Albspirit

Media/News/Publishing

Nuk denoncoi për 3 vjet asnjë zyrtar të lartë për konflikt interesi, vihet nën hetim kreu i ILDKPKI

Prokuroria e Përgjithshme ka marrë nën hetim kreun e ILDKPKI Shkëlqim Ganaj, i dyshuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Dy oficerë të policisë gjyqësore, me një urdhër sekuestrimi  të lëshuar nga Prokuroria e Tiranës u paraqitën mesditën e së hënës në  Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave .
Misioni i tyre ishte sekuestrimi i të gjitha dosjeve të pasurive të deklaruara nga zyrtarë të lartë, që kur në krye të ILDKPI-së është emëruar Shkëlqim Ganaj.
Grupi i Taks-Forcës së Prokurorisë së Tiranës ka dyshime se kreu i këtij institucioni ka shpërdoruar detyrën, pasi  në 3  vjet nuk ka konstatuar dhe nuk ka denoncuar asnjë rast konflikti interesi të zyrtarëve të lartë.
Prokuroria e  Tiranës kishte regjistruar procedimin penal kryesisht dhe pa autorë, me dyshimin se ILDKPKI nuk ka vepruar  në hetimin dhe  denoncimin  e rasteve të  përfshirjes në konflikt interesi të zyrtarëve të lartë.
“Regjistrimi penal është nisur kryesisht pasi ka indicie dhe fakte të njohura publikisht për përfshirje të zyrtarëve të lartë në konflikt interesi, të cilat nuk janë hetuar  dhe denoncuar nga  ILDKPKI,” ka thënë për BIRN Albi Serani, zëdhënësi i Prokurorisë së Përgjithshme.
Si raste të njohura publikisht, ku zyrtarë të lartë janë akuzuar për konflikt interesi për pasuritë e tyre, Serani përmend dosjet e deputetëve Rakip Suli, Valentina Leskaj dhe të ish deputetit Koço Kokëdhima. Për shkak të konfliktit të interesit, Kokëdhima humbi mandatin e deputetit në Gjykatën Kushtetuese.
“Për të hetuar nëse kemi të bëjmë dhe me raste të tjera, organi i akuzës ka vendosur sekuestrimin e të gjitha dosjeve të zyrtarëve të lartë që nga shkurti i vitit 2014,” ka shtuar  Serani.
Hetimi kundër kreut të Inspektoriatit të Lartë vjen në momentin kur institucioni i drejtuar nga Ganaj është i përfshirë në procesin e marrjes në sitë e deklaratave të pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve, si pjesë e procesit e të vetingut që pritet të ndjekë miratimin e ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.”
Ky ligj, i cili është ankimuar nga PDnë Gjykatën Kushtetuese kundërshtohet me forcë nga Unioni i Gjyqtarëve dhe një pjesë e prokurorëve.
Prej kohësh, marrëdhëniet mes Prokurorisë dhe ILDKPKI-së kanë qetë të tensionuara, ku palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për mbylljen e dosjeve të zyrtarëve të lartë.

Please follow and like us: