkatdhetarësh, por u arrestua menjëherë sa vuri këmbë në atdhe. Në Ventotene u afrua natyrshëm me ish-komunistët, xhelistët dhe socialistët me të cilët fliste shpeshherë mbi degjenerimin e regjimit të Stalinit. Ose bënte shëtitje i çlirët, me trupin drejt, i pashëm, me flokët e verdha që ia merrte era, duke përsëritur me zë të ultë fjalët e Platonit, të cilin e lexonte greqisht, duke kërkuar te të urtët e lashtë qetësinë shpirtërore që ia kish marrë dështimi i përvojës së tij komuniste, dhe që nuk e gjente dot gjetkë. Kur BRSS u sulmua nga nazistët, la mënjanë çdo kritikë të kaluar, çdo mallkim të hedhur kundër hyjnisë së lashtë dhe gati-gati iu duk se kish ngjarë një mrekulli spastruese. Pasi u zhvendos në Pistiçi më 8 shtator bërthama e fundit e të internuarve të Ventotenes së paçliruar nga Badoglio, Lazar Fundo mbërriti në bregun e Puglias, u hodh në Shqipëri, u paraqit para partizanëve komunistë dhe u deklaroi se kish ardhur të luftonte me ta, u vu prej tyre me shpatulla pas muri dhe u pushkatua. Mund t’i kishte 40 vjet, pak a shumë. Shpresoj që veç meje, të ketë ndonjë shqiptar nëpër botë që ende e mban mend.»
(Altiero Spinelli: «Come ho tentato di diventare saggio», Il Mulino, Bologna, 1984 dhe 1987, 1988, bot. i ri 1999, fq. 264-267). Dhe prapë Spinelli:
«Jacometti, Fundo, ish-komunistët nuk patën as prirjen e favorshme fillestare të Pertinit, por refuzuan thatë të merrnin pjesë në iniciativën tonë. Atëherë u prish miqësia me Fundon.»
(Altiero Spinelli: «Come ho tentato di diventare saggio», bot. i ri 1988, fq. 313).
Sërish Altiero Spinelli kujton i prekur mikun e tij Lazar Fundo, në faqen e dedikimit të një libërthi (shkrirë më pas me biografinë e tij) me frazën:
«Për kujtim të Lazar Fundos, Eugenio Colornit, Ernesto Rossit».
(Altiero Spinelli, «Il lungo monologo», Edizioni dell’Ateneo, Roma, 1968, fq. 4).
Përsa u përket marrëdhënieve në Ventotene mes Llazar Fundos dhe Ernesto Rossit, shënojmë intervistën e dhënë prej këtij të fundit gazetares Luisa Calogero La Malfa, më 9 nëntor 1966 në Romë, në të cilën Rossi pohon: «… në interesonte më shumë lëvizja federaliste në të cilën ishin mjaft të bashkuar Colorni, Spinelli, unë dhe një grup i vogël prej nja dhjetë vetësh.» Në shënimin tre, më poshtë, intervistuesja – natyrisht me miratimin e Rossit – përfundon kështu frazën: «Mes të tjerësh, Lazar Fundo, Giorgio Braçialarghe, Stavro Skendi, Dino Roberto».
(Luisa Calogero La Malfa: INTERVISTA CON ERNESTO ROSSI, në “Quaderni dell’Istituto Romano per la Storia d’Italia dal Fascismo alla Resistenza “, n. 1, Roma, 1969, fq. 106). Stavro Skendi ishte shqiptari tjetër mik i Spinellit dhe Rossit në Ventotene.
Vetë Rossi, në një letër dërguar nga Roma më 23 korrik ’63 Stavro Skendit, i cili pas luftës kishte shkuar për të dhënë mësim gjuhë dhe letërsi sllave në Amerikë, në Columbia University, e kujton Fundon kështu: «Mora vesh me dhimbje të madhe vdekjen e Fundos. Ishte njeri bujar, inteligjent, që mund të kish dhënë një kontribut të shquar në rindërtimin e vendit të vet, poqese bota nuk do shkonte drejt greminës, siç po bën tani. (Ernesto Rossi: EPISTOLARIO 1943 – 1967, Dal Partito d’Azione al centro sinistra, botuar nga Mimmo Franzinelli, Editori Laterza, Roma – Bari, janar 2007, fq. 64).
Në fund po japim edhe dëshminë entuziaste të Riçardo Bauerit, një tjetër antifashist, edhe ai ish-i internuar në Ventotene, mbi mikun shqiptar Llazar Fundo Pata atëherë një marrëdhënie intimiteti familjar me një gazetar shqiptar, Llazar Fundon, i cili pas një përvoje të gjatë në vendin e vet dhe në Rusi, e kishte braktisur Partinë Komuniste pa hequr dorë megjithatë nga besimi i tij, pasi donte që ëndrra e vet e emancipimit proletar të vinte si rrjedhojë e një praktike lirie dhe jo imponimi të egër, burokratik, diçka që e kishte parë vetë në Rusi. I pajisur me inteligjencë të mprehtë, kishte një vizion tejet interesant historik mbi atë që ndodhte në Europën Lindore dhe në Rusinë aziatike, korrigjuar nga një besim i patundur në evolucionin e nevojshëm progresiv demokratik të regjimit bolshevik, edhe pse me datë të vonë skadimi… Këtë besim të tij e ilustronte me shembuj nga procesi me të cilën Rusia komuniste kishte ngjallur një tharm rinovues në vendet e Azisë qendrore të cilat sundonte, qoftë edhe falë disiplinës së hekurt, por edhe veprimtarisë shumë të gjallë kulturore që për pak kohë i kishte bërë ato vende në një shkallë të lartë të jetës administrative dhe industriale. Diçka me të cilën ndërgjegjësoheshin mbi autonominë e vet, mbi personalitetin që kishin, gjë kjo që manifestohej në marrëdhëniet me qeverinë e Moskës; nga kjo shfaqej një ndërgjegjësim i hapur e individualitetit të tyre, qoftë edhe në kuadrin e rregullimit komunist. Një proces i ngadaltë dhe kompleks, por me një rezultat historik të paevitueshëm. Kur ika – siç do rrëfej më tej – nga Ventotene, e përshëndeta Fundon me shpresën se një ditë do shiheshim sërish, pasi me të mund të debatoja me atë faktor themelor të historisë që quhet ‘revolucioni rus’, pasi Fundo ishte një bashkëbisedues pa qëndrime mendore fanatike dhe vëzhgues kritik i një gjykimi të thellë e të qartë mbi realitetin kontingjent të një ndodhie që – me gjithë arsyet për të mos e pëlqyer – vlerësonte rëndësinë pozitive historike. Shpresë e kotë, pasi siç mora vesh më vonë Fundua i lirë, pasi ra Mussolini, u kthye të merrte pjesë në mënyrë aktive dhe heroike për çlirimin e vendit të vet nga nazizmi, por kur erdhi fitorja – i ftuar nga komunistët të rihynte edhe njëherë në parti – e refuzoi ftesën dhe u vra në burgun ku mbahej.» (Riçardo Bauer: QUELLO CHE HO FATTO.TRENT’ANNI DI LOTTE E DI RICORDI, bot. nga Piero Malvezzi dhe Mario Melino, me hyrje nga Arturo Colombo, Cariplo- Laterza, Milano – Bari, 1987, fq.:130-131). Përktheu dhe përgatiti për botim: Edion Petriti
Please follow and like us: